​AKK gjatë vitit 2020 ka dërguar 124 raste në Prokurori dhe Polici për veprime korruptive

Këto të dhëna u bënë të ditura sot në raportimin e drejtorit të Agjencisë Kundër Korrupsionit, Shaip Havolli në Komisioni për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe mbikëqyrjen e Agjencisë kundër Korrupsionit.

Aty, Havolli tha se AKK ka ushtruar kallëzim penal edhe për zyrtarë të lartë publik.

“Sa i përket profilit të lartë, unë e ceka që Agjencia Kundër Korrupsion ka ushtruar kallëzim penal me dyshim të arsyeshëm për një numër të madh të zyrtarëve të lartë. Duke filluar nga ministra, zëvendësministra, kryeshefa të ndryshëm, borde të ndryshme, rektor, prorektor, drejtor të OJQ-ve të ndryshme. Zakonisht kur ka shpërdorim të detyrës zyrtare vonojnë sepse prokuroria zgjeron ende hetimet. Ndërsa për dy ligjet speciale që janë për deklarimin e pasurisë dhe konfliktin e interesit, atëherë ato shkojnë në procedurë të përshpejtuar drejtpërdrejtë në kallëzime penale tona, prokuroria ka të drejtë me ngritë aktakuzë. Ka aktgjykime edhe për zyrtarë të lartë publik të shkallës së parë, pastaj kemi njoftime që lënda ka kaluar në apel, deri në supreme. Megjithatë ka aktgjykime dënuese për zyrtarë të lartë si rezultat i punës së agjencisë ku janë dënuar edhe dy kryetar të komunave për konflikt të interesit”, tha ai.

Sipas Havollit për të gjithë të dyshuarit kanë prova materiale, mirëpo për shkak ligjit, nuk iu lejohet të përmendin emra.

“Statistikat që janë elaboruar në raport, për çdo njërin kemi veç e veç dëshmi ose prova materiale. Për gjithçka çka është thënë aty ne kemi dëshmi dhe prova materiale, lidhur me gjithë atë që e kemi thënë në raport. Por për shkak të konfidencës dhe ligji nuk e lejon më shumë elaborim”, shtoi Havolli.

Anëtari i komisionit nga AAK, Besnik Tahiri tha se duhet të punohet në hartimin e strategjisë kundër korrupsionit.

Tahiri: Strategjia kundër korrupsionit vetëm i bënë mirë AKK-së

“Strategjia i ka 27 faqe, është një ekstrakt të një pune të gjatë që ka ndodhur për më shumë se 1 vit. Është një dokument që veç i bënë hajr agjencisë dhe luftës kundër korrupsionit. Përndryshe raportin e kam pranuar, është një raport i mirë dhe i detajuar”, tha Tahiri.

Ndërsa, kryetari i komisionit nga radhët e LVV-së, Adnan Rrustemi tha se AKK duhet të zgjerojë gamën e rasteve që verifikon.

“Në bazë të ligjit nuk e ka të kufizuar vetëm 20 përqind, por të paktën vetëm 20 përqind. Në frymën e ligjit është mbi bazën e indikacioneve që duhet të zgjerohet”, tha ai.

Gjatë raportimit, drejtori i AKK-së tha se trendi i mos deklarimit të pasurisë nga zyrtarët publik ka disa vite që është e njëjtë, rreth 2 përqind.

error: Ku po shkon !!

Adblock Detected

Please consider supporting us by disabling your ad blocker