Tensionet në Ukrainë, Rusia dënon vendimin e SHBA për trupa shtesë në Evropë

Rusia ka dënuar vendimin e SHBA-së për të dërguar trupa shtesë në Evropë për të mbështetur aleatët e saj të NATO-s, mes frikës së vazhdueshme për një pushtim rus të Ukrainës.

Moska tha se ky ishte një hap “shkatërrues” që rriti tensionin dhe zvogëloi hapësirën për një zgjidhje politike.

Deklarata u bë nga zëvendësministri i Jashtëm rus Alexander Grushko, duke iu përgjigjur vendimit të presidentit amerikan Joe Biden për të vendosur trupa shtesë në Evropë këtë javë.

“Kjo do të kënaqte autoritetet ukrainase, të cilat do të vazhdojnë të sabotojnë marrëveshjen e Minskut pa ndëshkim”, shtoi ai.

Pentagoni tha se 2,000 trupa amerikane do të dërgoheshin nga Karolina e Veriut në Poloni dhe Gjermani, dhe 1,000 të tjerë tashmë në Gjermani do të shkonin në Rumani.

“Është e rëndësishme që t’i dërgojmë një sinjal të fortë zotit Putin dhe, sinqerisht, botës se NATO ka rëndësi për Shtetet e Bashkuara dhe ka rëndësi për aleatët tanë,” u tha gazetarëve të mërkurën zëdhënësi i Pentagonit, John Kirby.

Rusia ka rreth 100,000 trupa pranë Ukrainës. Ajo mohon planifikimin për të pushtuar.

Tensionet vijnë tetë vjet pasi Rusia aneksoi gadishullin jugor të Krimesë të Ukrainës dhe mbështeti një rebelim të përgjakshëm në rajonin lindor të Donbasit.

Moska akuzon qeverinë ukrainase për dështimin në zbatimin e marrëveshjes së Minskut, një marrëveshje ndërkombëtare për të rivendosur paqen në lindje, ku rebelët e mbështetur nga Rusia kontrollojnë një pjesë të territorit dhe të paktën 14,000 njerëz janë vrarë që nga viti 2014.

Ballina
RadioRahoveci
Video
Këmbimi
Moti
error: Ku po shkon !!