​S’ka kandidatura zyrtare për kryetar të PDK-së, shoqëria civile kërkon reformë të mirëfilltë

Deri më tani s’ka asnjë kandidaturë zyrtare për të parin e partisë, derisa të njëjtat pritet të pranohen deri një ditë para konventës ose në ditën e mbajtjes së saj. Nga ana tjetër, shoqëria civile e mirëpret mbajtjen e zgjedhje të brendshme në PDK, mirëpo kërkojnë reformë të mirëfilltë.

Anëtari i Kryesisë së PDK-së, njëherësh sekretar elektoral, Betim Gjoshi thotë për KosovaPress se ende nuk ka kandidatura zyrtare për kryetar të partisë, megjithëse shton se kryetari në detyrë, Enver Hoxhaj e ka hapur garën dhe ka të drejtën e legjitimimit, pasi janë të kënaqur me mënyrën si e ka drejtuar partinë.

Lidhur me ndonjë kandidaturë tjetër, Gjoshi thotë se nuk ka pa ndonjë dëshirë ose vullnet nga dikush për të garuar.

“Realisht sot e kemi një kryetar në detyrë, i cili vet e ka hapur këtë garë dhe publikisht ka thënë se e mirëpret garën. Nuk është që kemi pa deri sot, përveç spekulimeve mediale, ndonjë dëshirë për të kandiduar. Nuk është që edhe unë prej pozicionit që kam më ka kontaktuar dikush që ka shpreh interes për procedurat, mirëpo kjo nuk do të thotë që ditëve në vazhdim nuk do të shpreh dikush interesin. Gara është e hapur, njerëzit mund të paraqesin një platformë, ne do të caktojmë një kohë kur mund të paraqitet kandidatura dhe platforma. Do të mundohemi që të lejmë hapësirë të madhe, një ose dy ditë para konventës zgjedhore, pse jo nëse lejon statuti edhe brenda konventës zgjedhore të paraqiten kandidaturën. Nuk e ka paraqit ende kandidaturën, as zotëri Hoxhaj, por prej përgjegjësisë që e ka si kryetar, me siguri që drejtën e ka dhe ne jemi të kënaqur me mënyrën si ka drejtuar (partinë). Është fat që PDK e ka një lidership të mirë, pasi ka shumë njerëz që mund ta ushtrojnë këtë detyrë”, thotë ai.

Konventën zgjedhore të PDK-së, po e mirëpret edhe drejtoresha e Lëvizjes FOL, Mexhide Demolli-Nimani, por thotë se ky proces nuk do të jetë i lehtë, pasi vlerëson se ka ndarje brenda partisë.

“Zgjedhjet e 14 shkurtit i kanë dhënë mesazh të qartë të gjitha partive politike, sidomos partive që ishin në pushtet këto 20 vjetët e fundit. Prandaj një reformë e mirëfilltë përmbajtjesore është e domosdoshme. Si duket nuk do të jetë një periudhë e lehtë edhe për PDK-në sepse siç flitet ka ndarje edhe brenda vetë anëtarëve të kësaj partie, mirëpo një reformë është e domosdoshme”, thotë ajo për KosovaPress.

Por të njëjtën e mohon, Gjoshi i PDK-së, i cili thotë se qëllimi është të krijohet një unitet më i madh dhe momentum për fitore të reja të partisë. Për të dëshmuar këtë, sekretari elektoral thekson se do të mirëpritet edhe gara për të kryetarin e PDK-së.

“Nuk është që anëtarësia e PDK-së nuk e mirëpret edhe garën. Nuk guxoj të spekuloj, por në secilin variant ne jemi të përgatitur. Nuk është që as kemi dekurajur dikë për të mos i hyrë garës. Njerëzit janë të hapur derisa ne e kemi shpallur datën e konventës dhe njerëzit e kanë mundësinë për të garuar. Unitetin do të kemi më të madh edhe pas konventës zgjedhore. Ne edhe në zgjedhjet e fundit, përkundër rezultatit, e kemi pasur një bashkëpunim dhe unitet, gjitha gjeneratë në PDK kanë punuar së bashku për një rezultat të mirë. Mendoj që konventa është një momentum i mirë për të krijuar një klimë të re, për fitore të reja të PDK-së”, thotë ai.

Krahas kësaj, Gjoshi thotë se nuk kanë ndonjë procedurë burokratike për aprovimin e ndonjë kandidature, mirëpo duhet të plotësohen disa kritere lidhur me mbështetjen e delegatëve për të garuar.

Partia Demokratike e Kosovës është me ushtrues detyre të kryetarit që nga nëntori i vitit 2020, pas dorëheqjes së Kadri Veselit me rastin e konfirmimit të aktakuzës nga Gjykata Speciale.

error: Ku po shkon !!

Adblock Detected

Please consider supporting us by disabling your ad blocker