LDK amneston Osmanin përkundër insistimit të PDK-së: Çështja “Daka” mbetet pa u dërguar në Kushtetuese

Vendimin e presidentes Osmani e kishin kritikuar partitë opozitare të Kuvendit të Kosovës, e disa kishin paralajmëruar edhe dërgimin e kësaj çështje në Gjykatën Kushtetuese.

Mirëpo, deri tash kjo çështje ka mbetur në harresë.

Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashi, në një prononcim për Rahoveci INFO ka thënë se LDK-ja nuk ka paralajmëruar dërgimin e lëndës në Kushtetuese, por ka deklaruar se këtë çështje duhet ta trajtojë Avokati i Popullit.

“Ne nuk kemi thënë se do ta dërgojmë në Kushtetuese. Ne kemi thënë se Avokati i Popullit duhet ta trajtojë këtë çështje e ta dërgojë në Kushtetuese dhe po ashtu edhe vetë zonja Valdete Daka, e cila është një juriste e shquar, duhet ta trajtojë këtë çështje”, ka deklaruar Gashi.

Në anën tjetër, shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, ka deklaruar se lënda për dërgimin e çështjes së shkarkimit të Valdete Dakës nuk është dërguar në Gjykatën Kushtetuese për shkak të mungesës së numrave në Kuvend.

Ai ka thënë se nuk kanë pasur ndonjë bashkëpunim me LDK-në për çështjen e shkarkimit të ish-kryetares së KQZ-së.

“Jo nuk kemi pasur ndonjë bashkëpunim, ata e kanë shprehur qartë qëndrimin e tyre dhe nuk mund të flas në emrin e tyre. Deri më tani nuk është proceduar si lëndë për shkak të mungesës së nënshkrimeve të deputetëve”, ka deklaruar Tahiri për Rahoveci INFO.

Ish-kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka, pas shkarkimit të saj kishte paralajmëruar se nëse ekziston ndonjë mundësi, nuk do të hezitojë ta dërgojë çështjen në Gjykatën Kushtetuese.

“Në qoftë se ka mundësi do t’i drejtohem edhe Gjykatës Kushtetuese. Do t’i shqyrtoj të gjitha mundësitë dhe duke marrë parasysh që edhe vetë jam gjyqtare, i di do punë juridike, do t’i drejtohem gjykatës kompetente në këtë rast”, kishte deklaruar Daka.

Kujtojmë se Daka kishte qenë kryetare e KQZ-së që nga viti 2013. /Rahoveci INFO/

Ballina
RadioRahoveci
Video
Këmbimi
Moti
error: Ku po shkon !!