Kjo është arsyeja pse disa kryetarë komunash nuk po i shkojnë në takim Kurtit

Në këtë takim është raportuar se do të flitet për situatën me COVID-19 në komuna dhe masat e reja të miratuara nga Qeveria e Kosovës.

Por, kundër pjesëmarrjes në këtë takim është shprehur Asociacioni i Komunave të Kosovës, Bordi i së cilës iu ka bërë thirrje kryetarëve të komunave që të refuzojnë ftesën nga kryeministri Kurti, pasi që ky i fundit i ka përjashtuar nga Komiteti për menaxhimin e pandemisë i cili u themelua nga Qeveria pas përkeqësimit të situatës me virusin COVID-19.

Deri më tani, mos-pjesëmarrjen në mbledhje e ka konfirmuar kryetari i Suharekës, Bali Muharremaj.

“Kemi respektuar thirrjen e Asociacionit të Komunave të Kosovës për të mos marrë pjesë në takimin e thirrur nga kryeministri Kurti”, kanë thënë nga Komuna e Suharekës për Rahoveci INFO.

Në takim nuk do të marrë pjesë as kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, i cili në një prononcim për Rahoveci INFO ka thënë se do të respektojë plotësisht kërkesën e AKK-së për mospjesëmarrje në takim me kryeministrin Kurti.

Në anën tjetër, kryetarët që ju kanë përgjigjur pozitivisht ftesës së Kurtit për takim janë ai i Prizrenit, Mytaher Haskuka dhe nënkryetari i Ferizajt, Arton Gavazi, pasi që kryetari i kësaj komune ka rast vdekje.

Kujtojmë se së fundmi Qeveria ka themeluar edhe Komitetin për menaxhimin e situatës me pandeminë COVID-19, ku nuk janë përfshirë përfaqësues të komunave.

Komiteti është themeluar pas ngritjes alarmante të numrit të të infektuarve dhe viktimave nga koronavirusi. /Rahoveci INFO/

 

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Adblock Detected

Please consider supporting us by disabling your ad blocker