Kurti s’kthehet fare në Kosovë, në takim me Vuçiqin shkon direkt nga Franca

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tash e nëntë ditë gjendet jashtë Kosovës, pasi fillimisht udhëtoi në Greqi për një vizitë zyrtare, e më pastaj në Francë.

Më 8 korrik, Kurti kishte udhëtuar drejt Greqisë, ku mori pjesë në një tryezë të organizuar nga “The Economist” e më pastaj ishte pjesëmarrës në simpoziumin “SYMI 2021” në Athinë.

Pas këtij udhëtimi, destinacioni i radhës i kryeministrit ishte Franca, saktësisht Festivali i Filmit në Kanë.

Por, as pas Francës, Kurti nuk do të kthehet në Kosovë, pasi nesër (e diel), ai do të udhëtojë për në Belgjikë, për takimin e radhës me delegacionin serb në Bruksel.

Kjo është konfirmuar edhe nga zyra e kryeministrit, ku njoftojnë se udhëtimi i tij bëhet për takimin e  radhës që ka me Vuçiqin, të hënën më 19 korrik.

“Kryeministri Kurti nesër do të udhëtojë për në Bruksel për takimin e paralajmëruar me z.Vuçiq”, thuhet në përgjigjen e zyrës së kryeministrit.

Takimi i së hënës do të fillojë në orën 14:00, fillimisht delegacioni i Kosovës dhe ai serb do të takohet me ndërmjetësuesit e BE-së Josep Borrell dhe Miroslav Lajçak dhe më pas do të pasojë një takim trepalësh. /Rahoveci INFO/

error: Ku po shkon !!

Adblock Detected

Please consider supporting us by disabling your ad blocker