Eksperti amerikan: Rinisja e ç’njohjeve ishte arsyeja pse Serbia krijoi krizën në Veri të Kosovës

Sipas ekspertit amerikan për çështjet ruse, George Barros, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, ka shfrytëzuar “me mjeshtëri” vendimin e Qeverisë së Kosovës duke krijuar artificialisht krizë në Veri të vendit, duke paraqitur serbët si viktima të Prishtinës zyrtare.

Kriza artificiale e ngritur nga Serbia, ishte me qëllim të provokimit të një krize më të gjerë thuhet në raportin e Barros të  publikuar nga Institutit për Studime të Luftërave (ISW).

Barros në analizën e tij ka bërë një trajtesë të situatës në Kosovë. Nga 20 shtatori, Kosova filloi të vendoste tabela të përkohshme për veturat me targa të Serbisë që hynin në territorin e saj. Vendimi ishte marrë pas skadimit të marrëveshjes së Brukselit të vitit 2016, marrëveshje kjo që nuk ishte zbatuar nga Serbia.

Dërgimi në veri i Njësisë Speciale Operative të Policisë së Kosovës për mbrojtjen e vendimit të ndërmarr nga ana e qeverisë  nxiti reagim të serbëve duke bllokuar rrugët kryesore atje, të cilat dërgojnë në vendkalimet kufitare në Jarinje e Bërnjak, transmeton albanianpost.

Eksperti amerikan, Barrosi në analizën e tij ka përmendur provokimet e Serbisë me demonstrime ushtarake.

“Ministri i Mbrojtjes i Serbisë ka thënë se trupat serbe ishin të gatshme të mbronin serbët, duke ngritur gatishmërinë e Forcave të Armatosura të Serbisë dhe duke vizituar bazat ushtarake në afërsi të kufirit me Kosovën më 23 shtator. Forcat serbe dërguan disa mjete ushtarake në mes të 23 dhe 27 shtatorit, përfshirë tanke, aeroplanë luftarakë e helikopterë si demonstrim të forcës. Aeroplanët luftarakë të Serbisë iu afruan kufirit të Kosovës për herë të parë që nga fundi i luftës më 1999”, ka shkruar ai në raport.

Barros ka shkruar gjithashtu se Kremlini synoi intensifikimin e protestave (në Veri) në Kosovë duke dërguar atje njerëz të infiltruar. Ai ka thënë se ishte Policia e Kosovës ajo që ka arritur të ndalte ‘dy gazetarë’ rusë që u përpoqën të mbulonin krizën në vend.

Kurse Ministria e Jashtme e Rusisë lëshoi komunikatë duke akuzuar shqiptarët për “provokime” ndaj gazetarëve rusë. Madje, Rusia shkoi një hap tutje, duke akuzuar edhe mediat kosovare se po përdorin incidentin për të akuzuar Rusinë për spiunazh.

Në analizën e tij, Barros tregon për përpjekjet e NATO-s dhe të Republikës së Kosovës për shtensionimin e situatës në Veri.

Në raport shkruan se më 27 shtator kishte filluar patrullimi në masë më të madhe i KFOR-it në Veri. Ndërsa si përpjekje të Kosovës për shtensionim të situatës së krijuar, ai ka përmendur deklaratën e kryeministrit, Albin Kurti, e cila thoshte se vendimi për reciprocitet s’është kundër etnisë serbe në Veri e as në hapësirat e tjera të territorit të Kosovës.

Edhe marrëveshja e 30 shtatorit e arritur në Bruksel mes Kosovës dhe Serbisë nën ndërmjetësimin e të deleguarit special të Bashkimit Evropian, Mirosllav Lajçak, është pjesë e raportit.

Sipas Barros, edhe pse marrëveshja kërkon ri-takim të Kosovës dhe Serbisë në Brukel më 21 tetor, si nismë për të arritur një marrëveshje të përhershme brenda gjashtë muajsh për targat,  është Vuçiç ai i cili mund të prish gjithçka.

“Vuçiçi mund të vendosë për të eskaluar sërish situatën para këtij afati”.

Sipas raportit, BE ka ndërruar deklarim lidhur me Serbinë, pikërisht në ditën kur është arritur marrëveshja.

“Vuçiçi u takua me presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, më 30 shtator, në ditën kur u arrit marrëveshje për shtensionim. Pas takimit, Ursula von der Leyen vlerësoi përparimin e supozuar të Serbisë në reformat e sundimit të ligjit. Ky ishte ndryshim domethënës i retorikës së BE-së për reformat e Serbisë”.

“Raporti më i fundit i Parlamentit Evropian i marsit 2021 spikati se Serbia po tërhiqet nga reformat. Serbia s’ka bërë asnjë reformë që nga marsi i 2021-s, për dallim nga deklarimet e 30 shtatorit të von der Leyenit”, shkruan në raport.

Në raport, Barros përmend arsyet se pse Vuçiçi ka krijuar në mënyrë artificiale eskalimin e situatës tani në mënyrë që ta shfrytëzojë atë në të ardhmen.

Sipas tij, Vuçiçi e ka krijuar situatën e tensionuar tash në mënyrë që Serbia të “shmangë” tri sfida.

Së pari ai ka përmendur përfundimin e moratoriumit njëvjeçar të Marrëveshjes së Uashingtonit (e cila ka skadoi me 4 shtator sa i përket lobimeve nga të dy shtetet), me të cilin Serbisë i ishte ndaluar lobimi për të kërkuar ç’njohje të shtetësisë së Kosovës, ndërsa Kosovës i ndalohej aplikimi për pranim në organizatat ndërkombëtare.

Së dyti, intensifikimi i presionit evropian mbi Serbinë për mungesë reformash.

Dhe pika e tretë sipas tij ishte se në Serbi zgjedhjet e reja do të mbahen në prill të vitit 2022.

“Vuçiçi synon të mbajë pozicionin e tij të fortë në politikën serbe pas fitores së partisë së tij në zgjedhjet parlamentare të vitit 2020”, thuhet në raport.

Çështje të cilat mund t’i avancojë Vuçiçi në të ardhmen sa i përket çështjes së tensioneve në Veri të Kosovës janë:

Të krijohen kushte të favorshme për Serbinë për të ri-nisur dhe intensifikuar fushatën e ç’njohjeve ndaj Kosovës.

“Vuçiçi po përpiqet të diktojë çdo kompromis të mundshëm të së ardhmes me Kosovën pas skadimit të marrëveshjes me SHBA-në, me kushte të preferuara të Serbisë”.

Së dyti, mundësi që të kërcënohet Kosova që të mos vazhdojë përpjekjet për anëtarësime në organizata të ndryshme ndërkombëtare.

Së treti, krijimin e një situate të re e cila mund të eskaloj, Vuçiç sipas Barros mund ta shfrytëzojë për të zvogëluar presionet e BE-së për reformat.

Ai në këtë pikë parasheh edhe planet e serbe që të participoj në ushtrimet e përbashkëta ushtarake me Rusinë.

Ndërsa së katërti, ka të bëjë me zgjedhjet në Serbi.

Tensionimi i situatës në Veri të Kosovës mund ta përforcojë pozitën e Vuçiçit në pushtet.

Barros konsideron se shfaqja dhe manovrat ushtarake në afërsi të Kosovës ka prekur sentimentin e serbëve në atë mënyrë që  të vazhdojnë t’i konsiderojnë shqiptarët si armiq të tyre.

George Barros ka qenë këshilltar për çështjet që lidhen me Rusinë për një pjesëtar të Komitetit për Punë të Jashtme në Kongresin Amerikan.

Ndërsa Instituti për Studime të Luftës është themeluar në vitin 2007, dhe merret kryesisht me hulumtime dhe analiza për çështjet e mbrojtjes dhe të politikës së jashtme.

Ballina
RadioRahoveci
Video
Këmbimi
Moti
error: Ku po shkon !!