Paga të plota për pjesëmarrje të zbehtë

Ata thonë se gjatë legjislaturës aktuale, e cila është konstituuar më 22 mars, është vërejtur mungesë e theksuar e deputetëve në punimet e Kuvendit.

Për këtë ka reaguar edhe kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca.

Në seancën e 19 nëntorit, Konjufca ka thënë se “deputetët duhet të jenë në seancë”, sepse “paguhen nga populli”.

Në këtë ditë, në seancë ishin të pranishëm 59 nga 120 deputetët e Kuvendit të Kosovës.

Paga bazë e një deputeti në Kosovë është 1,547 euro në muaj ose 18,564 euro në vit.

Kompensimi mujor për pjesëmarrje në seanca plenare është 240 euro, ndërsa kompensimi për mbledhje të komisioneve është 160 euro.

Të 120 deputetët kanë edhe të drejtën e mbulimit të shpenzimeve të qëndrimit dhe udhëtimit brenda dhe jashtë vendit me detyra zyrtare.

Në formularët e deklarimit të pasurisë në Agjencinë Kundër Korrupsionit të Kosovës thuhet se deputetët marrin deri në 23 mijë euro pagë vjetore dhe kompensime të tjera.

Sipas Rregullores së Punës së Kuvendit të Kosovës, për t’i përfituar këto të ardhura, deputeti është i detyruar të marrë pjesë në seancat plenare dhe në mbledhjet e organeve ndihmëse të Kuvendit, në të cilat është anëtar.

Shamolli: Kompensime të panevojshme

Naser Shamolli, nga Grupi për Studime Juridike, thotë se rregullorja, sa u përket kompensimeve shtesë, duhet të rishikohet.

Sipas tij, paga e deputetit duhet të jetë e mjaftueshme.

”Qasja në kompensime shtesë për pjesëmarrje në seanca dhe në trupat e Kuvendit, siç janë komisionet, është e diskutueshme, pasi ata marrin një pagë bazë për funksionin e deputetit. Prandaj, në të ardhmen duhet të shikohet që këso lloje kompensimesh të mos lejohen më”, thotë Shamolli për Radion Evropa e Lirë.

Agnesa Haxhiu, hulumtuese e politikave në Institutin Demokratik të Kosovës, thotë se është duke u punuar në një rregullore të re të punës së Kuvendit, e cila parasheh sanksione financiare për deputetët që mungojnë pa arsye në seanca.

Instituti Demokratik i Kosovës merr pjesë në grupet punuese që i hartojnë rregulloret për Kuvendin e Kosovës dhe, në raste të caktuara, bën rekomandime.

“Këto sanksione [do të] vijnë për të ngritur përgjegjësinë e deputetëve karshi detyrave dhe përgjegjësive që i kanë, duke filluar me pjesëmarrjen e rregullt në punime të seancës”, thotë Haxhiu për Radion Evropa e Lirë.

Sipas saj, Instituti Demokratik i Kosovës po ashtu kërkon që pjesëmarrja e deputetëve të monitorohet deri në përfundimin e seancës.

“Administrata e Kuvendit e bën regjistrimin e deputetëve vetëm në fillim të seancës, por nuk e bën regjistrimin gjatë kohës sa zgjat seanca. Seanca mund të zgjasë tërë ditën dhe normalisht që deputetët lëvizin. Ka shumë raste kur deputetët janë nënshkruar në fillim dhe nuk kanë qëndruar sa ka zgjatur seanca dhe është konsideruar se ata kanë qenë të pranishëm në seancë”, thotë Haxhiu.

Megjithatë, Zyra për Informim e Kuvendit të Kosovës thotë se për çdo mospjesëmarrje në seancë plenare, deputetit i ndalet paga në mënyrë proporcionale me seancat e mbajtura.

Po ashtu, kompensimi i mjeteve për pjesëmarrje në komisione thuhet se bëhet vetëm nëse deputeti merr pjesë në të gjitha mbledhjet e komisionit të caktuar.

Që nga 22 marsi, kur është konstituuar legjislatura e tetë e Kuvendit të Kosovës dhe kur është miratuar agjenda legjislative e Qeverisë, e deri më tani, 23 ligje janë miratuar dhe 86 mbeten në procedurë. Mungesa e kuorimit është përmendur shpesh si pengesë për moskalimin e ligjeve.

Ballina
Raporto
Video
Këmbimi
Moti
error: Ku po shkon !!

Adblock Detected

Please consider supporting us by disabling your ad blocker