Shkatërrimi i pyjeve dukuri shqetësuese, rreth 2 mijë metra kub dru u konfiskuan në vitin 2021

Kështu është bërë e ditur për rtv21.tv nga Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, me ç’rast është informuar se nga 2 mijë e 711 fletëparaqitje, 2 mijë e 251 janë fletëparaqitje kundërvajtëse dhe 460 fletëparaqitje penale.

Në po të njëjtën periudhë të vitit, nga Njësitë Komunale te Pylltarisë dhe Inspektorati Qendror i Pylltarisë, për shkak të veprimeve ilegale dhe mungesës së dokumentacionit, janë konfiskuar gjithsej 1874 metra kub dru, shkruan rtv21.tv

Duke pasur parasysh se dëmtimi i pyjeve vazhdon të jetë shqetësues, nga MBPZH kanë theksuar se Qeveria e Kosovës ka marrë vendim që të themelohet Task Forca për Mbrojtjen dhe Shfrytëzimin e Ligjshëm të Pyjeve, e cila udhëhiqet nga Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, ku bëjnë pjesë edhe përfaqësuesit e disa institucioneve tjera. Me qëllim të parandalimit dhe zvogëlimit të prerjeve ilegale në pyje, kjo Task Force ndërinstitucionale muajin e kaluar ka aprovuar Planin e Veprimit, ku janë paraparë veprime konkrete për secilin institucion.

Kujtojmë që, Kosova ka mbi 400 mijë hektarë pyje.

Sipas “Global Forest Watch” nga viti 2001 deri në vitin 2017, rreth 337 milionë hektarë pemë janë zhdukur në të gjithë botën – një sipërfaqe thuajse e barabartë me atë të shtetit të Indisë. Në bazë të këtij raporti ka reaguar dhe Banka Botërore përmes një artikulli, me ç’rast ka deklaruar se ‘duket se ne po e humbim betejën, nëse jo luftën, kundër shpyllëzimit dhe mungojnë disa mundësi kyçe për të trajtuar ndryshimet klimatike’.

Pyjet mbulojnë 31% të sipërfaqes se planetit tonë. Ato prodhojnë oksigjen, sigurojnë strehim për njerëzit dhe kafshët e egra. Shumica e kafshëve të rrezikuara jetojnë në pyje, por edhe 1.6 miliardë njerëz varen nga të mirat që pyjet dhurojnë përfshirë: ushqimin, ujin, veshmbathjen, medikamentet tradicionale dhe strehimin.

Shpyllëzimi i tokës ka ndodhur gjithnjë me arsyetimin për të krijuar hapësira për mbjellje ose për bagëti. Shkaqet e drejtpërdrejta të shpyllëzimit janë: zgjerimi i bujqësisë, nxjerrja e drunjve (p.sh. djegia, përpunim etj.) dhe zgjerimi i infrastrukturës (ndërtimi i rrugëve, urbanizimi etj).

Ballina
RadioRahoveci
Video
Këmbimi
Moti
error: Ku po shkon !!