Vetëvendosje thotë se publikimi i kandidaturave për zgjedhjet lokale është çështje ditësh

Deri tani në KQZ kanë aplikuar vetëm pesë iniciativa qytetare, një parti politike dhe dy kandidatë të pavarur.

“Është duke vazhduar periudha e aplikimit të subjekteve politike për t’u certifikuar për pjesëmarrje në zgjedhjet lokale të 17 tetorit si dhe për dorëzimin e listës me emrat e kandidatëve për Kryetar Komune apo për Kuvende Komunale. Kjo periudhë përfundon më 16 gusht. Deri më tani kemi pranuar 8 aplikime të subjekteve politike, prej tyre 5 iniciativa qytetare, 1 parti politike dhe 2 kandidatë të pavarur”, ka thënë në një përgjigje për KosovaPress, zëdhënësi i KQZ-së Valmir Elezi.

E anëtari i kryesisë së Lëvizjes Vetëvendosje, Adnan Rrustemi i cili ditë më parë në një intervistë për KosovaPress, ka pranuar se e ka dorëzuar kandidaturën e tij në struktura të partisë për t’i hyrë garës për zgjedhjet e 17 tetorit, thotë se publikimi i kandidaturave për secilën komunë është çështje ditësh.

“Ne jemi në kuadër te procesit të zgjedhjeve të brendshme të kandidatëve për kryetar komunash, jemi në mes të këtij procesi, tashmë ato po shqyrtohen nga kryesia qendrore para se të kalojnë për tu votuar nëpër këshillat e qendrave, besoj që shumë shpejtë, është çështje ditësh që do të publikohen kandidaturat për secilën komunë. Natyrisht do të jenë kandidatë që do të mundësojnë fitoren e madhe edhe më 17 tetor”, thotë Rrustemi.

Ndërsa, Bekim Salihu nga Instituti GAP, thotë se deri tani partitë do të duhej t’i kishin të qarta listat me kandidatë me të cilët synojnë t’i futen garës për zgjedhjet lokale.

“Besoj se janë dy arsye pse partitë politike nuk i kanë nominuar në tërësi akoma disa kandidatë, ose kandidate për kryetar komunash, arsyeja e parë është fakti qe partitë politike bëjnë sondazhe dhe e masin opinionin publik se cili kandidat ose kandidate potenicale mund të ketë avantazh në terren dhe ndoshta janë duke i pritur rezultatet e fundit në këtë drejtim, dhe arsyeja e dytë e cila mund të jetë më e rëndësishme se kjo e para ka të bëjë me moskoncensusin e brendshëm partiak se kush të udhëheq me garën nëpër komuna, pra partitë politike në disa raste në disa komuna kanë treguar ose kanë reflektuar mospajtime të brendshme lidhur me emrat potencial që përmenden për të qenë udhëheqës të garës për të marrë pozitën e kryetarit të komunës”, thotë Salihu.

Zgjedhjet lokale në Kosovë pritet të mbahen më 17 tetor të këtij viti. Për këto zgjedhje do të mbahet fushatë zgjedhore 30 ditë.

Ballina
Raporto
Video
Këmbimi
Moti
error: Ku po shkon !!

Adblock Detected

Please consider supporting us by disabling your ad blocker