Pasuria e ministrit të Mbrojtjes: Përfitoi mijëra euro nga shkëputja e kontratës me Forcat e Armatosura të Norvegjisë

Ministri Mehaj po ashtu ka deklaruar se ka në pronësi një shtëpi 204 metra katrorë në vlerë prej 500 mijë euro dhe një banesë 96 metra katrorë në vlerë prej 100 mijë euro.

Mehaj në deklarimin e pasurisë ka deklaruar edhe 4 prona në pronësi të prindërve që sipas Mehajt, i ka deklaruar për hir të transparencës.

“Për transparencë të plotë në listën e pronave të listuara, kam paraqitur edhe pronat e prindërve në X, me të cilët nuk jetoj në një bashkësi familjare, por duke qenë se gjatë qëndrimit në X, të njëjtat mund të shfrytëzohen nga ana ime e kam parë të arsyeshme t’i deklaroj”, ka shkruar Mehaj në deklarimin e pasurisë.

Mehaj ka deklaruar se bashkëshortja e tij ka një veturë elektrike në vlerë 2 mijë euro, ndërsa veturë në pronësinë e tij nuk ka.

Mehaj ka deklaruar se posedon aksione në shoqërinë aksionare Nordnett (platformë dixhitale udhëheqëse pan-nordike për kursime dhe investime).

Ministri i Mbrojtjes ka thënë se fëmijët e tij kanë të kursyera 12 mijë euro ndërsa gruaja ka 1,700 euro.

Po ashtu, ka deklaruar se ka kredi në vlerë prej 175 mijë euro për blerjen e shtëpisë ndërsa ka marrë kredi edhe për shkollimin e gruas në vlerë prej 2,300 euro.

Mehaj ka deklaruar se ka pagë vjetore 13,812 euro, ndërsa ka deklaruar të ardhura personale në vlerë prej 30 mijë euro me rastin e shkëputjes së kontratës me Forcat e Armatosura të Mbretërisë së Norvegjisë.

“Të rubrika e të ardhurave personale për vitin nga paga, kam përfshirë edhe pagesën në formë benefiti 12 mujor me rastin e shkëputjes së kontratës me Forcat e Armatosura të Mbretërisë së Norvegjisë. Ky benefit është i vlefshëm deri me 31 tetor 2021”, ka shkruar Mehaj.

Paga vjetore e bashkëshortes së Mehajt është 28,800 euro ndërsa ka deklaruar edhe shtesa të fëmijëve në vlerë prej 3,500 euro.

 

error: Ku po shkon !!

Adblock Detected

Please consider supporting us by disabling your ad blocker