Osmani i kërkon ndihmë presidentit gjerman për t’i siguruar Kosovës njohje të reja

Ajo në një postim në Facebook ka shkruar se raportet ndërmjet dy shteteve kanë qenë dhe do të mbeten përherë strategjike.

“Theksova nevojën e madhe për vazhdimin e kësaj mbështetje në rrugëtimin e Kosovës drejt anëtarësimit në organizata të rëndësishme ndërkombëtare, sigurimin e njohjeve të reja, si dhe për liberalizim të vizave për qytetarët tanë”, shkruan Osmani.

Postimi i plotë:

Në një pritje të shkëlqyeshme dhe takim përmbajtësor me Presidentin e Republikës Federale të Gjermanisë, z. Frank-Walter Steinmeier diskutuam për raportet ndërmjet dy vendeve tona, të cilat kanë qenë dhe do të mbeten përherë strategjike.

Në takim e falënderova Presidentin Steinmeier për mbështetjen e vazhdueshme të Gjermanisë në ditë të mira dhe ato të vështira e në veçanti për mbështetjen drejt konsolidimit të subjektivitetit ndërkombëtar të Republikës sonë. Theksova nevojën e madhe për vazhdimin e kësaj mbështetje në rrugëtimin e Kosovës drejt anëtarësimit në organizata të rëndësishme ndërkombëtare, sigurimin e njohjeve të reja, si dhe për liberalizim të vizave për qytetarët tanë.

Diskutuam sot për tema të ndryshme e në fokus ishte po ashtu bashkëpunimi për rritjen e investimeve të huaja gjermane. Tutje, diskutuam edhe për angazhimin e Kosovës në fushën e bashkëpunimit rajonal, si dhe interesimin për nënshkrimin e disa marrëveshjeve të rëndësishme bilaterale me Gjermaninë.

Duke diskutuar rëndësinë e bashkëpunimit rajonal për perspektivën evropiane të Ballkanit Perëndimor, theksova se Procesi i Berlinit ka qenë shtysë e fuqishme në këtë drejtim.

Potencova se çdo ide tjetër që synon të jetë paralele me zgjerimin e BE-së dhe Procesin e Berlinit, duke minuar parimin e pjesëmarrjes së barabartë të shteteve të Ballkanit Perëndimor, nuk do ta ketë mbështetjen e Republikës së Kosovës.

Mirënjohëse pafund për fjalët inkurajuese dhe bisedën konstruktive e tejet premtuese!. /Rahoveci INFO/

error: Ku po shkon !!

Adblock Detected

Please consider supporting us by disabling your ad blocker