Abdixhiku për qeverinë Kurti: Ka zëvendësim të një kushëriri me një tjetër

Lumir Abdixhiku në një intervistë për Express, ka kritikuar Qeverinë Kurti, duke e quajtur edhe njëherë qeveri praktikantësh, pasi sipas tij nuk dinë.

Në këtë intervistë i pari i LDK’së është pyetur në njërën nga pyetjet, se cilat janë tri pikat kryesore që ai mendon se ka ngecje Qeveria Kurti.

Abdixhiku më pas ka renditur skandalet e Qeverisë, derisa ka thënë se ata nuk po dinë të udhëheqin.

“Me të drejtë i kam quajtur qeveri praktikantësh – sepse nuk dinë. Skandali me tiketat ngjitëse, pra ku nënshkruhet një tender korruptiv, e më pas anulohet me pretekstin se duhet analizë, pas nënshkrimit – tregon se sa pak dinë. Këtë edhe kam pritur. Por çfarë s’kam pritur ka qenë rikapja e bordeve me familjarë, për çka replikojnë “Pronton” në tërësi. Këtu nuk dallojnë. Shihni Bordet e “Ibër Lepencit”, të “Postës” e të “Telekomit”. Janë të kapura nga familjarë partiakësh të pushtetit. Tani, çfarë dallon një kapje e tillë nga ajo çfarë kemi patur deri më tani?! Nuk kam pritur as arrogancën e pushtetit jo ndaj partive opozitare; por ndaj qytetarëve. As atëherë kur ndodhin punësimet familjare, as atëherë kur nënshkruheshin kontrata korruptive, as atëherë kur ndodhnin fatkeqësi – as atëherë kur një ministër qeverie i bën katër muaj pa prezantuar asnjë punë të vetme të tij e saj. Kjo tregon se tani s’mërziten çfarë qytetarët mendojnë për ta. 14 shkurti vërtetë është ditë transformuese në Kosovë, por 14 shkurti s’është fundi; është veçse fillimi. Pra nga aty do të duhej të niste puna e një Qeverie që jo vetëm se ka ngritur pritjet e qytetarëve shumë; porse ka vërtetë probleme me të cilat duhet të merret me urgjencë, e probleme që prekin vendin tonë të përbashkët. Këta ende janë në fushatë. Popullistë në skajshmëri”, ka thënë Abdixhiku.

Për punësimet familjare, ai thotë se ‘ka zëvendësim të një kushëriri me një tjetër, nga një parti në tjetrën’, por Kosova po mbetet ashtu siç ka qenë tash e sa vjet.

“Ka zëvendësim të një kushëriri me një tjetër, nga një parti në tjetrën; Problemin kryesor të kësaj Qeverie e shoh tek mungesa e theksuar e vizionit dhe projekteve transformuese për vendin. Nuk ka nisma të mëdha, nuk ka plane për investime të mëdha, nuk ka rrugëtime politike të mëdha. Dhe nuk po flas për projekte të përfunduara, meqë është ende fillimi, por nuk ka as ide për to; s’flitet për to, s’mendohet për to. Sepse nuk janë. Nuk ekzistojnë. Pra mungon vizioni. Ka zëvendësim të një kushëriri me një tjetër; nga një parti në tjetrën; aty këtu ndonjë shkarkim – herë i merituara herë jo e kolektiv, por që në fund, po të mbeten vetëm këtu, e lënë Kosovën kështu siç është e siç ka qenë tash e sa vjet. Ka simbolikë. Numra vendimesh – sa vendime janë nxjerrë sot – por jo përmbajtje të tyre; pra çfarë këto vendime thellësisht ndryshojnë. Këtë punën e numrave të vendimeve e përdorin qeveritë e paafta. S’është risi”, ka thënë tutje Abdixhiku në këtë intervistë.

Ballina
RadioRahoveci
Video
Këmbimi
Moti
error: Ku po shkon !!