“Java e Policisë”: Arrestimi i Molliqajt, ikja e Radojiçiqit, arrestimi i kameramanit dhe suspendimi i Amir Hoxhës

Mbrëmjen e së martës, teksa po hynte në ambientet e Televizionit7, kryetari i Partisë Socialdemokrate Dardan Molliqaj u rrethua nga një numër i shtuar i forcave të rendit, së bashku me pjesëtar të Njësive të Specializuara të Policisë së Kosovës dhe u arrestua, shkruan Rahoveci INFO.

Molliqaj rezistoi ndaj policisë duke thënë se nuk ka pranuar ftesë nga këta të fundit që të paraqitet vullnetarisht në stacion të policisë, por në anën tjetër, policia ishin të vendosur për arrestimin e tij, ndërkohë që kjo ngjalli reagime të mëdha.

Arrestohet Dardan Molliqaj

Në opinion arrestimi i Molliqajt u interpretua edhe si politik, ndërsa Partia Socialdemokrate ishte kategorike në përkrahjen e idesë së janë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe ministri i Punëve të Brendshme Xhelal Sveçla ata që kanë porositur arrestimin e Molliqajt.

Molliqaj u arrestua nga policia e Kosovës pasi në protesën e mbajtur kundër shtrenjtimit të rrymës, kreu i PSD-së kishte goditur një nga pjestarët e forcave të rendit që ishin barrikaduar në hyrjen kryesore të qeverisë së Kosovës ku Molliqaj s’po lejohej të mbante fjalimin e protestës.

Pas kësaj, të enjtën, Policia e Kosovës ka arrestuar kameramanin e Agjencisë së Lajmeve “Ekonomia Online”, Albion Selitaj, i cili ishte duke mbuluar Live ngjarjen nga ndërhyrja e AKP-së për të marrë në menaxhim zyrat e ndërmarrjes AgroKosova Holding kanë kundërshtuar lirimin e objektit.

Sipas gazetares e cila e poashtu është në vendin e ngjarjes, arrestimi ka ardhur pasi Selitaj ka kërkuar nga Policia që mos ta shtyjnë sepse rrezikohen edhe pajisjet e punës.

Tensione te AgroKosova: Policia e arreston një kameraman gjatë kryerjes së detyrës

Për arrestimin e kameramanit të EO-së pati reagime të shumta. Ehat Miftaraj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi arrestimin e kameramanit e cilësoi si “atentat ndaj demokracisë”, ndërsa në anën tjetër Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës kërkoi lirimin e menjëhershëm të tij duke dënuar sjelljen jo-profesionale të policëve.

Reagimet për arrestimin e kameramanit ishin të shumta. Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut i bënë thirrje policisë të Kosovës për ruajtje të paanësisë, ndërsa këta të fundit pasi njoftuan lirimin me procedurë të rregullt të kameramanit Seitaj, thanë se hetimet ndaj tij do të vazhdojnë.

Policia me komunikatë për kameramanin e arrestuar, thonë se hetimet ndaj tij do të vazhdojnë

Ndërsa të enjtën, policisë së Kosovës iu iku ai që cilësohet si kreu i strukturave ilegale serbe dhe i krimit në veri të Kosovës, Milan Radojiçiq. Ai u arratis nga policia e Kosovës në pikën kufitare me Serbinë në Bërnjak.

Policia e Kosovës dha detaje për rastin nëpërmjet një komunikate për media duke thënë se Radojiçiq ka qenë në veturë me një bashkëudhëtar tjetër. Të njëjtit i ishte kërkuar parkimi i veturës, mirëpo gjatë parkimit ai ishte larguar me veturë.

“Me datë 03.02.2022 në orët e pasdites, në pikë kalimin kufitar Bërnjak, nga drejtimi i Serbisë për të hyrë në Republikën e Kosovës, ka ardhur një automjet në të cilin kanë qenë personi M.R. mashkull serb së bashku me një bashkudhëtar. Gjatë realizimit të detyrave policore, zyrtarët kufitar kanë kërkuar nga personi (vozitësi) që të parkojë automjetin në vend parking, për të vazhduar me procedurat e mëtejme policore, mirëpo vozitësi gjatë parkimit me veturë është larguar me shpejtësi mbrapa në drejtim të territorit të Serbisë. Me qëllim të hetimit të sjelljeve dhe veprimeve të zyrtarëve policorë, Policia e Kosovës sipas detyrës zyrtare ka njoftuar Inspektoratin Policor për hetime dhe kompetencë të mëtejme”, u tha nga policia e Kosovës.

Arratisja e Radojçiqit në kufi, Policia: I kërkuam ta parkojë veturën

Inspektoriati Policor kërkoi suspendimin e zyrtarëve policorë të përfshirë në këtë rast.

“Inspektorati Policor i Kosovës respektivisht hetuesit e Departamentit të Hetimeve të IPK-së kanë rekomanduar Policisë së Kosovës suspendimin e tre  zyrtarëve policorë (një kapiteni, një rreshteri dhe një zyrtari policor – që të gjithë punonjës në në pikë kalimin kufitar në “Bërnjak” në Drejtorin Rajonale Kufitare “Veriu”).

IPK mbrëmë ishte njoftuar nga Policia e Kosovës rreth një incidenti i cili kishte ndodhur në pikë kalimin kufitar në “Bërnjak” në Drejtorinë Rajonale Kufitare Veriu ku gjatë procedurave të kalimit kufitar në hyrje ishte paraqitur një i dyshuar (me inicialet M.R) dhe i njëjti kishte rezultuar si person i kërkuar. Personi i kërkuar dyshohet se ka vozitur veturën e tij mbrapa dhe është kthyer prapë në drejtim të Serbisë, ndërsa dokumentet e tij kishin mbetur tek zyrtarët policorë të pikë kalimit kufitar”, thuhet në njoftimin e IPK-së.

Rekomandohet suspendimi i tre policëve pas arratisjes së Radojçiqit

E krejt në fund, suspendimi i policit Amir Hoxha për shkak se i njëjti nëpërmjet një postimi në Facebookun e tij kishte shprehur pakënaqësinë e tij për mospagesën e shujtave për policët në kryerje të detyrës.

Ai në postimin e tij në Facebook gjithashtu kishte përmendur shifrat e larta të shpenzimeve të deputetëve në karburante që gjithashtu zgjuan një reagim të madh në publik. Por kjo i kushtoi policit Hoxha me suspendim treditor.

Ndërsa, policia e Kosovës sot ka dalë me një komunikatë zyrtare për suspendimin e Hoxhës duke thënë se ai është suspenduar: “Bazuar në Udhëzimin Administrativ “Për Shkeljet, Masat dhe Procedurat Disiplinore në Policinë e Kosovës” 04/2019, përkatësisht neni 24, paragrafi 1.17, është suspenduar një zyrtar policor”.

Çfarë thotë neni i Udhëzimit Administrativ sipas të cilit u suspendua polici Amir Hoxha?

Këto 4 ngjarje brenda 5 ditësh në policinë e Kosovës bënë që jozyrtarisht kjo javë të quhet “Java e Policisë”, pasi ata zunë vend në ballinat e mediave të shkuara në Kosovë për pothuajse tërë kohën gjatë këtyre ditëve. /Rahoveci INFO/

Ballina
RadioRahoveci
Video
Këmbimi
Moti
error: Ku po shkon !!