Osmani mban “peng” KQZ-në, nuk cakton dy anëtarët as një javë pas vendimit të Kushtetueses

Derisa nga Partia Demokratike e Kosovës thonë se është e papranueshme një vonesë e tillë në kompletimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, nga shoqëria civile thonë se një gjë e tillë duhet të bëhet vetëm pas publikimit të plotë të vendimit të Gjykatës Kushtetuese.

Nga Zyra e presidentes së Kosovës Vjosa Osmani, nuk kanë kthyer përgjigje për KosovaPress, se kur do të bëhet emërimi i dy anëtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.

Këtë vonesë në emërimin e të njëjtëve e quan të panevojshme sekretari elektoral i Partisë Demokratike të Kosovës, Betim Gjoshi, i cili thotë se moskompletimi i KQZ-së po ndikon edhe në përgatitjet për zgjedhjet lokale.

Ai potencon se kanë pritur që anëtari i dytë i PDK-së në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve të emërohet qysh në fillim të kësaj jave, pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese.

“Në këtë vendim që e ka marrë Gjykata Kushtetuese kemi paralajmëruar me kohë, ka qenë e panevojshme vonesa e presidentes në mos kompletimin e KQZ-së. Ajo është dashur që 60 ditë pas përfundimit të zgjedhjeve ta kompletojë KQZ-në. Kërkojmë nga presidentja e vendit që ta respektojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese dhe sa më parë të na e jep të drejtën tonë kushtetuese që kemi si PDK që të kemi anëtarin e dytë në KQZ, ashtu siç e thotë edhe Kushtetuta e Kosovës, Ligji për zgjedhje po edhe praktika e deri më tanishme…Ne më kohë kemi kërkuar nga presidentja e vendit që ta luaj rolin e vet kushtetues, si njëri që përfaqëson unitetin qytetar, pra të jetë mbi partitë politike dhe tashmë e ka momentin që të tregojë që është e paanshme. Ne kemi pritur që qysh në fillim të kësaj jave do të na caktojë apo do të na emërojë anëtarin e dytë”, thotë ai.

Në rast se presidentja nuk do të emërojë anëtarin e dytë të Partisë Demokratike në KQZ, Gjoshi thotë se atë vendim do ta kontestojnë në Gjykatën Kushtetuese.

“Ne besojmë që presidentja e vendit nuk do ta shkelë Kushtetutën e Kosovës, do ta zbatojë të drejtën tonë pra që ta kemi anëtarin e dytë në KQZ, në të kundërtën ne do ta dërgojmë pranë Gjykatës Kushtetuese dhe mendojë që si rast do ta fitojmë”, thotë Gjoshi.

Eugen Cakolli, nga Instituti Demokratik i Kosovës, thotë se pas publikimit të plotë të vendimit nga ana e Gjykatës Kushtetuese, presidentja Osmani duhet të emërojë anëtarin e dytë të PDK-së dhe të Vakatit në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.

Çdo vonesë tjetër, Cakolli shprehet se do të ndikojë negativisht në performancën e punës së KQZ-së dhe në përgatitjen e zgjedhjeve lokale.

“Posa vendimi të publikohet si i plotë dhe palëve t’iu dorëzohet i njëjti presidentja e vendit pa asnjë vonesë të vijojë me emërimin e anëtarëve që bazuar në Ligjin për zgjedhjet e përgjithshme do të duhej që anëtari i dytë t’i takojë PDK-së, ndërsa nga radhët e komuniteteve t’i takojë subjektit politik Vakat, i cili ka numrin më të madh të votave në mesin e komuniteteve tjera. Çfarëdo vonese tjetër do të ndikojë negativisht si në performancën e punës së KQZ-së për shkak se duke qenë një institucion kushtetues duhet t’u garantohet e drejta të gjitha subjekteve politike parlamentare që të jenë të përfaqësuara në këtë institucion, mirëpo edhe marrë parasysh faktin që pjesa më e madhe e vendimeve që do të merren tani në kohë të zgjedhjeve nga KQZ-ja kërkojnë shumicë të kualifikuar prej 2/3. Është e domosdoshme që të kompletohet për të evituar çfarëdo situate ku cilado palë do të mund ta bojkotonte punën e KQZ-së duke pamundësuar edhe vendimmarrjen”, shprehet ai.

Në anën tjetër, zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi, thotë se përkundër që aktualisht nuk kanë probleme me kuorumi në mbledhjet e KQZ-së, përbërja e plotë do ta lehtësonte punën e këtij institucioni.

“Sa i përket përbërjes së KQZ-së momentalisht KQZ ka në përbërje nëntë nga 11 anëtarët sa parasheh Kushtetuta e Republikës së Kosovës. Çka është me rëndësi për momentin kuorumi dhe arritja e vendimmarrjes është e mundshme në këtë përbërje, por sigurisht se përbërja e plotë e KQZ-së,në këtë rast prej 11 anëtarëve natyrisht se do ta lehtësonte punën e KQZ-së”, thotë Elezi.

Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani, më 12 maj të këtij viti ka emëruar tetë anëtarët e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, ndërsa për dy anëtarë i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese, e cila të premten e javës së kaluar e ka shpallur si të papranueshme kërkesën e saj.

 

error: Ku po shkon !!

Adblock Detected

Please consider supporting us by disabling your ad blocker