Melihate Tërmkolli: Ballkani i Hapur, projekti më antishqiptar

Tërmkolli, në Rubikon të Klan Kosovës, tha se u bë pjesë e kësaj proteste për ta kundërshtuar, siç tha ajo, “projektin më antishqiptar”.

“Kam pasur vetëm vullnetin tim të brendshëm të Melihate Tërmkollit, për të marrë pjesë në një protestë dhe për të kontribuar në kundërshtimin e një prej projekteve më antishqiptare”, u shpreh ajo.

Ndryshe, protesta e 20 dhjetorit në Tiranë u mbajt me qëllimin të kundërshtimit të Ballkanit të Hapur, nismë kjo e ndërmarrë nga kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, kryeministri i Maqedonisë Veriore Zoran Zaev dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq në tetor 2019.

Lideri historik i PD-së Sali Berisha tha gjatë kësaj proteste se kjo parti sapo të vijë në pushtet, ajo do ta anulojë Ballkanin e Hapur.

Nisma fillimisht është quajtur “Mini Schengen” dhe ajo parasheh lëvizjen e lirë të kapitalit, mallrave, shërbimeve dhe njerëzve midis tri vendeve. Në korrik të këtij viti, në Forumin për Bashkëpunim Ekonomik Rajonal në Shkup, nisma ka marrë emrin e ri Ballkani i hapur.

Në kuadër të kësaj nisme, është vendosur lëvizja e lirë e qytetarëve me letërnjoftim ndërmjet Serbisë, Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë, është nënshkruar marrëveshja për bashkëpunim në parandalimin dhe eliminimin e pasojave të fatkeqësive natyrore. Po ashtu, janë nënshkruar marrëveshje për bashkëpunim në lehtësimin e importit, eksportit dhe lëvizjes së mallrave në Ballkanin Perëndimor, si dhe një Memorandum mirëkuptimi dhe bashkëpunimi për qasje të lirë në tregun e punës.

Ndërmjet Serbisë, Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë është rënë dakord që kontrollet kufitare të hiqen nga 1 janari 2023. Po ashtu, është planifikuar që gradualisht të krijohet një treg i përbashkët për 12 milionë banorë, aq sa kanë banorë këto tri shtete së bashku – duke krijuar një “zonë të vetme ekonomike”.

Në takimin e mbajtur në Tiranë më 21 dhjetor, Shqipëria, Serbia dhe Maqedonia Veriore nënshkruan marrëveshje për heqjen e lejes së punës, atë për lehtësimin e import-eksporteve të kafshëve të gjalla si dhe për veterinarinë.

Kosova, Mali i Zi dhe Bosnje e Hercegovina deri tash nuk e kanë mbështetur këtë nismë, duke mbështetur Procesin e Berlinit të vitit 2014., i cili mes tjerash, synonte që fillimisht të lidhte mes vete gjashtë vendet në fushat e transportit dhe energjisë, dhe më vonë kjo lidhje të zgjerohet edhe në shkëmbimin për rininë dhe në bashkëpunimin ekonomik.

 

Ballina
Raporto
Video
Këmbimi
Moti
error: Ku po shkon !!

Adblock Detected

Please consider supporting us by disabling your ad blocker