Gazsjellësi, njohja, dialogu: Çfarë po ndodh me marrëdhëniet Kosovë – Greqi?

Takimi i Gërvallës me Dendias ka ngjallur reagime pas zhvillimeve të fundit midis Kosovës dhe Greqisë ku është folur gjithashtu edhe për njohje të mundshme të pavarësisë së Kosovës nga shteti grek, por gjithashtu edhe për shkak të gazsjellësit amerikan “Trans-Atlantik-Pipeline” që mendohej që përfshinte edhe Kosovën së bashku me Greqinë dhe Maqedoninë e Veriut nëpërmjet një interkonektori, shkruan Rahoveci INFO.

Pas këtij takimi, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Republikës së Kosovës doli me një komunikatë për media thanë se u diskutua në terma konkret për format e bashkëpunimit dypalësh midis shteteve. Në takim u diskutua për marrëdhëniet ekonomike midis dy vendeve, për konstruktivitetin e Greqisë në raport me agjendën evropiane të Kosovës dhe procesin e liberalizimit të vizave, por gjithashtu edhe për energjinë.

Ministrja Gërvalla nënvizoi se Kosova ndodhet në fazën e shqyrtimit të opsioneve më të mira sa i përket strategjisë energjetike. “E ardhmja jonë energjetike ngërthen në vete energjinë tradicionale dhe të ripërtrishme. Ne jemi në kontakt me miqtë tanë për opsionet për tranzicionin sfidues në këtë fushë. Ne do të vazhdojmë të jemi në kontakt të ngushtë me Greqinë për detajet dhe për vendimet tona në këtë drejtim”, theksoi ajo.

Ministrja Gërvalla po ashtu theksoi se njohja dhe respektimi i pavarësisë së Kosovës nga të gjithë anëtarët e Bashkimit Evropian, përfshirë Greqinë, do të ishte një lëvizje e guximshme për stabilitetin në rajon dhe më gjerë, që do të mundësonte hapjen e një dinamike të re në zgjidhjen e problemeve afatgjata në Ballkan. “Jo vetëm për vendet tona, por më shumë për fëmijët dhe nipërit tanë, kjo do të ishte një premtim për stabilitet dhe paqe të qëndrueshme në Evropë. Një hap i tillë do të ishte historik dhe mendojmë se është diçka që duhet të bëhet”, shtoi Gërvalla.

Në anën tjetër, kreu i diplomacisë greke, Nikos Dendias, ka theksuar dëshirën e Qeverisë së Greqisë, që i gjithë Ballkani Perëndimor të jetë i lidhur përmes gazsjellësit Trans-Adriatik(TAP). Një deklaratë të tillë Dendias e ka bërë pas takimit që ka pasur me ministren e Jashtme të Republikës së Kosovës, Donika Gërvalla-Shwarz.

Dendias i thotë Gërvallës: Është dëshirë e Greqisë që Kosova të lidhet në gazsjellësin Trans-Adriatik

Takimin midis Dendias dhe Gërvalla-Schwarz edhe më të rëndësishëm e bën fakti që kryediplomati grek do të takohet me Emisarin Special të Bashkimit Europian për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak.

Në një komunikatë të ministrisë greke, thuhet se Dendias do ta takojë Lajçakun në fund të agjendës së tij të nesërme në Këshillin e Punëve të Jashtme të BE-së në Bruksel, ku kryediplomati grek do të marrë pjesë.

Pasi e priti Gërvallën në Athinë, kryediplomati grek nesër takohet me Lajçakun

Përveç qasjes më konstruktive që Greqia e ka ndaj Kosovës krahasuar me katër vendet e tjera mosnjohëse të Bashkimit Europian ndaj Kosovës, vitin e kaluar shumë shpesh është raportuar për një njohje të mundshme të pavarësisë së Kosovës nga Greqia.

Lidhur me këtë çështje, mediat serbe patën raportuar se Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë bërë presion ekonomik mbi Greqinë për njohjen e pavarësisë së Kosovës gjë që më pas u mohua ngë autoritetet greke, duke theksuar se pozicioni i Greqisë ndaj Kosovës nuk ka lëvizur.

Por, lëvizje të tjera SHBA – Greqi nuk është se nuk pati. Në kohën kur flitej për njohjen e pavarësisë së Kosovës nga Greqia, ZëvendësNdihmës Sekretari Amerikan i Shtetit, Matthew Palmer kishte takuar ministrin e jashtëm grek Nikos Dendias, duke vlerësuar pas takimit se e përkrahin dialogun Kosovë – Serbi dhe se “pozicioni i Greqisë për statusin e Kosovës nuk ka ndryshuar”.

“Zjarre” u ndezën pas një deklarate të paqartë të ministrit të Jashtëm grek, Nikos Dendias, rreth Kosovës, i cili deklaroi se pozicioni i Greqisë për statusin e Kosovës nuk ka ndryshuar, por shtoi se deklarata e pavarësisë së Kosovës nuk e shkel ligjin ndërkombëtar.

“Ndonëse pozicioni ynë për statusin e Kosovës nuk ka ndryshuar, ne mbajmë qëndrim konstruktiv dhe e përkrahim dialogun Beograd – Prishtinë. Si legjitimitet i një njohjeje të mundshme, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në Hagë vlerësoi më 2010 nuk e shkel ligjin ndërkombëtar, sepse nuk ka qenë produkt i përdorimit të paligjshëm të forcës së dënuar nga Këshilli i Sigurimit, siç ishte rasti i një pseudo-shteti (të Qipros Veriore) më 1983”, deklaroi kryediplomati grek aso kohe.

Dendias u takua edhe me Sekretarin Amerikan të Shtetit, Anthony Blinken ku gjithashtu u rritën zërat për një njohje të mundshme të pavarësisë së Kosovës nga Greqia, por as këtë herë nuk pati asgjë konkrete.

A po lëvizë Greqia drejt njohjes së Kosovës, kjo është deklarata e përbashkët Blinken – Dendias

Ajo që bëri më shumë bujë ishte takimi midis Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Greqisë që u konkretizua me një komunikatë të përbashkët ku flitej edhe për “Trans-Adriatik-Pipeline”, dhe rëndësinë energjetike, ekonomike dhe gjeostrategjike të gazsjellësit.

“Shtetet e Bashkuara dhe Greqia u angazhuan për qëllimet e tyre të përbashkëta për rritjen e diversifikimit dhe sigurisë së energjisë, promovimin e aksesit të drejtë dhe të barabartë në burimet e gjelbra të energjisë dhe adresimin e ndryshimeve klimatike përmes politikave të dekarbonizimit. Shtetet e Bashkuara përgëzuan Greqinë për rolin e saj në rritje si një qendër energjetike rajonale dhe përshëndetën përfundimin e Gazsjellësit Trans-Adriatik dhe përparimin në Interkonektorin Greqi – Bullgari, i cili do të operacionalizohet në vitin 2022. Greqia ndau zhvillimet në projektet e tjera energjetike rajonale që do të diversifikojnë më tej furnizimet rajonale të energjisë dhe largimin e qymyrit, siç është Interkonektori i planifikuar midis Greqisë dhe Maqedonisë së Veriut dhe Njësia e Rigazifikimit të Magazinimit Lundrues në Akelsandropoli. Të dyja palët përshëndetën marrëdhinet gjithnjë e më të ndërlidhura të energjisë midis Greqisë dhe SHBA-ve, si në aspektin e tregtisë dhe investimeve dypalëshe, ashtu si dhe shtytjen pozitive të përparimit drejt synimeve të sigurisë energjetike dhe diversifikimit. Greqia vuri në dukje rëndësinë e zbulimeve të gazit natyror nga Izraeli, Qipro dhe Egjipti si një burim i vlefshëm i diversifikuar energjie për Evropën Jugore dhe Juglindore”, thuhej në komunikatë, transmeton Rahoveci INFO.

Gjithashtu, në komunikatë thuhej se SHBA-të do të rrisin investimet e tyre në projektet e energjisë në Greqi dhe theksuan nevojën për dekarbonizimin e vazhdueshëm dhe zhvillimin e energjisë së ripërtëritshme.

“Greqia përsëriti qëllimin e saj për të hequr qafe linjitin deri në vitin 2025, dhe Shtetet e Bashkuara vlerësuan hapat e Greqisë në Planin Kombëtar të Veprimit për Energjinë dhe Klimën 2019. Të dyja palët pranuan rëndësinë e një strategjie të larmishme për të mbështetur tranzicionin e energjisë dhe qëllimin tonë më të gjerë për të arritur emetimet neto-zero deri në vitin 2050. Kjo përfshin mundësitë për të zgjeruar iniciativat e efikasitetit të energjisë dhe për të rritur furnizimin me burime të energjisë së pastër si era në det të hapur, ruajtja e energjisë dhe hidrogjeni. Shtetet e Bashkuara ritheksuan rritjen e investimeve në projektet e energjisë së gjelbër në Greqi dhe theksuan nevojën për dekarbonizimin e vazhdueshëm dhe zhvillimin e energjisë së ripërtëritshme, dhe Greqia ndau përditësimë për projektet e saj të planifikuara për fermat e erës dhe energjinë diellore. Shtetet e Bashkuara konfirmuan mbështetjen për Iniciativën Kombëtare të Greqisë për trajtimin e ndikimeve dhe ndryshimeve klimatike në trashëgiminë kulturore dhe natyrore dhe mirëpritën pjesëmarrjen e kompanive amerikane në nismat inovative të energjisë së hidrogjenit të Greqisë. Të dyja qeveritë nënvizuan rolin unik që Greqia mund të luajë në thyerjen e monopoleve rajonale të energjisë, lehtësimin e investimeve në energji tek ekonomitë në zhvillim dhe përballjen ballë për ballë me krizën globale të klimës”, thuhej më tutje në komunikatë, transmeton Rahoveci INFO.

Energji, siguri dhe ekonomi: Çfarë thuhet në komunikatën SHBA-Greqi lidhur me gazsjellësin që e refuzoi Kosova?

Intensifikimi i zhvillimit të marrëdhënieve midis Kosovës dhe Greqisë, nëpërmjet Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe tani nëpërmjet Bashkimit Europian mund të jetë një sinjal se Greqia mund të njohë Kosovën, por jo duke lënë anash projekte si ai i gazsjellësit amerikan. Ajo çfarë mbetet të shihet në vazhdim është fakti se deri ku do të mund të arrijë Kosova ta bind Greqinë për njohjen e pavarësisë. /Rahoveci INFO/ 

Ballina
RadioRahoveci
Video
Këmbimi
Moti
error: Ku po shkon !!