BE: Përfundimi i dialogut Kosovë-Serbi varet nga aftësia e palëve për të gjetur kompromis

Por në kuadër të zhvillimit të dialogut, kryeministri i vendit, Albin Kurti dhe presidenti serb, Alekasandar Vuçiq do të takohen më 19 korrik në Bruksel.

Takimi i radhës në mes Kurtit dhe Vuçiq është konfirmuar nga zëdhënësi i Bashkimit Evropian për Siguri dhe Politikë të Jashtme, Peter Stano.

I kontaktuar nga Rahoveci INFO, Peter Stano ka deklaruar se bisedimet në Bruksel janë pjesë e një procesi të vazhdueshëm , por sa i përket Asociacionit dhe diskutimit të kësaj çështje në kuadër të dialogut Stano deklaroi se nuk mund të japin detaje shtesë para se procesi të përmbyllet.

“Bisedimet në Bruksel janë pjesë e një procesi të vazhdueshëm mbi të cilin ne nuk duam të japim detaje shtesë, para se të përmbyllet”, tha Stano.

Ndërsa lidhur me atë se a pritet të zgjasë ende procesi i dialogut dhe arritja e një marrëveshje finale në mes të dy shteteve, Stano theksoi se për këtë nuk vendosin afate artificiale, por që kjo varet nga aftësia e të dy palëve për të gjetur një kompromis të pranueshëm.

Stano poashtu theksoi se puna në kuadër të zhvillimit të dialogut Prishtinë-Beograd është duke vazhduar, por sa i përket takimeve në kuadër të kësaj presin kohën më të përshtatshme për t’i caktuar.

Ndryshe deklarata të shumta pati radhazi nga zyrtarët e Bashkimit Evropian si dhe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, përmes së cilave i sugjerohet Qeverisë së Kosovës që t’i qaset seriozisht zbatimit të Marrëveshjes së Brukselit, për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Zv/kryeministri i vendit, Besnik Bislimi ditë më parë deklaroi se çështja e Asociacionit nuk është përmendur në asnjë fjali të vetme në takimet e ndara apo të përbashkëta në Bruksel të cilat ai i zhvilloi gjatë vizitës së tij.

Bislimi madje tha se e vetmja çështje ku qëndrimi i Kosovës dhe i BE-së nuk ka qenë i njëjtë kishte të bënte me tabelat KS.

Procesi i dialogut Kosovës-Serbi, me lehtësimin e Bashkimit Evropian ka filluar në vitin 2011, si dialogu për çështje teknike, për të evoluar më pas në dialog të nivelit politik.

Raundi i fundit i dialogut u zhvillua gjatë muajit të kaluar.

Njëherësh me këtë rast ishte edhe takimi i parë që kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka zhvilluar me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, në kuadër të dialogut./Rahoveci INFO/

error: Ku po shkon !!

Adblock Detected

Please consider supporting us by disabling your ad blocker