Kriza në Ukrainë, Blinken: SHBA nuk bën lëshime në përgjigje të kërkesave ruse

Uashingtoni nuk ka bërë asnjë lëshim ndaj kërkesave kryesore ruse mbi Ukrainën dhe NATO-n, në një përgjigje me shkrim dërguar Moskës të mërkurën. Kështu u shpreh sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken.

Pak më herët, Rusia tha se kishte marrë përgjigjen e Shteteve të Bashkuara ndaj kërkesave të saj, duke përfshirë tërheqjen e NATO-s nga Evropa Lindore, një çështje në zemër të krizës së sigurisë në Ukrainë.

Ministria e Punëve të Jashtme në Moskë tha në një deklaratë se ambasadori amerikan në Rusi, John Sullivan, i dorëzoi përgjigjen me shkrim Uashingtonit për kërkesat e tij në lidhje me sigurinë, zëvendësministrit të Jashtëm Alexander Grouchko.

Rusia ka kërkuar garanci që NATO do të ndalojë zgjerimin e saj drejt lindjes, do të përjashtojë anëtarësimin e Ukrainës dhe vendeve të tjera ish-sovjetike dhe do të zhbëjë dislokimet e saj ushtarake në Evropën Qendrore dhe Lindore.

Por Blinken tha se përgjigja e së mërkurës për Rusinë e bën shumë të qartë se SHBA po i qëndron parimeve të saj. “Nuk ka ndryshim, nuk do të ketë ndryshim”, tha ai.

Duke folur në një konferencë për shtyp, sekretari i Shtetit tha se propozimet e SHBA i ofruan Rusisë një “rrugë serioze diplomatike”. Këto përfshinin mbrojtjen e të drejtës së kombeve për të zgjedhur aleancat e tyre, shtoi ai.

Ballina
RadioRahoveci
Video
Këmbimi
Moti
error: Ku po shkon !!