Ekonomistët e kthejnë në ‘realitet’ qeverinë Kurti: S’ka shansa të rritjes prej 7.9%, maksimumi 4%

Njohësit e çështjeve ekonomike në vend, vlerësojnë se rritja ekonomike prej 7.9% sipas ministrit Murati është e paarritshme, duke marr për bazë premisat e Bankës Botërore.

Ish-kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës (OEK), Safet Gërxhaliu në një intervistë për Ekonomia Online parashikimin për rritje ekonomike me 7.9% po e sheh si parashikim pompoz të ministrit të Murati, derisa shton se kjo nuk i bënë nder realitetit aktual.

Përkundër rritjeve të të hyrave në Doganë e në ATK, Gërxhaliu sheh të vështirë këtë rritje për ekonominë e vendit.

“Efektet e pandemisë Covid-19 do të na përcjellin edhe në të ardhmen pasi që vendet e rajonit kanë bërë shumë për të mbështetur qytetarët dhe në këtë drejtim Kosova është vendi i fundit që ka kontribuar në efektet e pandemisë Covid-19. Të dilet me parashikime pompoze se do të ketë rritje ekonomike 7%, 8% apo 9% vërtet nuk i bënë nder realitetit aktual”.

“Ajo çka i duhet Kosovës është të ketë një rritje substanciale dhe nuk mund të jetë agregat kyç i matjes së rritjes ekonomike vetëm rritja e konsumit, prandaj neve na duhen investime nga jashtë, punësime të reja, trendët pozitive ekzistojnë, kemi rritje të hyrave në dogana në ATK, por të arrihet një rritje prej 7.9% është një dëshirë mirëpo vështirë që të realizohet përkundër indikatorëve pozitiv”.

E krejt këtë deklaratë të ministrit Murati, Gërxhaliu po e sheh si qëllim të debatit ndërmjet pozitës dhe opozitës, e që siç thotë ai nuk është mirë të jepen premtime të parealizuara.

“Unë besoj që është tema aktuale kjo dhe e kemi një debat jo shumë të këndshëm ndërmjet pozitës dhe opozitës dëshirohet që të dilet me terma dhe indikator të ndryshe, por janë trendët pozitivë që duhet të mbështeten, por duhet të jenë të matur në deklarata sepse vërtet bota nuk është ajo që ka qenë më parë dhe emocionet e qytetarëve janë të tjera dhe në këtë drejtim shumë më nderë i bënë një realitet sesa premtime të parealizuara”.

Edhe kryetari i Aleancës Kosovare e Bizneseve (AKB), Agim Shahini, në një intervistë për Ekonomia Online thotë se do të ishte shumë i lumtur nëse do të mund të arrihet rritja ekonomike prej 7.9%.

Por sipas tij, më shumë se deri në 4% nuk do të ketë rritje ekonomike.

“Do të ishim shumë të lumtur nëse kjo do të ishte realitet dhe nuk besoj që kjo është e arritshme, e dëshirueshme po, e pritshme nga qytetarët sepse ka pasur premtime të mëdha por nisur nga të gjitha premisat aktuale ne nuk mund të shkojmë me rritje ekonomike më shumë se 4% deri në 4.5% maksimalisht, e që faktori ndërkombëtar si Banka Botërore e përkufizojnë ata këtë vlerë dhe ato janë të besueshme dhe ne kur flasim se do të kemi rritje ekonomike prej 7.9% atëherë duhet të dihet nga, por nëse do të ndodhë atëherë Kosova do të jetë vend lider në Ballkan, por edhe në Evropë me rritjen më të madhe në kohën kur shtetet kanë dalë nga kriza e pandemisë dhe disa janë ende në krizë”.

Por se nga do të vijë kjo rritje ekonomike prej 7.9% është i interesuar të dijë edhe kryetari i AKB-së Agim Shahini, përderisa ministri Murati nuk tregon arsyen se si do të arrihet përqindja, raporton EO.

“Mendoj që qeveria e vendit është duke tentuar që ta bind popullin se ne ato çka i kemi premtuar po i realizojmë dhe pikërisht kjo ka qenë një pikat e fushatës që kjo do të ndodhë, por nuk varet tash nga premtimet por nga veprimet, varet nga reformat nga rritja ekonomike, nga eksporti, prodhimi, rritja e konsumit dhe të gjitha këto janë faktor që ndikojnë në rritjen e vendit dhe këto janë duke shkuar në trend pozitiv por jo me atë që ne do të shkojmë në atë përmasë të madhe”.

“Ne dëshirojmë që të ja ketë qëlluar ministri Murati për të cilën ne do të duartrokasim por derisa ai nuk tregon ne kemi dilemat tona”.

 

error: Ku po shkon !!

Adblock Detected

Please consider supporting us by disabling your ad blocker