Opozita kritikon Kurtin: Po poshtëron vendin, dokumentet e dialogut gjenden në kryeministri

Mirëpo, lidhur me këtë çështje ka reaguar sot shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashi, partia e të cilit udhëhoqi me vendin para Kurtit. Ai ka thënë se deklaratat e Kurtit janë të pavërteta pasi një dose e tërë i është dorëzuar atij me të marrë detyrën si kryeministër.

“Kjo nuk është aspak e vërtetë sepse ish-kryeministri Hoti i ka dorëzuar një dosje të plotë dhe të detajuar të dëshmueshme që ia ka dorëzuar këtë dosje Kurtit dhe kjo është njëra nga arsyet pse e ka pritur në zyre për t’ia dorëzuar detyrën dhe në dokumentacionin e dorëzimit të detyrës e ka të detajuar procesin e diskutimeve me Serbinë. Kryeministri i vendit po thotë të pavërteta në lidhje me këtë çështje dhe jam i bindur që këto të pavërteta do të deskonspirohen me të vërtetat që do t’i nxjerrë zoti Hoti sepse unë kam biseduar me zotin Hoti dhe ai më ka dëshmuar dhe bindur që ka dorëzuar dosje të plotë dhe të detajuar për bisedimet me Serbinë dhe të gjitha çështjet që janë në proces”, deklaroi Gashi.

Edhe shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, që vet ishte zëvendëskryeministër në qeverinë e kaluar, tha se Kurti i ka në kryeministri të gjithë dokumentacionin e nevojshëm dhe se nuk bën të lëshohet në deklarata të tilla nga Brukseli.

“Z. Kurti e ka dokumentin të hartuar me detaje me të gjitha pozicionet për tema në kryeministri, veç duhet me lyp. E ka raportin e zbatimit të të gjitha marrëveshjeve të deritanishme që e di shumë mirë se ka ardhur edhe në Kuvend. Është totalisht për mendimin tim e padinjitetshme që këto deklarata të jepen prej Brukselit e qaty e ka në sirtar, i ka këto raporte dhe nëse nuk i ka, unë personalisht ia jap se të gjitha i kam, por janë aty, le të lyp te zyra e sekretarit, te zyra për planifikim strategjik, aty i ka të gjitha dhe plus ia kam jap këtë dokumentacion paraprakisht edhe duke qenë në opozitë”, tha Tahiri.

Ndërsa, shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Ableard Tahiri, tha se deklarata të tilla të Kurtit po e nxjerr keq edhe shtetin e Kosovës. Sipas tij, duhet të kishte koordinim më të mirë mes kryeministrit aktual dhe ish-kryeministrit Hoti.

“Kurti do të duhet të kishte një bashkëpunim të mirë me zotin Hoti dhe po ashtu prezantimi në këtë formë mendoj që e nxori keq shtetin dhe Republikën e Kosovës. Ajo që kryeministri shkon të mësojë në Bruksel për punët e shtëpisë së tij mendoj që është dëmi më i madh që mundet t’i bëhet imazhit i Republikës së Kosovës. Çdo dokument, marrëveshje është e arkivuar në arkivat e Republikës së Kosovës. Të poshtërosh shtëpinë tënde deri në atë formë është e papranueshme”, tha Tahiri.

Kryeministri Albin Kurti gjatë një konference më përfaqësuesin e lartë të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, deklaroi se para rifillimit të dialogut me Serbinë do të takojë partitë opozitare.

I pyetur në lidhje me këtë çështje, Tahiri u shpreh se nuk kanë marrë asnjë ftesë nga Kurti por se nuk po shohin një transparencë në lidhje me këtë proces nga kryeministri.

“Ne nuk kemi pranuar asnjë ftesë nga zoti Kurti dhe mendoj se nëse zoti Kurti do ta kishte seriozisht koordinimin me opozitën sa i përket çështje do të duhet ta bënte para se të udhëtonte për Bruksel. Vizita e tij në Bruksel i ka shërbyer kryekëput dialogut dhe nëse ai do të ishte i sinqertë do të duhej që një seancë parlamentare do të duhet të ndodhte paraprakisht. Kurti do të duhet të bëjë të ditur agjendën e tij, platformën dhe cilat janë temat që Kosova do të prezantojë në Bruksel që do të diskutohen në takimet e radhës mes Kosovës dhe Serbisë me ndërmjetësim të BE dhe SHBA. Ne nuk po shohim një transparencë, një seriozitet nga zoti Kurti në këtë proces. Vendi i vetëm ku duhet me ndodhë diskutimet e tilla duhet të jetë Kuvendi dhe duhet të prezantohen qëndrimet pozitë-opozitë dhe nuk mendoj që ka vend për takime me 3-4 persona”, tha Tahiri.

Shefi i GP të LDK-së, Arben Gashi, u shpreh se nuk komenton deklaratat e Kurtit që do të ftojë opozitën për konsultime. Ai kujtoi se kryeministri i vendit është njeriu që përfaqëson Kosovën jashtë vendit dhe se duhet të raportojë para deputetëve të Kuvendit të Kosovës.

“E vërteta është që unë nuk mundem të komentoj mbi një deklaratë. Pra, kjo është një deklaratë e qëllimshme e zotit Kurti për të krijuar një tollovi. Z. Kurti e ka detyrë ligjore dhe kushtetuese që të përfaqësojë vendin jashtë dhe ka për detyrë kushtetuese dhe me vendim të Gjykatës Kushtetuese që të merret me çështje të bisedimeve me Serbinë. Jo zoti Kurti si individ, por si kryeministër. Kryeministri i Kosovës e ka për detyrë kushtetuese që të përfaqësojë Kosovën me bisedime me Serbinë, ky është vendimi i Gjykatës Kushtetuese dhe kjo është fryma jonë kushtetuese. Kurse sa i përket deklaratave nga Brukseli janë të parakohshme dhe të paarsyeshme që të komentohen”, deklaroi Gashi.

Ndërsa, Besnik Tahiri tha se Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës e konsideron shumë të rëndësishme konsultimin e Qeverisë së Kosovës me partitë parlamentare. Ai tha se për të pasur sukses në temat nacionale duhet qasje serioze.

“AAK e konsideron shumë të rëndësishme konsultimin paraprak me partitë parlamentare, informimin në Kuvend dhe njëkohësisht trajtimin e kësaj teme në mënyrën më serioze të mundshme. Platforma politike, vizioni politik për dialog që buron dhe nga vendimi i Gjykatës Kushtetuese që përgjegjës për këtë është qeveria duhet të jetë më serioz i mundshëm, askush nuk ka ekskluzivitet në këtë temë, as Kurti, as askush tjetër. Për të pasur sukses në tema nacionale duhet të jetë qasja shumë serioze dhe jo qasje selektikve”, përfundoi Tahiri.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, deklaroi gjatë së enjtes se dialogu mes Kosovës e Serbisë pritet të rifillojë në muajin qershor, ndërsa në maj do të takojë partitë opozitare.

 

error: Ku po shkon !!
Raporto
RAPORTO LAJMIN

Adblock Detected

Please consider supporting us by disabling your ad blocker