Avokati i shoferit të autobusit që shkaktoi tragjedinë: Mua s’më tha se e zuri gjumi

52-vjeçari do të mbrohet juridikisht edhe nga avokati tjetër Ljubo Pavasoviq Viskoviq.

“Në asnjë moment ai nuk më tha se e zuri gjumi”, tha Igor Cisper, avokati i shoferit, duke shtuar se nuk mund tregojë se çfarë i ka thënë klienti i tij.

Por të dielën, zëvendësi i Prokurorit Komunal të Shtetit në Kroaci, Slavko Pranjiq, tha seshoferi i kishte thënë se e kishte zënë gjumi për një moment gjatë vozitjes.

“Shoferi u arrestua nën dyshimin për drejtimin e automjetetit në mënyrë të papërshtatshme. Cilat janë arsyet për këtë, nuk mund të themi tani për tani. Ai deklaroi se e zuri gjumi për një moment, por ne do ta përcaktojmë atë më vonë” kishte deklaruar Pranjiq, transmeton express.

Shoferi i autobusit në të cilin dhjetë veta vdiqën dhe mbi 40 u lënduan afër qytetit Slavonski Brod në Kroaci u dërgua dje në Prokurori, ku u mbrojt në heshtje. Ai do të ndiqet penalisht me ligje të Kroacisë.

Siç raportoi policia dje, shoferi do të procedohet penalisht për dyshimin e kryerjes së veprës penale “shkaktimi i aksidentit të trafikut në trafikun rrugor”, për të cilin dënimi maksimal është deri në 15 vjet burgim.

Josip Mataija, shef i Shërbimit të Sigurisë në Trafik në Kraoci ishte mysafir në televizionin N1 ku foli drejtpërdrejt për aksidentin në të cilin vdiqën 10 shtetas të Kosovës. Ai tha se tragjedia do të ishte më e vogël nëse udhëtarët do të ishin lidhur me rripin e sigurisë.

Çfarë është vërtetuar deri më tani nga inspektimi?

Policia kroate tha të dielën se në orën 6:19 të mëngjesit pranoi raportin e aksidentit në autostradën A3 Bregana-Lipovac, në korsinë jugore, afër qytetit Slavonski Brod. Në deklaratën e Policisë është përshkruar se si autobusi me 67 pasagjerë dhe dy shoferë, doli nga autostrada.

“Gjatë hetimit, në prani të avokatit të shtetit, policia përcaktoi se aksidenti i trafikut ndodhi në atë mënyrë që një shtetas 52-vjeçar i Kosovës po voziste një autobus me dokumente dhe targa regjistrimi të Kosovës në korsinë jugore e A3 Bregana-Arruga nga perëndimi në lindje. Duke arritur në kilometrin e 211 të autostradës, shoferi nuk lëvizi në mes të korsisë së shënuar, por drejtoi automjetin në zonën me bar, dhe më pas autobusi u përmbys në anën e tij. Anëtarët e brigadave të zjarrfikësve dhe ekipet tjera emergjente ndërhynë në vendin e ngjarjes për t’i marrë trupat e të aksidentuarve”, thuhet në deklaratë.

Në këtë aksident trafiku, 10 persona vdiqën, 15 persona u lënduan rëndë, ndërsa 30 më lehtë. Të lënduarit u transportuan në spitalin rajonal në Slavonski Brod, ku po mbahen për trajtim të mëtejshëm mjekësor.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e ka shpallur të hënën ditë zie, për shkak të këtij aksidenti i cili ua mori jetën 10 personave, kryesisht mërmitarë që po vinin nga Gjermania për pushime në Kosovë.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, bashkë me disa prej ministrave ishte të dielën në Kroaci, ndërsa ambasadori i Kosovës në Kroaci, Gëzim Kasapolli kishte qenë paraprakisht në spitalin rajonal në Slavonski Brod, ku po marrin trajtim mbi 40 persona.

Sipas mediumit kroat, 24sata.hr, shoferët e autobusit nga Kosova që po bartte mërgimtarë nga Frankfurti për në Prishtinë para aksidentit kishin pushuar në Bregana për gjysmë ore. Aty ata ishin ndërruar dhe drejtimin e autobusit e kishte marrë shoferi tjetër. Supozohet se aksidenti është shkaktuar nga lodhja e shoferit.

Njëri nga shoferët i cili nuk po voziste në momentin tragjik, ka vdekur.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Adblock Detected

Please consider supporting us by disabling your ad blocker