Rifillimi i dialogut Kosovë-Serbi në qershor, i pritshëm

Jeta Krasniqi nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), në një prononcim për Telegrafin ka thënë se është e pritshme që Bashkimi Evropian (BE) të insistoj që të ketë një takim para se të shkohet në pushime.

Kjo, sipas saj, që të shikojnë se ku ka mbet dialogu dhe të hidhen hapa të sigurt rreth këtij procesi.

“Edhe kur ishte kryeministri në Bruksel në konferencën e përbashkët me Borell, ai deklaroi se Kosova dhe qeveria është e gatshme për dialog, por gjithsesi kanë thënë që ju duhet më shumë për tu përgatitur me informacionet dhe dokumentet e nevojshme, duke u përmendur mundësia që në qershor të jetë një datë kur ky takim mund të mbahet…Prandaj mendoj që është e pritshme që BE të insistoj të ketë një takim para se të shkojnë në pushim në mënyrë që të shikoj se ku janë dhe të hidhen hapa nga kjo qeveri rreth këtij procesi”, ka thënë Krasniqi.

Mirëpo se çfarë mund të presim nga takimi i muajit qershor, Krasniqi tha: “Varet çfarë rezultate mund të presim. Ajo çka presim është një dakordim në mes palëve që të ecet përpara me dialogun, a do vazhdohet aty ku u la nga qeveria Hoti, etj”.

Edhe Arton Demhasaj nga organizata “Çohu” për Telegrafin tha se takimi para pushimeve verore është i pritshëm, pasi siç tha ai edhe më herët është kërkuar që dialogu të filloj sa më shpejt.

“Mendoj që është e pritshme pasi i kemi pa deklaratat e Lajçak dhe Borell dhe më herët që sa më shpejt të filloj dialogu, para pushimeve”, tha ai.

E sa i përket pritshmërive nga takimi që mund të mbahet në qershor, Demhasaj tha: “Nuk mendoj që do të ketë diçka konkrete kaq shpejt, mendoj që do të jetë një takim mes dy palëve për tu dakorduar për fillimin e procesit. E për arritjen e një marrëveshje do të jetë një proces më i gjatë, dhe besoj që nga fundi i vitit mund të jetë një marrëveshje nëse çdo gjë shkon mirë. Më shumë mund të jetë një dialog koordinues dhe vendimmarrës”.

Ndryshe, shefi i Diplomacisë Evropiane, Josep Borrell pas takimit të ministrave të jashtëm të vendeve anëtare i cili u mbajt ditë më parë në Bruksel deklaroi se takimi i parë Kosovë-Serbi pritet të mbahet para fundit të muajit qershor, siç edhe janë dakorduar me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.

 

error: Ku po shkon !!

Adblock Detected

Please consider supporting us by disabling your ad blocker