Homazh në pesë vjetorin e kalimit në amshim të Galan Palucaj, ish infermier i mjekësisë në QKMF “Nënë Tereza” në Klinë

Homazh në pesë vjetorin e kalimit në amshim të Galan Palucaj, ish infermier i mjekësisë në QKMF “Nënë Tereza” në Klinë
Rahoveci INFO – – Drejt, shpejt, guximshëm… 13 vitë me ju!

Shkruan: Lekë MRIJAJ

I amshueshmi infermieri i mjekësisë tashmë i ndjeri, Galan Palucaj, i cili ndërroi jetë sot pesë vite më parë, ishte  një ndër infermierët e parë (i cili me konkret thirrej si doktor Galani) i cili me kontributin e tij të pakrahasueshëm zhvilloi dhe konsolidoi shërbimin e infermierisë në Shtëpinë e Shëndetit në Klinë, gjë qe vërtetë ka dhënë kontributin duke fituar mirënjohjen madhore të kolegëve shëndetësor dhe të pacientëve të tij klinas.

Ai, u lind me14 prill 1943 në Klinë nga babai Preni dhe nëna Zoja. Rrjedh nga një familje me tradita të larta fisnore, tradicionale shqiptare e njerëzore. Galan Palucaj e mbaroi shkollën fillore në Klinë, kurse Shkollën e Mesme të Mjekësisë e kreu në Prizren. Pothuajse ishte një nder infermieret e parë të Shtëpisë së Shëndetit në Klinë.

Qe nga viti 1963 deri në pensionimin e ka kaluar tërë jetën e tij të punës si një infermier i shkëlqyeshëm i shëndetësisë mjekësore pranë Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare “Nënë Tereza” në Klinë.

Më vonë apo në fillimvitet ’80-ta për dhjetë vite me radhë kreu detyra tjera të suksesshme të rëndësishme në menaxhim të udhëheqjes së stafit të mesëm të shëndetësisë pranë Shtëpisë se Shëndetit në Klinë.

Infermieri Galan Palucaj, te popullata e qytetit të Klinës dhe zonave përreth saj njihet shumë mirë si një njeri tejet serioz e humanist i madh shëndetësor, i cili për 43 vjet radhazi ju ndihmoi me gjithë përkushtim e zemër pacientëve të tij me nevoja të ndryshme shëndetësore, pra gjatë të gjithë karrierës së tij si një infermier i dalluar, ka punuar apo ju ka shërbyer të pacientëve me ndershmëri dhe pasion duke vendosur në qendër pacientin dhe kujdesin për të, pra ishte shumë energjik në lëmin e tij, si dhe optimist, entuziast i gatshëm në çdo moment të merrte e menaxhonte çdo vështirësi në shërbim të mirëqenies dhe shëndetit të qytetarëve klinas.

Si një veteran infermier profesionalist i shëndetësisë në Klinë, ka shërbyer edhe nëpër këto ambulanca të fshatrave të Klinës, si në Zllakuqan, Shtupel, Jashanicë si dhe për shumë vite të tëra me radhë në Volljakë të Klinës.

E pëlqente shumë korrektësinë, shoqërinë e padjallëzuar dhe sinqeritetin me kolegët dhe miqtë e tij, qe do të thotë se miqësia me të, ju dhuronte kolegëve, miqve dhe të dashurve të tij, qetësi, fjalë të prerë, korrektësi, besë, falje, harmoni dhe shumë dashuri. Pra, Galani ishte i përkushtuar ndaj misionit të tij, pikërisht të një infermieri, e krenar me rrënjët e tija të një merditori të kompletuar e origjinës së tij-Klinës, i cili do të kujtohet gjithmonë, mbi të gjitha për veprat e tij humane në shërbim të pacientëve të sëmurë si dhe për besnikërinë e fjalës së tij të sinqertë të dëshmuar pranë të dashurve dhe miqve dhe kolegëve të tij.

Ai, papritmas si vetëtima u largua nga kjo botë duke ikur në amshim sot pesë vjet më parë apo me 10 shkurt të vitit 2017, duke pushuar në varrezat e vjetra mbi treqindvjeçare të paraardhësve dhe të dashurve të tij në Krushevë të Vogël të Klinës së Dukagjinit.

I përjetshëm kujtimi për ty miku im i çmuar Galan Palucaj. Lavdi e përjetshme veprës suaj madhore.

Pushofshi në Mbretërinë e Hyjnisë Qiellore!

Lajmet Homazh në pesë vjetorin e kalimit në amshim të Galan Palucaj, ish infermier i mjekësisë në QKMF “Nënë Tereza” në Klinë >> Rahoveci INFO. Shkruar nga: Mentor Barani

Ballina
RadioRahoveci
Video
Këmbimi
Moti
error: Ku po shkon !!