Kontesti PDK – LDK në PZAP e Supreme për Dragashin – cilat ishin arsyetimet e Panelit për anulimin e votave të diasporës?

Lidhja Demokratike e Kosovës ka paraqitur një ankesë në Gjykatën Supreme lidhur me vendimin e Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa ku ankesa e Partisë Demokratike të Kosovës për votat e diasporës të cilat e nxorën fituese Lidhjen Demokratike të Kosovës u pa si e bazuar dhe kështu votat e diasporës u anuluan e fitorja iu kthye PDK-së – siç ishte edhe rezultati preliminar, shkruan Rahoveci INFO.

Dje LDK nëpërmjet një konference për media bëri të ditur se i janë drejtuar Gjykatës Supreme lidhur me vendimin e PZAP-së pasi konsiderojnë se iu është bërë padrejtësi. Zëdhënësja politike e LDK-së, Sibel Halimi tha se votat e mërgatës s’janë verifikuar.

“LDK-ja e ka dorëzuar në Gjykatën Supreme ankesën mbi vendimin e PZAP-së dhe tre gjyqtarëve të saj që kanë provuar të ndryshojnë vullnetin qytetarë në komunën e Dragashit. Ata kanë anuluar të gjitha votat e mërgatës, të gjitha pa përjashtim, pa kontaktuar, pa verifikuar, e pa kërkuar të vërtetën në Dragash…Lidhja Demokratike e Kosovës ka dorëzuar sot mbi 200 dëshmi të votuesve të Dragashit në mërgatë për votat e tyre në raundin e dytë, ka dorëzuar edhe gjithë dosjen e argumenteve për mbrojtjen e rezultatit”, u shpreh ajo.

Por, çfarë thuhet në vendimin e Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa që i dha të drejtë PDK-së sa i përket kontestit?

Në pjesën e parë të vendimit të PZAP-së thuhet se ankesa e kandidatit për kryetar të Komunës së Dragashit, Shaban Shabani nga PDK pranohet, ndërsa urdhëron KQZ-në fletvotimet e anuluara (të gjitha nga diaspora) të mos përfshihen në rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve.

Pjesë nga dokumenti i vendimit të PZAP-së

Partia Demokratike e Kosovës në ankesën e dërguar në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve ka pretenduar se votat nga diaspora në komunën e Dragashit janë organizuar nga 4 deri në 5 persona dhe kanë thënë se votat nga disa vende janë dërguar nga i njëjti person brenda disa minutave.

PZAP këtë ankesë të PDK-së e ka parë si të bazuar duke vlerësuar se: “të dy pakot e fletëvotimeve të dorëzuara nga shteti i Austrisë, të familjes Sylejmani dhe familjes Aliu, e kanë dorëshkrimin e njëjtë me rastin e plotësimit të adresës së KQZ-së, në rastin mbështjellës të fletëvotimeve”.

Gjithashtu, detaje të ngjashme PZAP thotë se kanë vërejtur edhe në pakot e fletëvotimeve të dorëzuara nga Austria të familjeve Qollopek, Nafezi dhe Batjari. Por gjithashtu edhe në pakot e fletëvotimeve të familjeve Mahmuti, Shani, Kolloni e Isufi.

Paneli ka vlerësuar gjithashtu se edhe pakot me fletëvotime nga Gjermania të familjeve Mustafa, Mehmeti, Abdurrahmani, Emini dhe Selimi kanë detaje të njëjta. Gjithashtu edhe për pakot e ardhura nga Zvicra të familjeve Jusufi dhe Avdiu.

Njëjtë PZAP-ja ka menduar edhe për votat e dërguara nga familjet Skenderi, Jashari, Maliqi, Hajredini, Qafleshi dhe Selaj, por edhe të familjeve Sallahu e Reshiti.

PZAP-ja ka konstatuar se familjet e ndryshme në vende të ndryshme kanë dërguar përafërsisht në të njëjtën kohë pakot e tyre me fletvotime dhe kjo e bën të dyshimtë procesin të cilin PZAP e ka konstatuar si “padyshim të organizuar”.

Paneli konstaton nga vulat që janë vendosur në zarf nga postat pranuese, me rastin e pranimit të pakove të fletëvotimeve të lartcekura, se mënyra e dorëzimit në postë të këtyre pakove është padyshim e organizuar sepse siç u vlerësua më lart, kemi të bëjmë me disa familje me adresa të ndryshme brenda shtetit ku jetojnë dhe nuk është e mundur që të gjitha familjet së bashku t’i dorëzojnë pakot e tyre në postë me fletëvotime në orët përafërsisht të njëjta (çështje minutash) dhe me data të njëjta, kur dihet që votimi për votuesit e diasporës zgjatë disa ditë, kjo mënyrë e organizimit dhe dorëzimit të pakove të fletëvotimeve nëpër posta është njëra ndër elementet që ndikon në minimin e integritetit të zgjedhjeve, thuhet në vendimin e PZAP-së.

Në vendimin e PZAP-së gjithashtu thuhet se është e pamundur të ndodh që familje të ndryshme me rastin e plotësimit të adresës së KQZ-së të kenë dorëshkrimin e njëjtë të plotësimit.

Paneli duke u bazuar në të gjitha shkeljet e theksuar më lartë dhe arsyet e dhëna, ka vendosur si në dispozitiv të këtij vendimi, duke u bazuar në nenin 120 par. 1, bika b) të LZP-së ku përcaktohet se para certifikimit të rezultateve zgjedhore, është në kompetencë të PZAP-it në raste të jashtëzakonshme të anuloi rezultatet në një vendvotim apo qendër votimi, nëse, konsideron se ka ndikim në rezultatin final dhe në rrethana të jashtëzakonshme në fushë veprimin e PZAP-së për të evituar shkeljet dhe parregullësitë që janë të evidentuara gjatë procesit të votimit, në këtë rast me poshtë, duke mos përfshirë ato fletëvotime në rastin e shpalljes së rezultatit përfundimtar“, thuhet në vendimin përfundimtar të PZAP-së.

Ndërkohë, mbetet të shihet se cili do të jetë vendimi i Gjykatës Supreme pas ankesës së Lidhjes Demokratike të Kosovës ndaj vendimit të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa. /Rahoveci INFO/ 

error: Ku po shkon !!

Adblock Detected

Please consider supporting us by disabling your ad blocker