​Ministrja e Drejtësisë e quan të papranueshëm bojkotin e gjyqtarëve në veri

E para e drejtësisë në një konferencë për media theksoi se ka pasur komunikim me kryesuesin e Këshillit Gjyqësor për të adresuar këtë problem.“Për mua është e papranueshme që gjyqtarët të bojkotojnë punën e tyre për shkak të vendimeve qoftë të pushtetit ekzekutiv apo gjyqësor. Në këtë rast është rasti i dytë, së pari kemi pasur bojkot të punës kur është vendosur tarifa ndaj mallrave serbe dhe tani kemi bojkot të punës së tyre për shkak të vendimit të Gjykatës së Apelit ku e konfirmon vendimin e shkallës së parë për Ivan Todosijeviq për nxitje të urrejtjes”, ka thënë ajo.

Ditën e djeshme Gjykata e Apelit ia vërtetoi dënimin prej dy viteve burgim, ish-ministrit të Administrimit të Pushtetit Lokal, të dënuar për nxitje të urrejtjes dhe përçarjes.

Gjatë ditës së sotme gjyqtarët e nacionalitetit serb që shërbejnë në Gjykatën e Mitrovicës në Veri, e kanë bojkotuar punën në shenjë revolte lidhur me vërtetimin e dënimit të ish-ministrit serb, Ivan Todosijeviq.

Haxhiu ka folur për vendimet që janë marrë sot në mbledhjen e kabinetit qeveritar. Ajo ka shtuar se përmes ndryshimeve që kanë bërë, është e mundur që të ofrohet ndihmë juridike falas viktimave të dhunës në familje, atyre seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë, e po ashtu ato të cilat kanë qenë pre e trafikimit.

“Duke pasur parasysh kërkesat e shumta në procedimin e Kodit të Procedurës Penale, ne kemi arritur si Ministri e Drejtësisë që të finalizojmë draftin e Kodit të Procedurës Penale dhe sot qeveria e ka proceduar atë në Kuvendin e Kosovës… Gjykimi në mungesë, jo vetëm tash për krimet e luftës, por gjykimi në mungesë do të lejohet për të gjitha veprat penale të parapara në Kodin Penal të Kosovës. Dhe askush nuk do të ketë më mundësinë t’i shmanget drejtësisë. Ne kemi paraparë përmes draftit të Kodit të Procedurës Penale që personat të cilat do të akuzohen për rastet e korrupsionit, apo krimit të organizuar do të suspendohen nga detyra, por edhe për të gjitha veprat tjera penale”, tha Haxhiu.

Për më tepër, ministrja Haxhiu ka bërë të ditur se sot është proceduar edhe ndryshimi i projektligjit për provimin e jurisprudencës, ku janë bërë lehtësira sa i përket kandidatëve të cilët vijnë nga Lugina e Preshevës.

Ajo ka thënë se vendimi i sotëm për Projektligjin për ndryshim dhe plotësimin e ligjit për administrimin e pasurisë së sekuestruar dhe konfiskuar nuk ka të bëjë me shqyrtimin dhe konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme.

Sipas saj, me vendimin e sotëm Ministria e Drejtësisë do të ketë të drejtën e shitjeve dhe dhënies në qira të aseteve apo pasurisë së luajtshme apo të paluajtshme.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Adblock Detected

Please consider supporting us by disabling your ad blocker