T’i ushqesh fëmijët nën flakën e luftës: Rrëfimi i gruas që pas 22 vjetësh e gjeti veten në fotografinë e luftës

Është protagonistja kryesore në fotografinë e shkrepur nga fotoreporteri Ridvan Slivova, më 19 prill 1999, e cila fotografi, për 22 vite me radhë zuri vend në shumë ekspozita e katalogë, udhëtoi në shumë vende të botës.

Remzie Seta këtë fotografi e pa para disa javësh.

Ajo nuk e kishte as idenë më të vogël se ndonjëherë do ta gjente veten në njëren nga qindra mijëra fotografi, që dokumentojnë tmerret e luftës së fundit në Kosovë.

“Kur e pashë fotografinë, edhe u gëzova, por edhe pak u emocionova. Më së shumti mu dhimbsën çikat, qysh ua kam dhanë bukën. Kjo çika ecke, bashkë me burrin edhe të tjerët fëmijë më të mëdhenj, po kryesoja që unë i kam ushqy, se ka pas prej atyre që nuk kanë pas me ju dhanë as me hangër fëmijëve”, thotë ajo.
Rruga që e bënë disa ditë nëpër fshatra të Podujevës e Prishtinës ishte shumë e mundimshme.

“Tri javë kemi ndejtë në Rakinicë, ku kanë hy këmbësoria dhe prej aty në Muhazob na kanë dërgu, jemi hy në kolonë, kemi bujt një natë aty në shi, me shtatë fëmijët e vegjël e burrin. Në sabah kemi udhëtu një ditë, jemi ndal te një shtëpi me gatu bukë, që mos me mbet fëmijët pa hangër edhe kemi nejt një natë aty”, rrëfen ajo.

Udhëtimi i tyre nga fshati Lisnajë (ish-Muhazob) i Komunës së Podujevës, vazhdoi për në Makoc të Prishtinës, aty ku edhe u shkrep fotografia.

“Në Makoc kemi bujt një natë, e na kanë kthy prapë në Podujevë, në Shajkoc, e pastaj në Ballofc, aty kam nejt, se i kam familjen prej aty”, thotë ajo.

Nëna Remzie me bashkëshortin e shtatë fëmijët e saj, për disa ditë me radhë fjetën edhe në shi e në të ftohtë.

Por, fatmirësisht e gjithë familja shpëtoi shëndosh e mirë.Shtatë fëmijët e saj të cilët e përjetuan periudhën më të trishtë të historisë së Kosovës, luftën e vitit 1999, tashmë janë të rritur dhe kanë krijuar familjet e tyre.

“Shtatë vjeç u kanë kjo vajza e vogël që jam tu i dhanë bukë, e tjetra pesë vjeç. E kam pas edhe tjetrën 3-vjeç. Fëmijët tjerë më të mëdhenj ecshin se traktori ngushtë shumë. Dy familje jemi kanë aty. Tash 30 vjeç është kjo çika, i ka kry dy fakulteta, edhe kjo tjetra e ka kry fakultetin. Fëmija më i madh i ka 34 vjet, është jashtë në Gjermani. Pastaj dy binjake, djalin 31 vjeç, edhe ai është jashtë”, tregon nëna Remzie për jetën e fëmijëve të saj 22 vite pas luftës në Kosovë.

error: Ku po shkon !!

Adblock Detected

Please consider supporting us by disabling your ad blocker