PDK, fituese e raundit të parë: Siguron 4 komuna dhe në 8 të tjera garon në balotazh

Mitrovica, Ferizaji, Hani i Elezit dhe Skenderaji i shkuan Partisë Demokratike të Kosovës qysh në raundin e parë të zgjedhjeve, shkruan Rahoveci INFO.

Në qytetin e Mitrovicës, Partia Demokratike e Kosovës korri fitore në raundin e parë të zgjedhjeve në krye me kandidatin për kryetar komune Bedri Hamza. Ai arriti të fitojë 53,86 përqind të votave në Mitrovicë, duke lënë shumë mbrapa vetës kandidatin e Lëvizjes Vetëvendosje Agim Bahtiri me 34,40 përqind të votave. I treti në këtë komunë doli Armend Agolli i Lidhjes Demokratike të Kosovës me vetëm 11,74 përqind.

Garën pa balotazh Partia Demokratike e Kosovës e mbylli edhe në Ferizaj. Atje kryetari aktual Agim Aliu u rikonfirmua me 62,53 përqind si kandidati më i pëlqyer për kryetar të Komunës. Në anën tjetër, Valon Ramadani i Lëvizjes Vetëvendosje mori 25,94 përqind të votave e Sibel Halimi e LDK-së 9,36 përqind.

PDK doli fituese e zgjedhjeve edhe në qytetin e Skenderajt. Fadil Nura arriti që në raundin e parë të zgjedhjeve të marrë rreth 58 përqind të votave, duke lënë pas vetës Bekim Jasharin si kandidat i pavarur me vetëm 40,64 përqind të tyre. E Sokol Halili mori vetëm 1,37 përqind.

Hani i Elezit doli të jetë befasi e këndshme për Partinë Demokratike të Kosovës. Kandidati i këtij subjekti politik atje, Mehmet Ballazhi mori 50,98 përqind të votave, mjaftueshëm për ta mposhtur kryetarin e disa mandateve Rufki Suma i cili mori 40,47 përqind. Sherif Berisha i Lëvizjes Vetëvendosje mori 6,54 përqind.

Përveç kësaj, Partia Demokratike e Kosovës ka arritur të shkojë në balotazh edhe në 8 komuna të tjera, shkruan Rahoveci INFO

Parti e parë në zgjedhje PDK ka dalë edhe në qytetin e Vushtrrisë. Atje, kandidati i këtij subjekti politik Ferit Idrizi mori 34,89 përqind të votave, ose 1 përqind më shumë se kryetari aktual, kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës Xhafer Tahiri i cili mori 33,77 përqind.

Kaçaniku është komuna tjetër ku Partia Demokratike e Kosovës do të jetë në balotazh. Besim Ilazi mmblodhi 44,75 përqind të votave, kundër Jeton Rakës së Lëvizjes Vetëvendosje që mori 33,18 përqind të tyre.

PDK do të garojë në balotazh edhe në qytetin e Prizrenit. Shaqir Totaj mori 31,10 përqind të votave në raundin e parë, mjaftueshëm për ta dërguar në balotazh kandidatin e Lëvizjes Vetëvendosje, Mytaher Haskuka i cili mori 40,43 përqind të tyre.

PDK do të jetë në balotazh në qytetin e Malishevës, kundër Nismës Socialdemokrate. PDK ka dalë e dyta në këtë komunë duke marrë 29,07 përqind të votave, ndërsa Ekrem Kastrati i Nismës ka mbledhur 34,30 përqind.

PDK e dyta ka dalë edhe në qytetin e Shtimes. Atje kandidati Naim Ismajli ka mbetur më pak se 1 përqind mbrapa kandidatit të Lëvizjes Vetëvendosje, Qemajl Aliu. Ismajli në raundin e parë të zgjedhjeve mori 44,64 përqind, ndërsa Aliu 45.10 përqind.

Balotazh për PDK-në do të ketë edhe në Klinë. Esat Raci nga PDK mori 27,60 përqind të votave dhe në balotazh do të garojë me Zenun Elezajn e AAK-së që mori 43,10 përqind të votave.

PDK shkon në balotazh edhe në qytetin e Dragashit. Shaban Shabani në këtë komunë mbeti i dyti me 33,69 përqind të votave, ndërsa i pari ishte Bexhet Xheladini i Lidhjes Demokratike të Kosovës 34,76 përqind.

Ramiz Lladrovci nuk arriti ta mbyllë garën pa balotazh në Drenas. Ai do të garojë në raundin e dytë kundër Driton Ajazi të iniciativës “Demokratët për Drenasin”. Lladrovci në raundin e parë mori 45,62 përqind, ndërsa Ajazi 30,74 përqind. /Rahoveci INFO/

error: Ku po shkon !!

Adblock Detected

Please consider supporting us by disabling your ad blocker