Rama: Kosova është realitet i pakthyeshëm, por nuk është në pozicion të harrojë se nga vjen

Ndër të tjera Rama komentoi edhe deklaratat e Albin Kurtit, për mungesën në këtë takim duke e quajtur Open Balkan një nismë pa vizion.

‘Nuk dua të hyj në polemika me Albinin. Albini ka vizionin e vet. Unë dua më të mirën për Kosovën dhe nuk mund të rri pa e thënë që qasja e derisotme është nje qasje e destinuar të dështojë dhe është një qasje që nuk e çon Kosovën asgjëkundi, përkundrazi prej disa vitesh e ka kthyer Kosovën nga një forcë shumë positive dhe nga një partner shumë i besueshëm dhe shumë i dëshiruar i aleatëve të shqiptarëve, në një problem të tyre. Dhe kjo nuk është gjë positive.’- u shpreh Rama.

Pjesë nga intervista:

Me çfarë përshtypjesh ktheheni nga Beogradi?

Besoj që ishte takimi më produktiv që kemi pasur sepse u përqëndrua i tëri tek çështjet konkrete të njerëzve, të kompanive, të distributorëve të eksportuesve, dhe zhvilluam një bisedë shumë interesante, shumë të hapur me dyer të mbyllura me përfaqësitë e kompanive nga të treja vendet që kanë marrëdhënie biznesi të lidhura me kufijtë mes këtyre vendeve. Faktikisht është për të ardhur keq se sa shumë kohë është humbur dhe se çfarë kosto kanë pasur të gjithë njerëzit që e kanë punën të lidhur me ndërveprimin që kalon përmes këtyre kufijve. Por ajo që është më e rëndësishmja është që tanimë kemi ngritur një këshill për zbatimin e marrëveshjeve të përqëndruar tek lehtësimi i lëvizjes së mallrave, të shërbimeve, të kapitaleve dhe natyrisht pastaj liria e lëvizjes së njerëzve është diçka më e lehtë sepse tashmë është në proces dhe është e garantuar.

Pse mendoni se vendi më ngurrues është Kosova? Një nismë pa vision e quan kryeministri i Kosovës, Albin Kurti?

Mendoj që ka nga ana e Kosovës ose më saktë nga ana e politikbërësve dhe vendimmarrësve në Kosovë një qasje e cila është thelbësisht e ndryshme dhe është e drejta e tyre, nuk diskutohet por nga ana tjetër unë kam bindjen që kjo nismë është jo vetëm një domosdoshmëri por është edhe një qasje në funksion të çlirimit të shumë potencialeve të ndrydhura të këtij rajoni dhe të lehtësimit dhe dialogut dhe të lehtësimit të rrugës të zgjidhjes përfundimtare të çështjes së Kosovës po ashtu. Nuk dua të hyj në polemika me Albinin. Albini ka vizionin e vet. Unë dua më të mirën për Kosovën dhe nuk mund të rri pa e thënë që qasja e derisotme është nje qasje e destinuar të dështojë dhe është një qasje që nuk e çon Kosovën asgjëkundi, përkundrazi prej disa vitesh e ka kthyer Kosovën nga një forcë shumë positive dhe nga një partner shumë i besueshëm dhe shumë i dëshiruar i aleatëve të shqiptarëve, në një problem të tyre. Dhe kjo nuk është gjë positive.

Ju thoni se keni idenë tuaj për Ballkanin e hapur, por si ju duket ideja e Kurtit per rimodelimin e CEFTA ne SEFTA sipas modelit EEA (vende nordike plus BE)?

Kosova është sot një realitet i pakthyeshëm, një shtet sovran që ka problemin e hapur të domosdoshmërisë për t’u njohur nga të gjithë dhe për t’u ulur me të drejta të plota në kombet e bashkuara dhe në të gjitha instancat e tjera dhe që ka të gjithë autoritetin e nevojshëm demokratik për të marrë vendime për veten, por që nuk është në pozicionin që të harrojë se nga vjen, nuk është në pozicionin se është si rezultat i një lufte çlirimtare të mbështetur fuqimisht nga fuqitë e mëdha mike të shqiptarëve dhe nuk është në pozicionin që të marri rrugë të reja pa u konsultuar me askënd dhe për më tepër rrugë të reja që askush nuk i mbështet siç është edhe në rastin konkret. Ne nuk kemi fuqi të ndryshojmë mënyrën si funksionon bota, ne nuk kemi fuqi për të marrë vendime për të mëdhenjtë e kësaj bote. Ne kemi vetëm mundësinë të shfrytëzojmë fuqinë tonë për të marrë vendimet e duhura për vete, pa harruar që nuk jemi vetëm por që kemi të tjerë me të cilët duhet të konsultohemi dhe këto janë aleatët tanë strategjik. Kështu që këto janë ide që absolutisht janë legjitime, mund të diskutohen, por që janë humbje kohe përsa kohë askush nuk i sheh me interes në tryezat ku merren vendime, që do të thotë në Bruksel, Berlin, Paris, Washington. Kështu që për çfarë duhet ta humbasim kohën. Dhe sigurisht që gjithkush është në të drejtën e tij të përdorë fuqinë që i ka dhënë populli siç e mendon, por unë nuk mendoj që fuqia nga populli mund të përdoret për të hyrë në rrugë ku je vetëm.

error: Ku po shkon !!

Adblock Detected

Please consider supporting us by disabling your ad blocker