Historiani: Xhafer Deva u konfliktua me Hitlerin sepse mbrojti hebrenjtë, u respektua në SHBA

Përkundër polemikave të ditëve të fundit lidhur me figurën e Xhafer Devës, historiani Jusuf Buxhovi mendon se ish-ministri i Brendshëm i Shqipërisë në kohën e pushtimit nazist nuk duhet anatemuar patjetër. Figura e tij, sipas Buxhovit, është komplekse.

“Xhafer Deva duhet të shihet në kuadër të rrethanave të kohës, ai nuk ka qenë as nazist e as fashist. Qeveria e asaj kohe ka qenë nga të vetmet në Europë që i ka marrë në mbrojtje hebrenjtë. Ai ka qenë i respektuar në SHBA, ka dhënë madje mësim në një universitet hebre në Kaliforni. Në këtë moment, Deva paraqet një figurë të rëndësishme kombëtare, e jo t’i vihet epiteti kolaboracionist apo Kuisling”, tha Buxhovi në një intervistë për A2 CNN.

Sipas tij, Deva, pjesë e kabinetit të Rexhep Mitrovicës në vitet 1943-44, nuk ka pranuar të bashkëpunojë me qeverinë gjermane për çështjen e hebrenjve, por ka luftuar serbët. “Ka pasur një marrëveshje me Hitlerin që shteti shqiptar të jetë i paanshëm. Ai nuk ka pranuar që t’i dorëzojë hebrenjtë shtetit gjerman, dhe kjo ka shkaktuar konflikt me Hitlerin. Xhafer Deva ka qenë antikomunist dhe donte të krijonte Shqëipërine etnike. Ai ka luftuar kundër çetnikëve serbë kundër copëtimit të Shqipërisë”, tha Buxhovi.

Emri i Xhafer Devës, u rikthye në qendër të vëmendjes këto ditë, duke nxitur debate e polemika. Shkak është bërë një projekt i Zyrës së Bashkimit Europian në Kosovë, UNDP-së dhe Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sporteve për restaurimin e shtëpisë së ish-politikanit shqiptar në Mitrovicën e Jugut.

Qëllimi ishte ruajtja dhe rehabilitimi i trashëgimisë kulturore në Kosovë. Por pas kritikave dhe kundërshtive të ashpra, institucionet njoftuan anulimin e projektit. Të hënën, ambasadori gjerman në Kosovë reagoi me shqetësim ndaj planeve për restaurimin e shtëpisë së Devës, duke theksuar se nuk duhet të shtrembërohet e vërteta rreth Holokaustit apo krimeve të luftës të kryera nga nazistët dhe bashkëpunëtorët lokalë.

Gjithashtu, edhe Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon, shprehu shqetësimin rreth projektit dhe tha se nuk duhet të ketë vend për revizionimin e historisë së Luftës së Dytë Botërore dhe mohimin e Holokaustit.

Në një deklaratë të përbashkët, UNDP-ja dhe BE-ja thanë se synimi i projektit të përbashkët me Ministrinë e Kulturës së Kosovës, ka qenë gjithmonë të bashkojë komunitetet dhe të kontribuojë në kohezionin social, duke përdorur trashëgiminë kulturore si instrument për dialog ndërkomunitar. Sakaq ministri i Kulturës në qeverinë e Kosovës, Hajrullah Çeku thanë në një reagim se restaurimi i monumenteve bëhet për t’i shërbyer komunitetit, jo për revizionizëm historik, apo rehabilitim figurash.

Ballina
RadioRahoveci
Video
Këmbimi
Moti
error: Ku po shkon !!