Shefi i BE-së në Kosovë flet për pritjet nga Qeveria Kurti, vaksinat, nismën për konfiskimin e pasurisë dhe rolin e opozitës

Shefi i BE-së në Kosovë Tomáš Szunyog, në një intervistë për Telegrafin, ka folur edhe për reformat që duhet t’i bëjë Kosova, për vaksinat anti-Covid dhe ndihmën nga ky institucion.

Szunyog ka folur edhe për nismën e qeverisë për konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme, për rolin e opozitës dhe pritjet që i ka BE-ja nga institucionet por edhe për reformat që duhet të ndodhin në administratë, arsim e fusha të tjera të rëndësishme.

Telegrafi: Ambassador Tomáš Szunyog, tashmë Kosova ka institucione të reja, Kuvendin, Qeverinë dhe Presidenten, cilat janë pritjet tuaja nga këto institucione?

Ambasador Tomáš Szunyog: Së pari, unë pres dhe shpresoj shumë që rezultati i qartë i zgjedhjeve nga shumica në zgjedhjen e  Qeverisë dhe Presidentit do të rezultojë në një qeveri të qëndrueshme dhe me një kuvend funksional.  Është në interesin e Kosovës që më në fund të përjetojë, për herë të parë, një qeveri që është në gjendje të përfundojë mandatin e saj dhe me të vërtetë përqendrohet në prioritetet afatgjata dhe strategjike për Kosovën.

Prandaj, ne presim një angazhim serioz të institucioneve të reja për të çuar përpara reformat, të udhëhequra nga Marrëveshja për Stabilizim-Asociimit dhe Agjendën e Reformës Evropiane. Sfidat kryesore për Qeverinë e re mbeten zhvillimi ekonomik, sundimi i ligjit, të drejtat e njeriut, arsimi, mbrojtja e mjedisit dhe natyrisht sistemi shëndetësor.

Së bashku me zbatimin e reformave strukturore, ne presim që angazhimi i qeverisë të vazhdojë rimëkëmbjen ekonomike. Ndikimi i krizës pandemike në ekonomi dhe në financa publike ka qenë i fortë dhe është e rëndësishme që lidershipi i ri të ndjekë politika drejt stabilitetit të qëndrueshëm makroekonomik dhe fiskal. Si një objektiv më strategjik, ndikimi COVID-19 në bizneset e Kosovës duhet të shihet si një mundësi për të përmirësuar konkurrencën e tyre, për të investuar në inovacion dhe për të mbështetur dixhitalizimin e bizneseve.

Unë e mirëpres fokusin e Qeverisë në sundimin e ligjit dhe përkushtimin e saj në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Është e rëndësishme të miratohet Strategjia e Sundimit të Ligjit dhe të adresohen një numër çështjesh që janë në pritje, të tilla si ato që lidhen me pavarësinë e gjyqësorit, deklarimin e pasurisë, etj. Ne gjithashtu presim që dialogu i lehtësuar nga BE të vazhdojë së shpejti dhe të shohim Prishtinën dhe Beogradin të angazhohen seriozisht në këtë me një qëllim të qartë drejt një normalizimi gjithëpërfshirës të marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë.

Telegrafi: Kosova është vendi i fundit në rajon me vaksina anti-covid, a do të ketë ndihmë tjetër nga BE-ja për këtë?

Ambasador Tomáš Szunyog: Ne tashmë kemi ndihmuar shumë duke filluar që nga marsi i vitit të kaluar. Ne jemi duke ndihmuar çdo ditë, dhe do ta bëjmë edhe në të ardhmen. Kjo mbështetje është e qartë ashtu siç e dëshmuam të mërkurën, me shpërndarjen e grupit të parë prej 95 mijë vaksinave anti-Covid, të financuara nga Bashkimi Evropian. Siç tha Komisioneri Varhelyi në Prishtinë se “ne kemi qenë duke e shoqëruar Kosovën gjatë gjithë pandemisë” që nga fillimi i saj. Më lejoni të ju kujtoj se vitin e kaluar BE-ja ishte njëri nga donatorët e parë që ndihmoi Kosovën në luftën e saj me pandemitë COVID-19 duke alokuar menjëherë 5 milionë euro për blerjen e pajisjeve mjekësore dhe furnizimeve të tilla si ventiluesit e njësisë së kujdesit intensiv, shtretër spitalorë, ambulanca, komplete të testimeve COVID-19 dhe shumë pajisje mbrojtëse të personelit, që ishin urgjentisht të nevojshme për sistemin shëndetësor të Kosovës.

Në fund të vitit 2020 BE-ja ndau 70 milion € për të mbështetur vaksinimin e sigurt dhe efektiv të  popullatave në të gjithë Ballkanin Perëndimor, nga të cilat 7 milionë euro janë të dedikuara për Kosovën. Këto 7 milionë euro do të përdoren për të blerë vaksinat COVID-19. Përmes këtij granti parashikohet që afërsisht 700,000 doza të vaksinave COVID-19 të blihen përmes marrëveshjes së rishitjes që përfshin shtetet anëtare të BE-së. Zbatimi i kësaj kontrate të grantit ka filluar në mars 2021 dhe do të vazhdojë për 18 muaj. Marrëveshja e parë e tillë u nënshkrua me Austrinë e cila do të sigurojë shpërndarjen e 95,000 dozave të vaksinës Pfizer të paguara nga ky grant.  Ne jemi shumë të sigurt se mbështetja që kemi ofruar gjatë kësaj periudhe ishte thelbësore që sistemi shëndetësor i Kosovës të zhvillojë gjithashtu një planifikim afatgjatë të vaksinimit anti-Covid, i cili është vendimtar për t’i dhënë fund kësaj pandemie vdekjeprurëse. Krahas kësaj, ne e kuptojmë se një periudhë e vështirë e rimëkëmbjes ekonomike është përpara nesh. BE do të jetë aty për të ndihmuar në tejkalimin e saj, përmes fondeve të dedikuara për rimëkëmbjen ekonomike.

Telegrafi: Qeveria ka paralajmëruar iniciativën për konfiskimin e pasurisë dhe një Vetting në sistemin e drejtësisë, si i keni parë këto nisma?

Ambasador Tomáš Szunyog: Unë e kuptoj plotësisht objektivin e Qeverisë për një reformë efektive në gjyqësor në mënyrë që të zhvillojë një sistem sa më efikas dhe efektiv. Por, duke pasur parasysh se ekzistojnë disa mekanizma të përshtatshëm, mbase institucionet duhet më tepër të përqendrohen në përdorimin e tyre më të mirë të mundshëm. Në vend se të investojnë në gjetjen e instrumenteve të reja, mënyra më e mirë e mundshme dhe më efektive do të ishte përdorimi efektiv i atyre ekzistuese.

Në këtë drejtim, ne i bëjmë thirrje qeverisë që të tregojë kujdesin e duhur dhe përkatës në marrjen në konsideratë të masave të tilla si rivlerësimi i plotë i personelit të sundimit të ligjit, përkatësisht ‘Vettingun’.

Një masë e tillë duhet të fillohet vetëm nëse ekzistojnë të gjitha kushtet e nevojshme të mundshme, gjë që nuk është tani në Kosovë.

Me gjithë respektin për iniciativën e qeverisë për konfiskimin civil të pasurive të fituara në mënyrë të padrejtë, ne morëm parasysh koncept dokumentin duke paraqitur një numër opsionesh të reformës, bazuar në të cilën do të hartohet një ligj. Ne shpresojmë të marrim draftin e parë të ligjit dhe ta vlerësojmë atë. Masat e reformës të parashikuara në të duhet të jenë në pajtim me parimet e parashikuara në Kushtetutën e Kosovës dhe të drejtat themelore të individëve.

Telegrafi: Në vazhdimësi BE-ja ka kërkuar reforma në administratë, drejtësi, arsim e fusha të tjera- cilat janë pritjet tuaja?

Ambasador Tomáš Szunyog: Reformat janë të nevojshme, por në vend që të zgjedhim në ndërhyrje, ad-hoc të ngutshme, ne shpresojmë të shohim një proces të reformës strategjike të përgatitur mirë.

Vetëm përmes reformimit të administratës publike, Kosova do të arrijë objektivat e saj të integrimit Evropian. Gjithashtu këtu BE-ja thekson kapitalin njerëzor. Është inkurajuese të dihet se kur ligji për zyrtarët publik është gati të zbatohet në mënyrën e duhur, kjo do ta vendos meritën në qendër të procedurës së përzgjedhjes për shërbimin civil. BE-ja po mbështet qeverinë në vendosjen e procedurave të duhura për këtë.

Ofrimi i shërbimeve është një tjetër fokus kryesor për BE-në, duke ndihmuar qeverinë për ta bërë më të lehtë për bizneset dhe qytetarët për tu adresuar nevojat e tyre nga administrata, për shembull duke zvogëluar kërkesat e panevojshme ligjore për lejet dhe duke vendosur një nënshkrim elektronik në mënyrë që shumë shërbime të bëhen plotësisht online në të ardhmen, siç është bërë e zakonshme tashmë në shumë vende të BE-së.

Këto janë ndër disa nga objektivat që BE-ja po mbështet përmes programeve të mbështetjes së buxhetit, ku ne e mbajmë qeverinë përgjegjëse për synimet e reformës që i ka vendosur vetes. Ne jemi të lumtur të shohim një fokus të ri në reformën e administratës publike nga qeveria aktuale, pasi ka një numër objektivash që duhet të arrihen gjatë këtij viti në mënyrë që ne të jemi në gjendje të shpërndajmë 5.5 milionë EUR që janë të lidhura drejtpërdrejt me reforma të tilla. Arsimi është një përparësi për Bashkimin Evropian, duke pasur parasysh rolin e tij të padiskutueshëm në rritjen e qëndrueshme dhe zhvillimin socio-ekonomik. Për Kosovën është edhe më e rëndësishme duke pasur parasysh popullatën e re të Kosovës dhe interesin e tyre të madh për të ndjekur arsimimin. Është e jashtëzakonshme që numri mesatar i studentëve të Kosovës për kokë banori është dyfishi i mesatares së BE-së.

Telegrafi: Si e shihni rolin e partive politike të opozitës në mbikëqyrjen e punës së Qeverisë?

Ambasador Tomáš Szunyog: Ekzistenca e opozitës në një sistem politik dallon në demokracitë nga sistemet autoritare. Çdo vend ka një qeveri, por vetëm demokracitë kanë një opozitë.Kosova ka krijuar një kornizë të drejtë kushtetuese dhe ligjore dhe kushtet materiale që u mundësojnë partive opozitare të kenë mjetet për të përmbushur funksionet e tyre. Roli i opozitës është të vlerësojë vazhdimisht veprimet e qeverisë pasi kjo kontribuon në cilësinë e debatit politik dhe në këtë mënyrë përmirëson kapacitetin e qeverisë për të menaxhuar çështjet publike.

Gjatë betimit, secili anëtar i Kuvendit betohet se, me ndershmëri dhe me përkushtim, do ta kryejë detyrën e tij dhe do ta përfaqësojë popullin me dinjitet, dhe në interes të Kosovës. Varet nga deputetët se si do të votojnë për politika të ndryshme, legjislacione, por detyrimet e tyre janë të jenë aty, të marrin pjesë në proces si përfaqësues të popullit, në përputhje me betimin që ata kanë dhënë. Kjo quhet sundimi i ligjit. Miqtë e Kosovës presin që opozita të marrë pjesë në punën parlamentare; të tregojë pjekuri politike dhe të ushtrojë opozitë të përgjegjshme dhe konstruktive,- të mos mundohen të pengojnë në mënyrë të pakuptimtë veprimet e shumicës, por të ofrojnë kundër-propozime pozitive për të marrë iniciativa dhe për ta bërë shumicën të vetëdijshme për pikëpamjet e pakicave në një mënyrë kritike si dhe konstruktive.

Duke njohur rolin e rëndësishëm të opozitës në një sistem demokratik, ne presim një qëndrim të përgjegjshëm, që do të thotë një angazhim dhe rol konstruktiv në jetën e përditshme politike. Kjo është mënyra për të investuar në konsolidimin e institucioneve demokratike, parimit dhe përgjegjësive demokratike dhe duke ndihmuar kështu vendin të shkojë drejt një të ardhme me prosperitet.

Telegrafi: Për fund cili është fokusi i Bashkimit Evropian në vitin 2021 në Kosovë?

Ambasador Tomáš Szunyog: BE-ja do të vazhdojë të mbështesë të gjitha përpjekjet në nivelet e politikave, institucionale dhe legjislative që synojnë forcimin e demokracisë dhe sundimit të ligjit në Kosovë, zhvillimin e qëndrueshëm dhe të gjelbër ekonomik si dhe mbështetjen për të drejtat e komuniteteve jo-shumicë dhe dialogun Prishtinë-Beograd. Bashkimi Evropian do të vazhdojë të angazhohet me autoritetet, me synimin për të mbështetur Kosovën në arritjen e progresit të prekshëm në rrugën e saj evropiane, pasi që ne presim nga institucionet që të angazhohen në mënyrë aktive në bashkëpunimin rajonal. Ndër të tjera, Kosova është zotuar të zbatojë reformat që burojnë nga agjenda e Tregut të Përbashkët Rajonal, Marrëveshja e Gjelbër dhe Dixhitalizimi. Zbatimi i reformave nën këto nisma do të ishte përfituese për qytetarët dhe bizneset në uljen e kostove ose pengesat teknike në tregti, rritjen e konkurrencës dhe nxitjen e tregtisë elektronike. Ekziston një angazhim i vendosur në anën tonë për të ndihmuar Kosovën të ecë përpara në përafrimin e prioriteteve të Kosovës me prioritetet e BE-së. Ne jemi duke punuar pa lodhur së bashku me institucionet lokale, partitë, shoqërinë civile, partnerët ndërkombëtarë, nën një qëllim të qartë dhe të thjeshtë: për të ndihmuar Kosovën të ecë përpara në proceset e integrimit evropian, të bëhet një shoqëri e konsoliduar demokratike dhe një partner konstruktiv në marrëdhëniet dhe iniciativat rajonale, tregun rajonal dhe bashkëpunimin rajonal.

error: Ku po shkon !!

Adblock Detected

Please consider supporting us by disabling your ad blocker