A rrezikohet ndonjë politikan kosovar nga sanksionet e paralajmëruara nga Biden?

Ky urdhër nga Presidenti amerikan, Joe Biden, ka përfshirë edhe Kosovën e Serbinë, të cilat së shpejti pritet të takohen në Bruksel për vazhdimin e dialogut.

Njohësi i çështjeve politike, Shkodran Ramadani, në një prononcim për Rahoveci INFO ka thënë se urdhëri për sanksione nga Biden megjithatë nuk parandalon marrëveshjen mes Kosovës e Serbisë edhe për shkëmbim territoresh.

“Nëse e lexoni me kujdes, urdhri për sanksione nga Administrata Biden nuk parandalon marrëveshjen mes dy shteteve edhe nëse përfshihet shkëmbimi i territoreve, pra nëse arrihet marrëveshje nuk llogaritet se po cenohet integriteti territorial sepse shtetet me vullnetin e tyre vendosin të ndryshojnë kufirin. Pra, prap këtu ka një derë të hapur që e kanë lënë në këtë pikë”, ka thënë Ramadani.

Tutje, ai ka thënë se dokumenti i Martti Ahtisaarit nuk është përfshirë tek dokumentet apo marrëveshjet të cilat duhet të respektohen në Ballkan, andaj sipas Ramadanit ky dokument është lënë i hapur për negociata.

“Nëse e shohim me kujdes mungon dokumenti i Ahtisaarit tek dokumentet të cilat duhet të respektohen në Ballkan, që do të thotë se edhe ajo është e hapur për negociata për marrëveshje, pra po llogaritet që Kosova kur e ka shpallur Pavarësinë, e ka shpallur pa u marrë vesh me Serbinë, andaj duhet të merren vesh prapë. Këta po i lënë disa variante hapur, e ka përmendur edhe Palmeri i cili ka thënë se palët janë të lira për tu marrë vesh dhe që nuk do të caktojnë korniza të marrëveshjes. Tash nuk përjashtohet marrëveshja për shkëmbim territoresh dhe as ri-negocimi i Pakos së Ahtisaarit”, ka thënë Ramadani.

Ai ka thënë se urdhri për sanksione nga presidenti Biden është edhe përgjigje për non-papers që janë publikuar disa ditë më herët për ndryshim territoresh që kanë prekur edhe Maqedoninë e Veriut dhe jo vetëm Kosovën e Serbinë.

“Ka mundësi që e kanë për Dodikun në Bosnje i cili ka disa vite që kërcënon me prishje të Marrëveshjes së Dejtonit dhe organizimit të referendumit për shpalljen e pavarësisë së Republika Srpskas, andaj këta po e tregojnë edhe një herë cili është vizioni i tyre dhe që janë të interesuar për të ruajtur punën e arritur”, ka deklaruar Ramadani.

Në anën tjetër, njohësi i çështjeve politike, Fitim Salihu, ka deklaruar për Rahoveci INFO se nuk beson që urdhri për sanksione nga Administrata Biden është për ndonjë emër konkret.

“Nuk besoj që e kanë pasë parasysh ndonjë emër konkret, por idea është që kujtdo që ja merr mendja me i sabotu projektet e Uashingtonit në Ballkan, pasi që aty janë përmendur disa marrëveshje të mëhershme ku kanë qenë të përfshira vendet e Ballkanit Perëndimor, përfshirë edhe Kosovën ose marrëveshje ku Kosova pritet të jetë pjesë e tyre, atëherë kushdo që është mjaftueshëm deluziv për të menduar se mundet me i pengu këto procese të iniciuara dhe të udhëhequra nga Uashingtoni, atëherë padyshim që do të përballet me sanksione”, ka thënë Salihu.

Ai e ka përmendur rastin e Sali Berishës në Shqipëri, të cilin e ka cilësuar si kërcënim mjaft serioz ndaj politikanëve të rajonit që mendojnë “të luajnë lojëra me Amerikën”.

“E kemi pasur rastin e Berishës së fundmi në Shqipëri që unë mendoj se ka qenë gjithashtu një paralajmërim nga Uashingtoni që është lodhur me lojërat Ballkanike dhe intrigat e politikanëve megallaman që mendojnë se mund të luajnë lojëra edhe me Amerikën. Ky kërcënim është mjaft serioz për çdo politikan qoftë të Kosovës, Serbisë apo vendeve të tjera të rajonit që nuk është në linjë me projektet amerikane në rajon”, ka thënë Salihu.

Deri më tani, askush nga Qeveria e Kosovës nuk është prononcuar rreth urdhrit të Administratës Biden për sanksionet.

Kujtojmë se Kurti dhe Vuçiq pritet të takohen në Bruksel më 15 qershor të këtij viti. /Rahoveci INFO/

error: Ku po shkon !!

Adblock Detected

Please consider supporting us by disabling your ad blocker