Dialogu: 9 muaj, disa takime, zero rezultate – edhe një vit tjetër i çuar dëm drejt marrëveshjes Kosovë – Serbi

Për herë të parë kryeministri i Kosovës Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiq u takuan më 15 qershor të vitit 2021. Takimi midis dy liderëve u përcoll me tensione dhe tensionet ishin rezultati i vetëm i këtij takimi, shkruan Rahoveci INFO.

Pas takimit, të dy liderët, por edhe përfaqësuesit e Bashkimit Europian u deklaruan për media, për të dhënë versionin e tyre për takimin e mbajtur, ndërsa produkti nuk ishte edhe aq i mirë sipas Përfaqësuesit të Lartë të BE-së për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak.

“ Të dy liderët patën një shkëmbin idesh në lidhje me atë që ata presin nga dialogu. Ajo çfarë ka rëndësi për BE, është e njëjtë si ajo që kanë konfirmuar edhe dy liderët se nuk ka formë tjetër për të ecur përpara përveç normalizimit të marrëdhënieve mes dy vendeve. Ata do të punojnë në normalizimin e këtyre marrëdhënieve nëpërmjet dialogut”, deklaroi Lajçak pas takimit.

Sipas Lajçakut, blloku evropian, bashkë me popullin e Kosovës dhe atë të Serbisë, kanë pritshmëri të larta nga të dy liderët, që të tejkalojnë trashëgiminë e së kaluarës dhe të ecin përpara me dialogun mes Kosovës dhe Serbisë drejt të ardhmes evropiane.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti deklaroi se gjatë takimit ka prezantuar ide të reja dhe ka shprehur vullnetin e tij në dialogun konstruktiv.

“Kosova dhe Serbia, duhet të nënshkruajnë një marrëveshje të përbashkët të paqes duke u zotuar se nuk do ta sulmojnë njëra-tjetrën. Pas njohjes së ndërsjelle midis Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë, në të dy vendet tona do të kemi reciprocitet bilateral, përfshirë edhe pakicat etnike, “ tha Kurti.

Kurti ka thënë edhe se gjatë takimi ka ngritur edhe çështjen e personave të pagjetur, që sipas tij, është çështje “që nuk pret” dhe ka kërkuar të ndërmerren hetime për krerët e delegacionit serb në Kosovë, gjatë viteve të luftës.

Me tone më të ashpra u shpreh presidenti serb, i cili deklaroi se palët kishin rënë dakord paraprakisht për pothuajse asgjë.

“Ata erdhën që të merren vesh për asgjë, absolutisht për asgjë . Ai tha: “Kam ardhur të të pyes kur do ta njohësh Kosovën”. Unë i thashë: “Asnjëherë”. Ai shpërtheu”, theksoi Vuçiç.

Në këtë takim, kryeministri i Kosovës Albin Kurti kishte propozuar 4 pika për marrëveshje me Serbinë, por një prej tyre ishte injoruar e tri të tjera ishin refuzuar nga Vuçiq.

“1. Gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor e avansojnë CEFTA-n në SEFTA (South-East European Free Trade Agreement) sipas modelit të EFTA-EEA, pra marrëveshje çfarë Lihtenshtajni, Norvegjia dhe Islanda kanë me BE-në. 2. Kosova dhe Serbia menjëherë nënshkruajnë një marrëveshje të përbashkët të paqes duke u zotuar se nuk do ta sulmojnë njëra-tjetrën. Kjo është e rëndësishme tani si asnjëherë më parë, një ditë pas Samitit të NATO-s në Bruksel dhe porosive unanime që u dhanë aty. 3. Pas njohjes së ndërsjelltë midis Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë, në të dy vendet tona do të kemi reciprocitet bilateral, përfshirë çështjen e pakicave këtu. Pra, serbët në Kosovë mund të kenë Këshillin e tyre Nacional siç e kanë shqiptarët dhe boshnjakët në Serbi. 4. Për çështjen e të pagjeturve, të të zhdukurve me dhunë, duhet larguar nga pozita që ka dhe duhet marrë në pyetje kreun e delegacionit serb, z. Veljko Odaloviq, i cili në vitet 1997-1999, ishte “naçelnik i qarkut të Kosovës”, dhe udhëhiqte me Kosovën e okupuar bashkë me z. Zoran Angjelkoviq. Për propozimin tim të parë nuk u përgjigjën, ndërkaq tri propozimet e tjera i refuzuan. Shpresoj që kur të kthehen në Beograd, z. Vuçiq dhe z. Selakoviq, të mendojnë më shumë dhe ta konsiderojnë seriozisht pranimin e këtyre propozimeve.”, shkroi Kurti pas takimit.

Në korrik të 2021-ës ndodhi edhe takimi i dytë midis dy liderëve. Në këtë takim, Kurti dhe Vuçiq u përplasën rreth të kaluarës, ndërsa takimi nuk pati asnjë rezultat.

Kryeministri i Kosovës pas takimit tregoi se kanë prezantuar një marrëveshje të balancuar prej gjashtë nenesh për paqe midis Kosovës dhe Serbisë e cila ishte refuzuar nga pala serbe.

“Ne kemi prezantuar në takim një marrëveshje të balancuar prej gjashtë nenesh, për paqe mes Serbisë dhe Kosovës, e cila u refuzua, pa u lexuar fare. Zëvendëskryeministri (Besnik) Bislimi i ka lexuar 11 pikat që paraqesin pengesa në raportet tregtare të Kosovës me vendet e tjera, që ne kërkuam të hiqen, por as kjo nuk u pranua”, theksoi Kurti pas takimit.

Përveç përplasjeve dhe deklarimeve pompoze për media nga të dy liderët, përfaqësuesit e BE-së vazhduan me avazin e njëjtë, me thirrjet e tyre për vazhdimin e dialogut si e vetmja rrugë përpara për të dy shtetet.

“Kosova dhe Serbia duhet ta mbyllin kapitullin e së kaluarës dhe të shkojnë përpara”, u shpreh para takimit ndërmjetësi i dialogut, i ngarkuari i BE-së për Politikën e Jashtme dhe të Sigurisë, Josep Borrell, në prag të raundit të dytë të dialogut mes kryeministrit të Kosovës Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë Aleksandar Vuçiq. Ai shpresonte se palët do të jenë konstruktive dhe pragmatike dhe se do të bisedohet për “hapat që na çojnë përpara”.

“Kosova dhe Serbia kanë nevojë që përfundimisht të mbyllin kapitullin e të kaluarës së dhimbshme, me një marrëveshje gjithëpërfshirëse, ligjërisht detyruese mbi normalizimin e marrëdhënieve dhe të shikojnë drejt të ardhmes evropiane, për qytetarët e tyre. E kaluara është e rëndësishme, por e ardhmja është edhe më e rëndësishme”, tha Borrell para takimit.

Të dy takimet e nivelit të lartë nuk dhanë asnjë rezultat sa i përket dialogut, ndërsa takime të tjera që nga korriku i vitit 2021 nuk ka pasur midis dy liderëve. Dialogu në vitin 2021 nuk ka dhënë asgjë që të përmendet përveç deklaratave të të dy liderëve dhe përplasjeve në distancë midis tyre disa herë. /Rahoveci INFO/ 

Ballina
Raporto
Video
Këmbimi
Moti
error: Ku po shkon !!

Adblock Detected

Please consider supporting us by disabling your ad blocker