Dorëzohet ankesë tek Avokati i Popullit për procesin zgjedhor të 14 shkurtit

Nga ky i fundit presin sqarime rreth vendimeve që kishte marrë KQZ e PZAP në këtë proces duke mos përjashtuar mundësinë që t’i drejtohen edhe Gjykatës Kushtetuese.

Lirim Krasniqi nga Germin, tha se në vendimet e KQZ-së dhe PZAP-së lidhur me procesin zgjedhor ka pasur shkelje që cenojnë të drejtën e votës për qytetarët që jetojnë jashtë vendit.

Krasniqi: Lidhur me vendimet e KQZ dhe PZAP për zgjedhjet e 14 shkurtit presim opinion nga Avokati i Popullit

(Video)

“Presim të paktë një opinion sa i përket disa çështjeve duke filluar nga KQZ për telefonimin e votuesve jashtë vendit, e deri te vendimet e PZAP-së pastaj edhe vendimet për të mos pranuar pako me fletëvotime, të cilat kanë ardhur pas afatit, po ashtu edhe çështjen e vonesave në ardhjen e zarfeve, kemi edhe çështje të tjera siç është vonesat ose pamundësia e ankesave për të gjithë ata votues që nuk janë gjendur në listën e votuesve nga jashtë, edhe pse kanë plotësuar të gjithë kriteret juridike”, tha ai.

Germin në bashkëpunim me zyrën e avokatëve Hodaj&Partners kishin nisur në fushatë për të mbledhur ankesat e qytetarëve që pretendojnë se u është mohuar e drejta e votës. Ata presin që institucioni i Avokatit të Popullit të konstatojë që ka pasur vështirësi për qytetarët e diasporës në procesin e votimit.

Hodaj: Mund t’i drejtohemi edhe Kushtetueses mbi shkeljet në procesin zgjedhor

(Video)

“Po shpresojmë që Avokati i Popullit do të mirëkuptojë këtë kërkesë dhe do të shqyrtojë në themel, të jap një konstatim dhe pas atij konstatimi pastaj do t’i mbetet organeve të tjera apo parlamentit, apo KQZ-së që t’i ndryshojë rregulloret e tyre, apo Parlamentit të ndryshojë ligjet në tërësi, nëse jo atëherë është mjeti tjetër juridik që t’i drejtohemi edhe Gjykatës Kushtetuese për të ndryshuar ligjin për zgjedhje apo për të dhënë një sqarim që mos të krijohen pengesa shtesë për qytetarët e Kosovës që jetojnë jashtë vendit”, tha avokati Taulant Hodaj.

Kosova ka mbajtur zgjedhjet parlamentare më 14 shkurt të këtij viti.

error: Ku po shkon !!

Adblock Detected

Please consider supporting us by disabling your ad blocker