Orban i qaset me kujdes Kinës para zgjedhjeve

Orban i qaset me kujdes Kinës para zgjedhjeve
Rahoveci INFO – – Drejt, shpejt, guximshëm… 13 vitë me ju!

Meqë lidhja e ngushtë e kryeministrit hungarez, Viktor Orban, me Pekinin është duke u vënë në shënjestër nga opozita hungareze para zgjedhjeve, Qeveria e këtij shteti është duke tentuar të distancojë veten nga disa politika kontroverse të Kinës.

Kjo qasje e Orbanit është vërejtur pasi Peter Marki-Zay – kryetar konservator i një qyteti të vogël, njëherësh kandidat i përbashkët i partive opozitare – duket se përbën mundësinë më të mirë për të rrëzuar Orbanin nga pushteti, pas më shumë se një dekade.

Ndërkohë që gara mes këtyre dy kandidatëve duket se do të jetë e ngushtë, Budapesti është duke krijuar qasje të reja, pasi Marki-Zay është zotuar se do të shkundë marrëdhëniet e ngrohta të Hungarisë me Kinën.

“Qeveria hungareze është tani e heshtur për çështje kontroverse të lidhura me Kinën dhe është duke tentuar të vë në pah anën pozitive të lidhjeve (Hungari-Kinë), sikurse investimet kineze në këtë shtet”, ka thënë për Radion Evropa e Lirë, Tamas Matura, asistent-profesor në Universitetin Corvinus në Budapest.

Nën Orbanin, i cili është në pushtet nga viti 2010, Hungaria ka krijuar lidhje të ngushta me Kinën.

Lidhjet janë zgjeruar edhe më shumë sipas politikës Hapja Lindore, që ka pasur synim të kultivojë lidhje më të ngushta me Pekinin dhe Moskën për të nxitur investime dhe mundësi ekonomike për Hungarinë.

Prej atëherë, Orban ka hapur dyert për një mori iniciativash kontroverse kineze në këtë shtet – duke përfshirë një universitet në Budapest të financuar nga Kina, një hekurudhë në Beograd dhe prokurim të ventilatorëve dhe vaksinave gjatë pandemisë – të cilat janë parë me dyshime të lidhura me borxh dhe korrupsion.

Kryeministri hungarez, Viktor Orban, duke marrë pjesë në një samit mes Kinës dhe vendeve të Evropës Qendrore dhe Lindore. 9 shkurt 2021.
Kryeministri hungarez, Viktor Orban, duke marrë pjesë në një samit mes Kinës dhe vendeve të Evropës Qendrore dhe Lindore. 9 shkurt 2021.

Në kohën kur sondazhet tregojnë se Marki-Zay dhe partia Fidesz e Orbanit janë shumë afër me rezultate, kandidati opozitar ka tentuar të vë në pah lidhjet kontroverse të Orbanit me Kinën dhe ka bërë thirrje për rishikim të marrëdhënieve të Hungarisë me Pekinin.

Kandidati opozitar ka akuzuar Orbanin për korrupsion gjatë negociimit të fondeve për hekurudhën Budapest-Beograd, për të cilën Qeveria ka marrë hua nga Kina për 20 vjet, në vlerë të 1.9 miliard dollarëve dhe është zotuar se nuk do të përfshihet në përpjekjet e Bashkimit Evropian për të censuruar Pekinin për shqetësimet e lidhura me të drejtat e njeriut në Hong Kong dhe Provincën Ksinjiang të Kinës.

Në Bruksel, shumë zyrtarë të BE-së, të familjarizuar me politikat e bllokut evropian ndaj Kinës, kanë thënë për Radion Evropa e Lirë se zyrtarët hungarezë nuk kanë kundërshtuar propozimin për vazhdim të sanksioneve kundër Pekinit rreth Ksinjiangut, kryesisht për shkak që Budapesti dëshiron të shmangë fuqizimin e përpjekjeve të opozitës për të shënjestruar Orbanin për lidhjet e tij me Kinën.

“Gjithçka duhet të analizohet, të rishikohet dhe i gjithë korrupsioni duhet të identifikohet”, ka thënë Marki-Zay për të përditshmen kineze, South China Morning Post.

“Hekurudha nga Budapesti deri në Beograd dhe prokurimi i vaksinave duhet të rishikohen dhe të analizohen nga autoritete të pavrura”.

“Hapja Lindore” dhe Marki-Zay

Sfida e Marki-Zayit e ka vënë në rrezik angazhimin e Qeverisë së Orbanit me politikat e Kinës.

Kjo gjë është vërejtur sidomos në Bruksel.

Ministri hungarez, Peter Szijjarto, i ka konsideruar “të dëmshme dhe pakuptim” sanksionet që Pekini dhe Brukseli kanë vënë ndaj njëri-tjetrit në muajin mars.

Më pas, në prill dhe maj, Budapesti ka qenë vendi i vetëm në mesin e 27 vendeve anëtare të BE-së që nuk ka mbështetur masat ndëshkuese ndaj Pekinit për shkak të ligjit për sigurinë në Hong Kong.

Mirëpo në takimet me dyer të mbyllra, disa burime të BE-së, që nuk kanë qenë të autorizuara për të folur për mediat, kanë treguar për Radion Evropa e Lirë se Hungaria ka dhënë shenja se nuk do të kundërshtojë vazhdimin e sanksioneve.

Zgjedhjet e pranverës

Projektet e financuara nga Kina në Hungari janë përcjellë me skandale, mirëpo analistët kanë thënë se pyetja kyçe për Marki-Zay, para zgjedhjeve është nëse ai do të reflektojë me elektoratin.

Kandidati hungarez për kryeministër, Peter Marki-Zay.
Kandidati hungarez për kryeministër, Peter Marki-Zay.

“Kjo është definitivisht përpjekje për të përfshirë Kinën në fushtë zgjedhore, mirëpo mbetet të shihet nëse do të jetë e sukseshme”, ka thënë Dominik Istrate, analist për qendrën për konsulencë Kesarev, në një deklaratë për Radion Evropa e Lirë.

Shqetësimet për korrupsion kanë përcjellë projektin hekurudhor Budapest-Beograd, prej kur është propozuar për herë të parë më 2014, bashkë me prokurimin e vaksinave kundër koronavirusit, të prodhuara nga kompania kineze, Sinopharm.

Megjithatë, plani për të ndërtuar një kampus në Budapest për Universitetin e mirënjohur të Shangait, Fudan, është përballur me reagimin më të madh publik, pasi rreth 10,000 persona kanë dalë në rrugë në muajin qershor, pas një rrjedhjeje dokumentesh që ka treguar se Qeveria do të marrë hua në vlerë të 1.5 miliard dollarëve për të mbuluar shumicën e shpenzimeve.

Protesta kundër ndërtimit të kampusit universitar në Budapest. 5 qershor 2021.
Protesta kundër ndërtimit të kampusit universitar në Budapest. 5 qershor 2021.

Prej atëherë, Orban ka thënë se do të mbajë referendum për këtë çështje, mirëpo ai proces vazhdon të përcillet me paqartësi.

Projekti Fudan vazhdon të mos pëlqehet shumë nga votuesit, pasi në një sondazh të realizuar në muajin gusht, më shumë se dy të tretat e hungarezëve kundërshtojnë kampusin.

Anëtarët e opozitës hungareze – duke përfshirë kryetarin e Budapestit, Gergely Karacsony – janë duke shtyrë përpara një referendum kombëtar për çështjen e kampusit, i cili mund të përfshihet në votën për zgjedhjet federale.

Mirëpo marrja e një vendimi të tillë rrezikon të ketë sfida ligjore që mund të shtyjnë këtë proces deri pas zgjedhjeve të vitit 2022.

Ndonëse ka qenë kritik për shumicën e projekteve kineze që ka miratuar Orban, Marki-Zay ka qenë i kujdesshëm që të mos e pozicionojë veten kundër Kinës.

Kryetari i qytetit të vogël, Hodmezovasarhely, ka thënë se investimet kineze janë të mirëseardhura për aq kohë sa ka “përfitim reciprok” dhe ka thënë se ai respekton arritjet e Pekinit.

Ndërkohë, Qeveria e Orbanit është koncentruar në çështje tjera që mund të përcaktojnë rezultatin zgjedhor.

Përkrahësit e partisë Fidesz tashmë kanë thënë se në zgjedhje do të ketë “ndërhyrje amerikane” dhe këtë gjë e kanë arsyetuar me faktin se Marki-Zay ka jetuar në Shtetet e Bashkuara, duke thënë se ai përfaqëson interesa të huaja.

Qeveria e Orbanit ka çuar përpara edhe legjislacionin aktual që kufizon kapacitetin e shkollave për të ligjëruar për homoseksualitetin dhe çështje transgjinore, të cilat kryeministri i ka konsideruar si pjesë të një “lufte ideologjike” me BE-në.

“Zgjedhjet do të jenë referendum për kapacitetet e Orbanit për të qeverisur dhe për të kuptuar se ku qëndron shteti pas 11 vjetëve të qeverisjes së Fidesz”, ka thënë Istrate.

“Fundja, zgjedhjet do të jenë çështje e brendshme politike”.

The post Orban i qaset me kujdes Kinës para zgjedhjeve appeared first on Rahoveci INFO. Shkruar nga: Mentor Barani

LAJMI TJETËR
Close
error: Ku po shkon !!

Adblock Detected

Please consider supporting us by disabling your ad blocker