Helmimi masiv në Deçan, Kurti e Vitia ende asnjë fjalë

Të dy trupat e pa jetë, janë dërguar për obduksion për shkak se dyshohet se kanë vdekur si pasojë e helmimit nga uji i pijshëm, shkruan Rahoveci INFO.

Të helmuar nga uji i pijshëm në fshatrave të Komunës së Deçanit, po dyshohet se janë gati 900 qytetarë, një pjesë e së cilëve ka kërkuar ndihmë mjekësore dhe janë duke u trajtuar.

Kryetari i Komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj, dje ka deklaruar se helmimi mund të jetë edhe i qëllimshëm, pasi që ka thënë se kjo nuk është hera e parë që ndodhë diçka e tillë.

Nga krerët shtetëror, deri më tani ka reaguar vetëm presidentja Vjosa Osmani, ndërsa kryeministri Albin Kurti nuk është prononcuar ende rreth rastit që nxiti shumë reagime.

“Pres nga të gjitha institucionet angazhim të mëtejmë e të plotë në ofrimin e trajtimit adekuat shëndetësor për qytetarët e helmuar, si dhe zbardhjen e shkaqeve që kanë çuar në helmimin e qytetarëve. Një hetim nga organet e drejtësisë është i domosdoshëm dhe duhet të trajtohet me urgjencë”, ka shkruar Osmani në Facebook.

Në anën tjetër, Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, nuk ka folur ende për rastin dhe ashtu sikur kryeministri Kurti, ende nuk kanë vizituar Komunën e Deçanit për t’u takuar personalisht me kryetarin e kësaj komune dhe qytetarët e helmuar.

Drejtori i IKSHPK-së, Naser Ramadani, dje ka informuar opinionin se nga mostrat e dërguara në laborator dhe rezultatet nga analizat fiziko-kimike, rezultojnë në kufinjtë e lejuar në përputhje me parametrat e përcaktuara.

Ai ka thënë se brenda 24 orëve të para, në fshatrat Gramaqel, Prilep, Baballoq dhe Gllogjan janë shfaqur disa koloni të dyshimta të baktereve koliforme për të cilat nevojitet një hulumtim laboratorik, për të parë nëse ka ndonjë infektim gastrointestinal eventual.

Rahoveci INFO ka provuar të kontaktojë me zëdhënësin e kryeministrit Kurti, Përparim Kryeziu, për të kuptuar nëse deri më tani niveli qendror ka ndërmarrë ndonjë veprim rreth rastit, por ai nuk është përgjigjur.

Ndaj Kurtit dhe Vitisë kanë reaguar edhe zyrtarë nga partitë opozitare, të cilët kanë kritikuar neglizhencën e tyre ndaj rastit në fjalë. /Rahoveci INFO/

 

error: Ku po shkon !!

Adblock Detected

Please consider supporting us by disabling your ad blocker