Vizita e Kurtit në Bruksel shihet si mundësi për caktimin e datës për rifillimin e dialogut

Kjo vizitë dyditore, po konsiderohet e mirëseardhur dhe mundësi për caktimin e datës për rifillimin e dialogut me Serbinë. Megjithatë, në ekzekutiv thonë se vizita e Kurtit në kryeqendrën evropiane është më shumë në shërbim të marrëdhënieve bilaterale me BE-në, derisa shtojnë se nuk kanë marrë asnjë ftesë nga BE-ja për rifillimin e dialogut me Serbinë.

Ndërkohë, nga opozita kritikojnë Kurtin për ndërrimin, siç e quajnë të shpeshtë të prioriteteve të tij, por thonë se krahas sigurimit të vaksinave edhe dialogu me Serbinë duhet të vazhdojë. Para takimeve me presidentin Vuçiq, shoqëria civile kërkon hartimin e një strategjie dhe platforme të institucioneve kosovare për dialogun.

Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu përmes një përgjigje me shkrim për KosovaPress thotë se Bashkimi Evropian është më shumë se vetëm dialogu me Serbinë dhe në këtë drejtim do të jetë qëllimi i takimeve në Bruksel.

Sipas tij, datat, vendet dhe agjendat e takimeve në kuadër të dialogut kanë kuptim dhe zbatim kur merren vesh palët, jo kur imponohen njëanshëm.
“Kjo vizitë është në shërbim të marrëdhënieve biletarale me Bashkimin Evropian. Bashkimi Evropian nuk është vetëm dialogu. Ai është shumë më shumë se dialogu, dhe në këtë drejtim do të jetë qëllimi i takimeve në Bruksel. Zyra e Kryeministrit nuk ka marrë kurrfarë ftese as njoftimi për takim mes Kosovës e Serbisë më 11 maj. Ndoshta, kjo mund të ketë qenë ideja apo edhe dakordimi me Beogradin, por jo me neve. Kryeministri Kurti udhëton nesër në Bruksel, bashkë me zëvendëskryeministrin Bislimi dhe zëvendëskryeministren Gërvalla, për takime bilaterale me krerët e institucioneve të BE-së dhe me kreun e qeverisë belge. Datat, vendet dhe agjendat e takimeve kanë kuptim dhe zbatim kur merremi vesh, jo kur imponohen njëanshëm”, thotë Kryeziu për KosovaPress.

Megjithëse shprehet kritik, deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Hajdar Beqa për KosovaPress thotë se vizita e Kurtit në Bruksel është një agjendë shtetërore që ka qenë dhe do të jetë gjithmonë.

“Prioritetet e deklaruara të kryeministrit Kurti kanë qenë prioritet të fushatës, të kalkuluara për të marrë votat e qytetarëve. Kurse sa i përket shkuarjes në Bruksel kjo është një agjendë shtetërore e cila ka qenë më herët, do të jetë edhe në të ardhmen. Vaksina është e domosdoshme, është top-prioritet, por edhe dialogu duhet të vazhdojë”, thotë ai.

Ndërsa, Arbër Fetahu nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike thotë për KosovaPress se vizita e Kurtit në Bruksel do të jetë një hyrje e tij në procesin e dialogut dhe planifikimet për vazhdimësinë tutje.

“Gjithmonë vizitat në Bruksel janë të mirëseardhura duke pasur parasysh karakterin e vizitës dhe pozicionin që gjendet Kosova. Pasi çdo vizitë ndërkombëtare e karakterit të lartë është pozitive për Kosovën pasi e afirmon edhe prezencën kosovare në rrafshin ndërkombëtar. Duhet të presim çka do të konkuludohet në këtë takim. Ajo çfarë është thënë deri më tani, me siguri edhe dialogu Kosovë-Serbi do të jetë njëra nga pjesët përbërëse të këtij takimi. Ndoshta ky takim do të jetë si një lloj hyrje e zotëri Kurtit në këtë proces të ri, njoftim se çfarë dëshiron të bëjë BE-ja, çfarë është plani për tutje dhe cili është minimumi i pritjeve nga BE-ja, pasi ka pasur takim edhe me Vuçiq. Kësisoj mund të caktohet edhe ndonjë datë për fillimin e dialogut Kosovë-Serbi. Por para këtyre takimeve Qeveria Kurti duhet të jetë e përgatitur dhe të ketë të qartë parimet të dialogut dhe të ketë të qartë një strategji se çfarë dëshiron nga ky dialog”, thotë ai.

Kryeministri Kurti gjatë kësaj vizite do të takohet me presidentin e Parlamentit Evropian, David Sassoli, presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, përfaqësuesin e lartë e BE-së për Politikë të Jashtme, Josep Borell, kryeministrin e Belgjikës Aleksander de Cro dhe komisionerë të tjerë të BE-së.

error: Ku po shkon !!
Raporto
RAPORTO LAJMIN

Adblock Detected

Please consider supporting us by disabling your ad blocker