Haradinaj për vizitë në Kukës: As partitë as kufijtë nuk do të na ndajnë asnjëherë

Haradinaj përmes një postimi në Facebook njoftoi se ka vizituar Bashkinë e Kukësit, Këshillin e Qarkut dhe Prefekturën, për të vazhduar në Muzeun Etnografik, Radio Kukësi, Spitalin Rajonal, lokalin e bashkëluftëtarit Musli Lleshaj që ishte pikëtakim i luftëtarëve të lirisë, si dhe në Vlahen te familja e Avdi Sokolit, tani më të ndjerë, që me të birin Yllin dhe bashkëfshatarët ishin pranë tij në ditë të vështira, pas rënies së Luanit.

Ai ndau fotografi nga vizita e sotme në të gjitha këto vende, teksa tha se as partitë e as kufijtë nuk do të na ndajnë asnjëherë.

Postimi i plotë:

“Në Kukës, djep i kulturës popullore shqiptare!
Vizitova Bashkinë, Këshillin e Qarkut dhe Prefekturën, për të vazhduar në Muzeun Etnografik, Radio Kukësi, Spitalin Rajonal, lokalin e bashkëluftëtarit Musli Lleshaj që ishte pikëtakim i luftëtarëve të lirisë, si dhe në Vlahen te familja e burrit të madh Avdi Sokoli, tani më të ndjerë, që me të birin Yllin dhe bashkëfshatarët ishin pranë meje në ditë të vështira, pas rënies së Luanit.
Emocional ishte çdo moment gjatë kësaj vizite, veçanërisht homazhet në Varrezat e Dëshmorëve të Atdheut.
Kukësi priti dhjetëra mijëra motra e vëllezër nga Kosova, të dëbuar nga pushtuesi gjatë Ekzodit të Madh të vitit 1999.
Shtëpitë e këtij populli bujar, ishin strehë edhe për luftëtarët e UÇK-së. Mbi to u hodhën me mijëra predha artilerie gjatë Luftës Çlirimtare të Kosovës. Përgjatë kufirit, armiku i përbashkët mbolli një numër të madh të minave, e që morën jetë e plagosën shumë banorë të zonës.
Vend i bukur, ashtu si të gjitha viset shqiptare, me burime, liqej, gurra, male e bjeshkë, monumente natyrale, kulturore dhe arkeologjike, Kukësi ka ruajtur traditat më të vjetra shqiptare ndër shekuj.
Sot udhëtova në kohë, në histori, natyrë e kulturë. Në qytetin e nominuar për çmimin Nobel për Paqe, gjeta të përjetësuar në përmendore, emra të shkollave e rrugëve, shumë heronj kombëtar si Bajram Curri, Hasan Prishtina e Shote Galica.
Me të drejtë ky qytet me dëshmi civilizimi mbi 6000 vjeçar, quhet edhe Qyteti i Tulipanëve, por këndej rriten edhe qindra lloje të bimëve mjekësore e aromatike. Shijova edhe gatimet e Kukësit, të përgatitura me shumë mjeshtri sipas traditave të vendit.
Radio Kukësi, që nga vitet e ‘60-a, promovoi tek shqiptarët që gjendeshin nën okupim, ndjenjën kombëtare, gjuhën, kulturën dhe historinë tonë të lavdishme. Spitali i tyre, trajtoi qindra luftëtarë të plagosur të UÇK-së, por edhe shumë banorë vendas, që pësuan nga dora barbare.
Kisha kënaqësinë që të ndajë medaljen “ME BESIM NË ZOT, ATDHE E SHTET” për kryetarin e Bashkisë Safet Gjici, kryetarin e Këshillit të Qarkut Abdullah Domi, Prefektin Zenel Kuçana, Radio Kukësin, Spitalin Rajonal të Kukësit, z. Musli Lleshaj, fshatin Vlahen dhe z. Avdi Sokoli (post mortem).
Mirënjohja dhe falënderimi ynë për popullin e Qarkut të Kukësit është i përjetshëm dhe nuk e mund harresa e as kalimi i viteve. As partitë e as kufijtë nuk do të na ndajnë asnjëherë!
RH”. /Rahoveci INFO/
error: Ku po shkon !!

Adblock Detected

Please consider supporting us by disabling your ad blocker