Britania e Madhe paralajmëron Moskën për pasoja të rënda: Lufta do të ishte katastrofike

Ofensiva diplomatike po zhvillohet në të gjitha frontet. Sekretarja për punët e jashtme në Britaninë e Madhe Liz Truss vizitoi të enjten Moskën. Gjatë një takimi me homologun rus Sergei Lavrov ajo paralajmëroi se lufta në Ukrainë do të ishte katastrofike dhe do të detyronte Britaninë e Madhe të ndërmerrte sanksione të rënda ndaj individëve dhe institucioneve ruse.
Shefja e diplomacisë së Londrës tha se veprimet e Moskës po minojnë pozicionin e saj në skenën globale dhe i bëri thirrje të zbusë menjëherë retorikën e luftës së ftohtë.
Sakaq Lavrov u kundërpërgjigj se Rusia nuk ka në plan të nisë aksion ushtarak kundër Ukrainës, por tha se palët duhet të tregojnë respekt reciprok në mënyrë që bisedimet të avancojnë.