Lladrovci: Nuk kam kundërshtarë të fortë në këto zgjedhje

Lladrovci është shprehur i bindur që do të udhëheq me Drenasin edhe për një mandat, ndonëse ka disa javë që po raportohet se vet dega e PDK-së në këtë komunë është përçarë.

“Nuk kam kundërshtarë të fortë. Unë i vlerësoj të gjithë kundërshtarët sepse janë në garë, por nuk kam dhe nuk pres të kem kundërshtarë të fortë,” – ka thënë Lladrovci në ATV.

Sipas tij, situata në degën e PDK-së në Drenas nuk është “pikë e pesë” ashtu siç po raportohet, por nuk e mohon faktin se ka njerëz brenda partisë që nuk e shohin atë si të denjë për të udhëhequr në katër vitet e ardhshme.

“Nuk kisha me thënë që jemi bërë ‘pikë e pesë’. Sigurisht, brenda partisë time ka njerëz që nuk më duan mua në qeverisjen në Drenas. I kanë arsyet e veta ata përse nuk më duan sepse nuk iu kam dhënë hapësirë në keq bërje në komunë. Për mua është mbi të gjitha ligji. Edhe kur kam ardhur në 2016-n, edhe në 2017-n i kam pasur të njëjtit kundërshtarë të cilët më kanë kundërshtuar dhe nuk kanë pasur dëshirë që të më kenë në qeverisje sepse e kanë parë që qeverisi unë, nuk qeverisin ata jashtë me mua, por qeveris unë,” – u shpreh tutje ai.

Lladrovci, komuna e të cilit doli e para në garën për performancën më të mirë për vitin fiskal 2021, ka treguar që vendimet për Drenasin i merr vet, përndryshe do t’i kërkohej nga udhëheqësit e PDK-së që të punësonte njerëz.

“Ata janë mësuar me e pas dikë që iu thotë, bëje këtë punë, bëje atë punë ose fute këtë njeri në punë, fute atë njëri në punë, kështu që tek unë këto kanë marrë fund dhe normal që ata nuk e preferojnë qeverisjen time sepse nuk është në shërbim të tyre,” – shtoi Lladrovci.

Kujtojmë që Driton Ajazi, kundërshtari i Lladrovcit dikur në PDK, e që tash kandidon për kryetar me Iniciativën Dekada e Re, e ka quajtur këtë të fundit qesharak dhe e ka akuzuar për keqpërdorim të pushtetit.

Ai në emisionin “DIREKT” në ATV pat deklaruar se Lladrovci i ka larguar nga “Feronikeli” disa kontraktorë për t’i zëvendësuar me djemtë e tij, të cilëve, sipas Ajazit, u ka lëshuar kontrata milionëshe.

Ballina
RadioRahoveci
Video
Këmbimi
Moti
error: Ku po shkon !!