Organizatat ndërkombëtare i dërgojnë letër Kurtit e Osmanit pas sulmeve ndaj mediave

Letra ka të bëj me sulmet e fundit të pushtetit, konkretisht burrit të Vjosa Osmanit, Prindon Sadriu ndaj mediave, shkruan Rahoveci INFO,

Në këtë letër është kërkuar që t’i jepet fund përdorimit të gjuhës diskredituese që sulmon gazetarët.

“Ditët e fundit jemi shqetësuar nga mesazhet në rrjetet sociale me origjinë nga politikanë dhe zyrtarë që kanë shërbyer për të nxitur publikun kundër gazetarëve. Këto përfshijnë, për shembull, komentet në Facebook nga zëdhënësit dhe këshilltarët për media të Zyrës së Kryeministrit dhe Lëvizjes Vetëvendosje, të cilët, duke folur në emër të partive që përfaqësojnë, nënkuptuan se media u përpoq të përmbyste dhe minonte Presidenten përmes raportimit. Shqetësuese janë edhe komentet në Facebook të bashkëshortit të Presidentes Prindon Sadriu, i cili i quajti gazetarët një “ndërmarrje të përbashkët kriminale”, një koncept i ngarkuar sidomos në Ballkan”, thuhet në reagimin e tyre.

Këto terma të përdorur sipas këtyre organizatave mund të ndikojnë në sigurinë fizike të gazetarëve, duke denigruar kështu edhe profesionin.

“Të marra së bashku, këto komente kanë rezultuar efektivisht në një përrua abuzimesh në internet nga mbështetësit e Lëvizjes Vetëvendosje, duke synuar gazetarët dhe aktivistët kritikë dhe të pavarur, veçanërisht gratë. Për më tepër, veçanërisht kur përdoren terma të tillë si “ndërmarrje e përbashkët kriminale”, kemi frikë se komente të tilla mund të ndikojnë negativisht edhe në sigurinë fizike të gazetarëve duke denigruar profesionin dhe duke kontribuar në një klimë armiqësore”, thuhet në reagim.

“Rasti në fjalë rrjedh nga një artikull i botuar nga një media online dhe i ribotuar nga një tjetër më 4 shkurt, në lidhje me shpenzimet e karburantit të deputetëve të parlamentit. Këto publikime përfshinin një gabim dhe më vonë u ndryshuan, së bashku me një falje publike. Është e rëndësishme që të gjitha mediat të respektojnë standardet profesionale dhe të ndjekin Kodin e Etikës gazetareske. Megjithatë, vlerësojmë se përgjigja ndaj këtyre gabimeve nga zyrtarë të caktuar qeveritarë dhe partiakë ka qenë joproporcionale dhe ka sjellë armiqësi të pajustifikuar ndaj mediave”, thuhet në reagim.

Më tej thuhet se kjo strategji që po përdoret për ta nxitur publikun kundër mediave janë të rrezikshme për sigurinë fizike të gazetarëve.

“Për më tepër, përdorimi i gjuhës diskredituese përshtatet në një kontekst më të gjerë problematik në të cilin individë të lidhur me Vetëvendosjen përpiqen të minojnë besimin e publikut në media. Ne jemi të shqetësuar se kjo strategji e nxitjes së publikut kundër mediave dhe aktivistëve kritikë dhe të pavarur është e rrezikshme për sigurinë fizike të gazetarëve dhe ka një efekt rrëqethës që minon vlerat demokratike. Sidomos duke marrë parasysh ambicien e Kosovës për t’iu bashkuar Këshillit të Evropës dhe Bashkimit Evropian, ne besojmë se është me rëndësi të madhe që politikanët, përfaqësuesit e partive dhe figurat publike të respektojnë lirinë e medias dhe të ndihmojnë në krijimin e një mjedisi të favorshëm për lirinë e mediave dhe sigurinë e gazetarëve.

Prandaj, i bëjmë thirrje Presidentes dhe Kryeministrit që të sigurojnë që një gjuhë e tillë nxitëse e drejtuar ndaj mediave nga aparati i tyre partiak të pushojë, tani dhe në të ardhmen”, thuhet në reagim. /Rahoveci INFO/

 

Ballina
RadioRahoveci
Video
Këmbimi
Moti
error: Ku po shkon !!