Petkoviq: Masat anti-damping kundër marrëveshjes së CEFTA-s

Ai ka deklaruar të shtunën se kjo nuk është hera e parë që Prishtina “vepron kundër rregullave të tregtisë”, raporton agjencia e lajmeve serbe Tanjug.

“As Beogradi nuk pati mundësinë të deklarojë dhe ofrojë argumentet e tij mbi masat anti-damping, siç parashikohet në nenin 22 të marrëveshjes CEFTA, as nuk u informuam për masat përmes mekanizmit CEFTA, por përmes mediave,” tha Petkoviq.

Ministrja e Industrisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, ka njoftuar se kanë marrë dy vendime për masa mbrojtëse antidamping ndaj disa produkteve nga Serbia.

Në një konferencë për media të premten, Hajdari bëri të ditur se njëri vendim cakton masën antidamping prej 3 centë për kilogramë në importin e koncentratit të kafshëve dhe shpezëve nga Serbia.

Ndërsa, vendimi tjetër cakton një masë antidamping prej 3 centë për njësitë e bllokut ndërtimor me origjinë nga Serbia.

Sias saj, dy vendimet janë marrë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës, teksa shton se kanë pasur edhe hetime paraprake për këtë.

“Vendimeve u kanë paraprirë hetimet e ndara dhe analizat e mirëfillta të departamentit të tregtisë i cili ka vepruar sipas kërkesave të prodhuesit vendor. Fillimi i hetimeve është mbështetur veçanërisht në propozimin e komisionit për vlerësimin e detyrimeve të veçanta në importe. Hetimet kanë konfirmuar se produktet në fjalë shiten me çmim më të ulët  në tregun e Republikës së Kosovë sesa më tregun e brendshëm të Serbisë si vend i origjinës”, tha ajo.

Po ashtu, ajo tha se më 24 shtator kanë dërguar një letër në CEFTA për përfaqësimin e vendit pa ndërmjetësim të UNMIK-ut.

Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari

Tutje, Hajdari ka folur edhe për mundësinë e vendosjes së reciprocitetit të plotë me Serbinë.

“Ministria po vijon bashkërendimin që përpos dokumentimit te barrierave tregtare të Serbisë te sigurohemi në ngritjen e kapaciteteve institucionale sepse janë edhe shume institucione tjera. Kryeministri ka përmendur doganën, agjencinë e ushqimit dhe të tjera. Ndonëse rrethanat në terren dhe ndjeshmëria e rastit nuk na lejon të japim detaje, puna jonë do të jetë në mbrojtje të ndërmarrësisë dhe tregtisë. Nëse ju tregojmë për veprimet tona do t’i dëmtojmë këto veprime”, ka shtuar ajo.

Ndërkaq, Zef Dedaj, shefi i Departamentit të Tregtisë, deklaroi se kjo masë do të ketë efekt uljen e importit nga Serbia.

“Fakti që sot e kemi një mase në 3 centë dhe jo 2 centë bazohet në statistika. Mund të ketë hapësirë edhe për 4, meqë ka hapësirë për ndryshim kemi shkuar në 3. Kjo do të ketë efekt për uljen e importit nga Serbia. Nuk do ta afektojë konsumatorin. Pas 6 muajve nëse ka nevojë për 4 centë do të bëhet. Kjo e cila vazhdohet si e përkohshme për 6 muaj, vazhdohet pastaj për 6 muaj”, tha ai.

Ministrja ka treguar se masat antidamping merren ndaj subjekteve të caktuara eksportuese, dhe në këtë rast këto masa janë vendosur ndaj kompanive të cekura.

error: Ku po shkon !!

Adblock Detected

Please consider supporting us by disabling your ad blocker