Hapet pika e dytë kufitare mes Shqipërisë dhe Malit të Zi

Shqipëria dhe Mali i Zi tashmë kanë dy pika të përbashkëta kufitare.

Kryeministri Edi Rama së bashku me homologun e tij të Malit të Zi, Zdravko Krivokapiç inaguruan pikën kufitare “Grabom” në Vermosh. Rama tha se me hapjen e kësaj pike doganore lehtësohet kalimi i qytetarëve dhe mallrave mes dy vendeve, teksa u shpreh se në të ardhmen nuk do të jetë nevoja që qytetarët t’i nënshtohen kontrolleve dyfishe.

“Bie një tjetër mur mes nesh, mes Republikës së Shqipërisë dhe Malit të Zi. Është një lajm i mirë për të gjithë ata që e përdorin këtë rrugë dhe që nga sot kanë një pikë kalimi dinjitoze dhe një mundësi për të kaluar përmes kësaj pike duke u ndierë qytetarë të denjë të dy vendeve tona. Megjithatë nuk mjafton që të ndërtosh infrastrukturë dinjitoze dhe as të hapësh një pikë të re doganore nëse së bashku ne nuk i heqim të gjitha barrierat jo-tarifore”.

Kreu i qeverisë shqiptare foli dhe për projektet e ardhshme mes Shqipërisë dhe Malit të Zi, teksa ftoi qeverinë e shtetit fqinj që të bëhet pjesë e nismës “Ballkani i hapur”.

“Së shpejti siç kam folur në Tiranë me zv.kryeministrin Abazoviç, mikun tim Dritanin, ne do të angazhohemi për të ndërtuar urën që lidh Velipojën me pjesën e këtejme me Shtojën dhe unë nuk e kuptoj dot se si ne do të ndërtojmë një urë e cila është në radhë të parë një rrugë kalimi turistik dhe aty do të kemi përsëri kontrolle. Tanimë, pika doganore që na bashkon dhe nuk do të na ndajë më, është e hapur dhe uroj shumë që së bashku me Kryeministrin Krivokapiç, me zv.kryeministrin Abazoviç dhe me të gjithë qeverinë e Malit të Zi, ne të përparojmë me shpejtësi dhe Mali i Zi të përfshihet pa humbur kohë në iniciativën e “Ballkanit të hapur”.

Kryeministri i Malit të Zi, Zdravko Krivokapiç tha se pika e dytë kufitare e përbashkët forcon marrëdhëniet me Shqipërinë.

“Falë përpjekjeve tona të përbashkëta për rrugëtimin europian kemi këto pika kufitare të përbashkëta që dëshmojnë miqësinë dhe besimin mes dy vendeve tona dhe më e rëndësishmja iu mundësojnë qytetarëve që të kalojnë lirshëm pa pritur dhe pa humbur kohë në pikat kufitare”.

Pika doganore “Grabom” hapet në kuadër të lehtësimit të lëvizjes së qytetarëve dhe mallrave në vendet e rajonit. Shqipëria dhe Mali i Zi aktualisht kanë 5 porta hyrëse mes tyre, ndërsa pritet edhe hapja e një pike tjetër doganore pranë liqenit të Shkodrës./Klan

The post Hapet pika e dytë kufitare mes Shqipërisë dhe Malit të Zi appeared first on Rahoveci INFO.

error: Ku po shkon !!

Adblock Detected

Please consider supporting us by disabling your ad blocker