Pa detaje rreth strehimit të afganëve

Këtë e ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë, një zëdhënës i Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë.

“Ne mund të konfirmojmë se Qeveria amerikane është në bisedime me Qeverinë e Kosovës lidhur me atë se si Kosova mund të ndihmojë partnerët amerikanë në Afganistan. Tash për tash nuk mund t’iu japim më shumë detaje”, thuhet në përgjigjen me shkrim që zëdhënësi i Ambasadës së SHBA-së në Prishtinë, ia ka dhënë Radios Evropa e Lirë.

Kosova do të strehojë afganët “pa hezitim”

Institucionet në Kosovë janë shprehur të gatshme të strehojnë qytetarët afganë, pas komunikimeve që ata thonë se kanë pasur me autoritetet amerikane.

Të dielën, më 15 gusht, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka deklaruar se më 16 korrik është kontaktuar nga ambasadori amerikan në Prishtinë, Philip Kosnett, i cili ia ka përcjellë kërkesën e presidentit Joe Biden, që Kosova të strehojë përkohësisht civilët afganë, kërkesë të cilën ajo tha se e ka pranuar “pa asnjë hezitim”. Ajo tha se “Kosova e respekton të drejtën ndërkombëtare dhe obligimin që rrjedh nga ajo për mos t’i mbyllur derën refugjatëve”.

Presidentja Osmani tha se Qeveria e Kosovës ka formuar një grup punues që do të merret me çështjet organizative, në bashkëpunim me partnerët amerikanë.

Qeveria e Kosovës, po ashtu ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë se sa i përket strehimit të afganëve, kanë bashkëpunuar me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Në një përgjigje dhënë Radios Evropa e Lirë, Luan Dalipi shefi i stafit të kryeministrit të Kosovës, tha se “gjithçka do të përmbyllet mirë”.

“Ka shumë punë logjistike e teknike, të sigurisë dhe sociale, që po i trajtojmë me kujdes. SHBA-ja është aleatja jonë kryesore dhe partnerja jonë strategjike”, tha Dalipi.

Institucionet pa përgjigje për përgatitjet

Radio Evropa e Lirë, më 16 gusht u ka shkruar zyrtarëve të kabinetit të presidentes Vjosa Osmani, por edhe zyrtarëve të Zyrës së kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, për të mësuar për më të rejat lidhur me procesin e krijimit të mundësive për strehimin e qytetarëve afganë, por ata nuk kanë dhënë përgjigje.

Radio Evropa e Lirë i është drejtuar Qendrës për Azil, për të mësuar nëse kanë nisur përgatitjet eventuale për pranimin e qytetarëve afganë, si dhe për kapacitetet e mundshme të strehimit. Por, drejtuesit e kësaj qendre kanë thënë se për të gjitha pyetjet lidhur me këtë çështje, duhet drejtuar në Ministrinë e Punëve të Brendshme të Qeverisë së Kosovës.

Zyrtarë të kabinetit të ministrit të Punëve të Brendshme të Kosovë, Xhelal Sveçla, të cilët janë kontaktuar nga Radio Evropa e Lirë, kanë theksuar se së shpejti ministri Sveçla do të mbajë një konferencë për media, për t’iu përgjigjur pyetjeve të shumta lidhur me çështjen e strehimit të një numri të qytetarëve afganë.

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD), ka thënë se është duke vazhduar angazhimin intensiv për të identifikuar dhe ndihmuar shtetasit e Kosovës që ndodhen në Afganistan me qëllim të largimit sa më të shpejt nga atje.

“Deri në mesditën e së hënës, MPJD është në kontakt të drejtpërdrejt me tre shtetas dhe po angazhohet për t’ju dalë në ndihmë. Ata janë në gjendje të mirë dhe nuk janë të rrezikuar”, thuhet në komunikatën e MPJD-së.

Kjo ministri po ashtu ka vënë në dispozicion numrin kontaktues: +383 45 492 316, ku të gjithë qytetarët e Kosovës mund të thërrasin për të marrë udhëzimet dhe ndihmën e nevojshme.

Shqipëria tregon gatishmëri për strehim të qindra afganëve

Shqipëria është e gatshme të strehojë qindra qytetarë afganë të cilët po largohen nga Afganistani, duke u bërë pjesë e listës së dhjetëra shteteve që janë zotuar të pranojnë afganët që kërkojnë të arratisen nga vendi pas krizës së krijuar.

Ministrja e Punëve të Jashtme, Olta Xhaçka përmes një postimi në Twitter, më 16 gusht, bëri me dije se Shqipëria është e gatshme të strehojë qindra afganë dhe të sigurojë mirëqenien e tyre.

“Shqipëria është gati të presë qindra afganë jetët e të cilëve janë të kërcënuara nga situata e sigurisë në përkeqësim. Në qëndrojmë krah aleatëve tanë, të gatshëm të garantojmë sigurinë dhe mirëqenien e tyre”, shkroi Xhaçka.

Zëri i Amerikës raporton se grupi i parë prej 250 afganësh, pritet të arrijnë në Shqipëri brenda kësaj jave. Burimet diplomatike i kanë thënë Zërit të Amerikës se bëhet fjalë për përkthyes dhe bashkëpunëtorë të niveleve të ndryshëm të strukturave amerikane në Afganistan. Ata do të transferohen së bashku me familjet e tyre.

Më herët, të dielën, më 15 gusht, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, konfirmoi se ditët e fundit, Qeveria e Shteteve të Bashkuara ka kërkuar nga Shqipëria që të shërbejë si vend transit për emigrantët politikë afganë.

“Pa diskutim që ne nuk do të themi jo, e jo thjesht pse na e kërkojnë aleatët tanë të mëdhenj, po sepse ne jemi Shqipëria”, ka shkruar kryeministri Rama në Facebook.

Ndërkohë, Ministria e Punëve të Jashtme ka bërë të ditur se një shtetase shqiptare, e punësuar në një kompani të huaj, ndodhet në Afganistan.

Autoritetet thanë se ajo ka kontaktuar me Ambasadën e Shqipërisë dhe shtojnë se janë aktivizuar dhe po punojnë për nxjerrjen e saj në Afganistan.

Maqedonia e Veriut po bën përgatitjet për të pranuar civilët afganë

Maqedonia e Veriut, po ashtu i është përgjigjur pozitivisht thirrjeve të autoriteteve amerikane për strehimin e qytetarëve afganë.

Bujar Osmani, ministër i Punëve të Jashtme i Maqedonisë së Veriut, ka deklaruar për Radion Evropa e Lirë se autoritetet po bëjnë përgatitje për strehimin e afganëve.

“Qeveria në komunikim me partnerët amerikanë dhe të NATO-s ka ofruar të strehojë civilë afganë të cilët ikin nga zhvillimet atje dhe po bëjmë të gjitha përgatitjet e nevojshme për pranimin e tyre”, tha Osmani.

SHBA-ja lavdëron Kosovën dhe Shqipërinë

Zyrtarë të Shteteve të Bashkuara kanë mirëpritur vendimin e Kosovës dhe Shqipërisë që të strehojnë përkohësisht afganët, që bashkëpunuan me forcat amerikane, teksa talibanët kanë marrë nën kontroll pothuajse tërë territorin e Afganistanit.

Departamenti amerikan i Shtetit tha se Kosova i është bashkuar thirrjeve për largimin e sigurt të njerëzve nga Afganistani.

Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shqipëri, Yuri Kim, ka reaguar në lidhje me gatishmërinë e Shqipërisë për të strehuar refugjatët afganë.

“BESA – kur ka më shumë rëndësi, populli shqiptar tregon gjithmonë nder, guxim dhe mirësi. Ne jemi krenarë t’ju quajmë mikun dhe aleatin tonë”, shkruan ambasadorja në Twitter.

 

Ish-sekretarja amerikane e Shtetit, Madeleine Albright ka përgëzuar Kosovën, Shqipërinë, por edhe Maqedoninë e Veriut për gatishmërinë e tyre për të strehuar afganët, jeta e të cilëve rrezikohet nga talibanët. Ajo ka shprehur mirënjohjen e saj, duke thënë që shpreson që këtë shembull do ta ndjekin edhe vendet tjera.

Komiteti për Marrëdhënie me Jashtë i Senatit amerikan ka shkruar se mirëpret vendimin e Qeverisë së Shqipërisë që të strehojë afganët.

“Populli i Shqipërisë dhe njëherë i ka treguar botës se çfarë nënkupton Besa. Ju keni respektin dhe falënderimin tonë”, thuhet në një postim në Twitter të këtij komiteti.

Talibanët kanë pretenduar fitoren në Afganistan, më 15 gusht, pasi kanë marrë kontrollin e kryeqytetit, Kabulit, pas gati 20 vjetëve të dhënies fund të prezencës ushtarake të forcave të udhëhequra nga Shtetet e Bashkuara.

error: Ku po shkon !!

Adblock Detected

Please consider supporting us by disabling your ad blocker