“Bëjmë djathë rus me recetat italiane e zvicerane. Putin nuk do t’ia dijë për sanksionet tuaja”

Vladimir Putin “as që do t’ia dijë fare” për rrezikun e sanksioneve të Perëndimit, nëse vendos të pushtojë Ukrainën. Kështu tha ambasadori rus në Suedi, Viktor Tatarintsev, në një intervistë për gazetën vendase “Aftonbladet”.

Në një prononcim të pazakontë, ambasadori tha gjithashtu se “sa më shumë Perëndimi bën presion, aq më e fortë do të jetë përgjigja e Rusisë”. Ai pretendon se Rusia është mëse e përgatitur për të përballuar bllokadën e mundshme dhe akuzoi Perëndimin se nuk e kupton fare vendin e tij.

“I përballojmë vetë kërkesat e brendshme dhe kemi arritur të rrisim eksportet. Nuk kemi djathë italian apo zviceran, por kemi mësuar të bëjmë djathë rus po aq të mirë, duke përdorur recetat italiane apo zvicerane”, tha ai.

Deklarata vjen në një moment kur numri i njerëzve që kërkojnë të largohen nga Ukraina sa vjen e rritet. Disa vende, mes të cilave edhe Shqipëria e Kosova, u kanë bërë thirrje shtetasve të tyre të ikin nga Ukraina, ndërsa punonjësit jo të domosdoshëm në ambasadën amerikane në Kiev janë larguar.

Qeveria ukrainase tha se ka vendosur në dispozicion një fond prej gati 600 milionë dollarësh për të garantuar që fluturimet drejt Ukrainës të vazhdojnë. Kryeministri Denys Shmyhal tha në një postim në kanalin e tij në Telegram që fondi i nxjerrë nga Rezervat e Shtetit do të përdorej për të stabilizuar situatën në tregun e aviacionit civil dhe për të garantuar kthimin në atdhe të personave që janë jashtë Ukrainës.

Gjendja e tensionit duket se do të vijojë edhe në ditët e ardhshme, pas paralajmërimeve për një sulm të Rusisë para fundit të Lojërave Olimpike. Presidenti amerikan Joe Biden bisedoi në telefon me Vladimir Putin një ditë më parë, ndërsa të dielën me homologun ukrainas, Volodymyr Zelensky, dhe e siguroi që SHBA do të përgjigjej me forcë dhe shpejt në rast agresioni. Megjithatë, Biden nuk e pranoi ftesën e Zelenskyt për të vizituar Kievin, raportoi CNN.

Të hënën, në Ukrainë mbërrin Kancelari gjerman Olaf Scholtz. Të martën ai do të udhëtojë në Moskë, “për të ezauruar çdo mundësi dialogu”, siç u shpreh edhe vetë. Scholz tha se Europa është seriozisht e kërcënuar nga kjo krizë, që kërkon zgjidhje.

Ballina
RadioRahoveci
Video
Këmbimi
Moti
error: Ku po shkon !!