​Deputetët kritikojnë Fondin për trajtim jashtë institucioneve shëndetësore publike, kërkohet hetim

Deputetët patën kritika të shumta për menaxhimin e Fondit për Trajtimin jashtë institucioneve shëndetësore, derisa u kërkua që për të njëjtin të ketë edhe një hetim.

Deputetja e LVV-së, Mirlinda Sadiku, në emër të komisionit ka paraqitur rekomandimet, ku një nga rekomandimet ishte që të bëhet plotësim-ndryshimi i udhëzimit administrativ për trajtim jashtë institucioneve publike.

“Ministria e Shëndetësisë në bashkëpunim me të gjitha institucionet relevante vartëse të bëjnë plotësim ndryshimin e udhëzimit administrativ për trajtim jashtë institucioneve publike, me qëllim të përditësimit të kritereve, shërbimeve shëndetësore, çmimores, si dhe rregullimit të mënyrës së raportimit duke filluar nga komisionet në kuadër të SHSKUK-së, komisionit vlerësues dhe bordit ekzekutiv të Fondit. Nga ana e Fondit për Sigurime Shëndetësore të bëhet barazimi i plotë financiar çdo gjashtë muaj me të gjitha institucionet private shëndetësore brenda dhe jashtë vendit për të gjitha shërbimet shëndetësore. Bordi dhe drejtori i Shërbimit Klinik spitalor pas raportimit obligativ te Komisioni për kërkesat dhe aprovimet për trajtim jashtë institucioneve shëndetësore publike në vend të bëjnë vlerësimin e arritjeve, ngecjeve dhe nevojave sa i përket infrastrukturës, pajisjeve dhe resurseve humane me qëllim të reduktimit të nevojave për trajtim jashtë vendit dhe institucioneve shëndetësore publike dhe raportin me rekomandime t’ia paraqes ministrit të Shëndetësisë së paku dy herë në vit”, tha ajo.

Sadiku, tha se rekomandim tjetër është edhe që Ministria e Shëndetësisë në rastin e përgatitjes së strategjisë sektoriale të shëndetësisë 2021-2025 për zhvillim të sektorit të shëndetësisë të merr parasysh nevojat e institucioneve shëndetësore, si dhe nevojat e pacientëve me qëllim të ngritjes së numrit dhe cilësisë së shërbimeve shëndetësore në vend dhe minimizimit të nevojës jashtë institucioneve publike në vend.

Rekomandimi i fundit i Komisionit, ajo tha se është që në bazë të rregullta kohore së paku dy herë në vit të bëhet përditësimi i listës së sëmundjeve për të cilat ofrohet mbështetje e nevojshme për trajtim jashtë institucioneve shëndetësore publike në vend.

Deputeti i LVV-së, Eman Rramani, tha se trajtimi shëndetësor jashtë vendit është një nga çështjet që duhet ta brengos secilin, teksa tha se keqmenaxhohen e keqpërdoren miliona euro të taksapaguesve.

“Trajtimi shëndetësor jashtë vendit është njëra nga çështjet që duhet të na brengos dhe të bëjë të ndjehemi keq secili nga ne. Mënyra se si shpenzohen, keqmenaxhohen, keqpërdoren miliona euro të taksapaguesve dhe se si trajtohen pacientët që shpesh herë vdesin duke pritur në lista, nga padrejtësitë që u bëhen për të përfituar një trajtim shëndetësor nga shteti. Në vitin 2018 janë bërë pagesa për trajtim shëndetësor jashtë vendi në vlerë prej 9 milionë e 192 mijë e 553 euro, ndërsa në vitin 2019 janë bërë 8 milionë e 699 mijë e 979 euro. Kurse borxhi që Fondi ka në fund të vitit 2019 është 11 milionë euro e 75 mijë e 724 euro. 60 përqind e këtyre pagesave për vitin 2018 janë bërë në spitale të Turqisë, ndërsa në vitin 2019 vlera është 5 milionë e 628 mijë e 520 euro. Në Kosovë për trajtim jashtë institucioneve shëndetësore publike në vitin 2018 janë bërë pagesa në vlerë prej 1 milionë 272 mijë e 259 euro, ndërsa në vitin 2019 1 milionë e 232 mijë e 385 euro”, tha ai.

Ish-ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, tha se gjatë kohës sa kishte qenë ministër kishte kërkuar një raport për tri vitet e fundit nga Bordi për trajtim jashtë spitalor, por që tha se i njëjti nuk është pjesë e këtij raporti që po diskutohet në Kuvend.

Për këtë ai tha se kërkon që të ketë një hetim se çka ka ndodhur me fondet për trajtim jashtë vendit dhe i janë trajtuar ato.

“Gjendja reale që është paraqitur nga bordi për trajtim jashtë spitalor aty theksohet dhe është raportuar që shuma e grumbulluar e borxhit afrohet 20 milionë, ndërsa këtu nuk është theksuar, nuk e di a ka fshehje, a është qëllimkeqe apo ka ndonjë arsye tjetër, nuk po dua as unë të jem shumë ndërhyrës në këtë pjesë, sepse kjo ka të bëjë deri në vitin 2019. Mendoj që duhet të ketë një hetim goxha bazik se çka ka ndodhur me këto fonde dhe si janë trajtuar këto fonde, tek atëherë mund të kemi një pasqyrë reale… Mendoj që aty duhet të kemi një hetim, ndoshta edhe hetim penal se pse janë grumbulluar ato borxhe, pse është rritur shuma, si janë lejuar dhe raporti që më të drejtë disa nga kolegët e theksuan me spitalet jo publike edhe në Kosovë edhe jashtë vendit dhe lidhja që ekziston nga referimi i pacientit deri në trajtimin apo mostrajtimin e tij”, tha ai.

I ashpër me kritika ka qenë deputeti i LVV-së Haxhi Avdyli, i cili ka kërkuar që programi i trajtimit jashtë vendit të hiqet nga Fondi për Sigurim Shëndetësore dhe të kthehet në Ministrinë e Shëndetësisë.

“Ky Fond për trajtim jashtë vendit është administruar në mënyrën më të keqe, nuk është Fondi për sigurime shëndetësore trajtim jashtë vendit, por edhe këtë e kanë bërë si është më së keqi. Jo vetëm që nuk na kanë futur në borxh, por po i jepet kahje kontributeve më shumë në drejtime tjera edhe me këtë mu po ma rrit atë skepticizmin se Fondi për Sigurime Shëndetësore nuk ka me pas sukses, sepse të njëjtit njerëz janë këta që kanë me e menaxhu këtë fond. Në këtë mënyrë të punës unë mund të them që nuk ka reformë në shëndetësi, me keqardhje mund të them nuk do të kemi sigurime shëndetësore shpejtë, me këta njerëz që ta kanë menaxhuar në mënyrën më të keqe të mundshme këtë fond për trajtim jashtë vendit nuk kemi me pas reformë në shëndetësi dhe prandaj unë ju ftoj të gjithëve që mos t’i gënjejmë qytetarët”, tha ai.

Deputeti i AAK-së, Shemsedin Dreshaj, tha se raporti është i mirë por që sipas tij do të duhej të jepte përgjigje edhe për shumë fusha të tjera.

Disa nga çështjet që janë parashtruar nda deputetët, Dreshaj tha se uron se do të modifikohen në udhëzimin administrativ është rekomanduar nga Komisioni.

“Për shumë shërbime profesionale të trajtimit më lirë është trajtimi jashtë vendit me marrëveshje të veçantë sesa trajtimi në vend, pra janë sëmundje të rralla, të gjitha vendet e botës këtë e bëjnë. Do të ishte mirë që edhe ministria jonë të mendoj në drejtim të detektimit të partnerëve strategjik ku këto sëmundje do të trajtohen, do t’i del më lirë dhe do të ikin shumë procedura administrative të panevojshme”, tha ai.

Kuvendi i Kosovës më herët ka miratuar edhe rekomandimet e Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike lidhur me Raportin e Auditimit të performancës “Efektiviteti i ndërlidhjes së arsimit dhe aftësimit profesional me nevojat e tregut të punës”.

error: Ku po shkon !!

Adblock Detected

Please consider supporting us by disabling your ad blocker