Lufta në prag? Gazetari i CNN raporton në A2 nga Ukraina për situatën atje

Gazetari i CNN, Conor Powell, raportoi në A2 CNN në Ditarin e mbrëmjes mbi situatën aktuale në Ukrainë, ku tensionet janë rritur ndjeshëm dhe lufta duket në prag.

Mes kërcënimit që Rusia mund të pushtojë Ukrainën këtë javë, presidenti Volodymyr Zelensky po përpiqet të parandalojë përhapjen e panikut dhe po kërkon provat që Rusia synon ta bëjë diçka të tillë. Aktualisht, Ukraina ka më shumë frikë apo është e vetëdijshme që mund të sulmohet shpejtë? Ç’po ndodh aty?

Conor Powell, reporter i CNN, Ukrainë: Këtu në Ukrainë, në zonat që kemi vizituar përreth vendit, mbizotëron një ndjenjë për të ruajtur qetësinë dhe për të vazhduar jetën. Ajo që kemi mësuar nga zyrtarët e lartë të Ukrainës është se, po, ata e pranojnë se ka një prezencë të madhe trupash ruse pranë kufirit të tyre në Veri, Lindje dhe Jug. Por kjo është diçka me të cilën Ukraina ka jetuar për vite, për mos të thënë dekada dhe shekuj, gjë e cila është agresioni rus në vendin e tyre. Ajo çfarë kemi dëgjuar nga zyrtarët ukrainas dhe qytetarët në rrugë është se përderisa nuk do të ketë një pushtim nuk do të shqetësohen për të. Në të njëjtën kohë, qeveria ukrainase, po kërkon për mbështetje nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe vendet e tjera të NATO-s në formën e armëve shtesë, të cilat i janë dërguar deri më tani. Qeveria ukrainase ka pranuar qindra milionë dollarë të llojeve të ndryshme të armëve; gjithçka duke nisur nga helmetat, jelekët antiplumb, deri tek ato më të avancuara si raketat xhavelin dhe armë të ngjashme. Gjithashtu kanë kërkuar për raketa tokë-ajër shumë të avancuara për të luftuar superioritetin ajror të Rusisë. Kështu që, ndërsa qeveria këtu po tregon një lloj qetësie dhe kërkon qetësi nga shtetasit e saj, gjithashtu po sigurohet të marrë armët që i duhen nga perëndimi, nga Shtetet e Bashkuara për t’i përdorur në rast se do të ketë një pushtim.

Gjatë telefonatës me Presidentin Biden, presidenti Zelenski, kërkoi më shumë asistencë ushtarake dhe ekonomik, por edhe e ftoi Biden për një vizitë në Kiev. A ka gjasa të ndodhë dhe pse do të ishte e rëndësishme kur ne nuk po shohim rezultate nga diplomacia?

Conor Powell: Mësojmë nga Shtëpia e Bardhë dhe Uashingtoni se presidenti Biden nuk do të bëjë një vizitë këtu së shpejti. Por presidenti Zelenski do të dëshironte shumë të shihte homologun Biden këtu, si një mënyrë për të përforcuar marrëdhënien e Ukrainës me Shtetet e Bashkuara dhe me NATO-n. Ukraina nuk është një vend anëtar i NATO-s, por sigurisht do të preferonte të ishte. Dhe shumë në kryeqytetet perëndimore qoftë në Uashington, Berlin apo Londër do të donin të shihnin Ukrainën si pjesë e NATO-s për të luftuar çfarëdo lloj ndërhyrje të Rusisë në pjesën më të madhe të Europës. Por Presidenti Biden nuk do të vijë këtu së shpejti, të paktën jo me këtë lloj kërcënimi nga trupat ruse apo të një pushtimi rus. A është diçka që mund të ndodhë në të ardhmen, sigurisht. Zyrtarët amerikanë thonë se vizita mund të ndodhë në të ardhmen, por nuk është diçka që pritet të ndodhë brenda pak ditëve, javëve apo pak muajve. Interesante është se zyrtari i fundit i rangut të lartë që vizitoi Ukrainën për herë të fundit ishte po Joe Biden, por si zëvendës presidenti i SHBA nën presidencën e Barack Obamës. Por kjo ndodhi 5 apo 6 vite më parë. Pra, ka kaluar kohë e gjatë që prej herës së fundit kur Ukraina priti një delegacion të rangut të lartë nga presidenca amerikane. Do të preferonin që të ndodhte së shpejti, por zërat nga Shtëpia e Bardhë dhe Uashingtoni konfirmojnë se nuk do të zhvillohet një vizitë tani afër.

Sa i përket përpjekjeve diplomatike, kancelari gjerman, Olaf Scholz po viziton Kievin dhe Moskën për të ulur tensionet. Çfarë pritet nga vizita? Ka ndonjë shans për arritje pozitive?

Conor Powell: Ajo që presim tani është e njëjta gjë që kemi parë ditëve të fundit, të paktën 10 ditët e fundit, dhe kjo është vazhdimi i bisedimeve. Qoftë duke folur me ukrainasit këtu në rajon apo me zyrtarët perëndimor, ajo që kemi mësuar është se bisedimet janë të mira dhe bëjnë që shanse e një pushtimi të ulen. Rusia ka thënë vazhdimisht se trupat në kufijtë e Ukrainës janë pjesë e një plani stërvitor ushtarak dhe se ato nuk janë pjesë e një force pushtimi. Nëse kjo është e vërtetë ose jo, ajo që po dëgjojmë nga Uashingtoni apo zyrtarët perëndimor është se kjo forcë është shumë e madhe, e përgatitur mirë dhe fare pranë kufirit të Ukrainës për të qenë thjeshtë një stërvitje. Prandaj ka shumë shqetësim. Dhe me këto bisedime, me politikanë si kancelari Scholz që viziton vendet, mendimi shkon Rusia nuk do të nisë një sulm përderisa kancelari Scholz është në Ukrainë apo qoftë në Moskë. Kjo pengon Rusinë të lëshojë çfarëdo lloj sulmi. A është kjo e vërtetë? Askush nuk e di se çfarë kalon nëpër mendjen e Vladimir Putin tani. Por, përderisa ka bisedime dhe njerëzit po takohen me njëri-tjetrin, shpresa është se do të kalojmë mes ditëve në vijim duke blerë më shumë kohë, vazhduar bisedimet diplomatike dhe mbase do të ketë bisedime thelbësore për të adresuar shqetësimet e sigurisë të Rusisë. Jo vetëm në Ukrainë, por kudo përreth Europës, zyrtarët amerikanë dhe ata të NATO-s duan të shohin largimin e trupave të Rusisë dhe dëshirojnë të shohin se nuk do të ketë një sulm real përpara se të adresojnë disa prej shqetësimeve të Rusisë këtu në Ukrainë dhe përreth rajonit. Pra është një lojë bixhozi. Përfundimisht mbetet peng e asaj çfarë kalon nëpër mendjen e Vladimir Putin dhe rrethit të tij të ngushtë të këshilltarëve. E gjithë vëmendja do të përqendrohet në atë se çfarë bën ai gjatë ditëve në vijim. Kancelari Scholz do të shkojë atje nesër, gjë e cila është një shenjë e mirë për diplomacinë.

Le të fokusohemi në situatën në terren. Ushtria ruse ka rrethuar Ukrainën nga 3 anët. Cilat janë sinjalet që shtynë inteligjencën amerikane të dalë në konkluzionin që lufta do të nisë këtë javë? Ata madje kanë një datë: 16 shkurtin?

Conor Powell: Shqetësimi për zyrtarët në Uashington ka lidhje me këtë grumbullim të madh ushtarësh dhe me qëllimin e tyre. Është diku nga 100 mijë deri në 130 mijë trupa ruse. Janë të vendosura në Bjellorusi dhe pranë kufirit të Rusisë me Ukrainën dhe janë të vendosura në Krime. Ka artileri, armë, automjete të blinduara dhe gjithashtu mjete lundruese dhe detare që mund të transportojnë trupa në brigjet Ukrainase. Pra, ajo që shqetëson SHBA dhe vendete tjera perëndimore në NATO është se kjo është një fuqi e madhe. Tani, zyrtarët ukrainas thonë se gjithmonë janë përballur me këtë lloj vendosje trupash ruse përgjatë kufirit dhe në fakt ka pjesë të Ukrainës që kontrollohen nga separatistë rusë. Shumë ukrainas thonë se derisa të shohim një pushtim, nuk do të shqetësohemi. Por, sigurisht, Perëndimi, SHBA, dëshirojnë që të paralajmërojnë Rusinë, përpara se diçka të ndodhë. Prandaj po ndodh një reagim i fuqishëm i tillë si për shembull: e dimë që ju po vini, ne besojmë se ju po vini, mendojmë se do vini nesër. Janë fjali që i kemi dëgjuar në ditët e fundit dhe po përpiqen që t’i paraprijnë ndonjë pushtimi rus si për të thënë se ‘ne e dimë se çfarë po planifikoni të bëni. Zyrtarët rusë thonë se kjo është një stërvitje ushtarake dhe nuk është forcë pushtuese. Por mendoj se zyrtarët e SHBA po përpiqen të paraqesin një lloj force të unifikuar të NATO-s dhe gjithashtu të thonë: ne e shohim se ç’po bëni dhe nuk do të lejojmë të ndodhë. Prapë mbetet në qëllimet e Vladimir Putin dhe askush nuk e di me saktësi. Por shenjat që perëndimi po merr janë shumë shqetësuese për ta.

Ju po raportoni nga qyteti Lviv, afër kufirit me Poloninë. Ne e dimë që stafi diplomatik po transferohet aty nga Kievi. A ka shumë misione të huaja aty?

Conor Powell: Ne nuk kemi parë një rritje të madhe të lëvizjeve diplomatike nga Kievi për këtu. Kemi parë disa, po nuk është një fluks diplomatësh ende. Lëvizjet diplomatike kanë qenë më të vogla. Kanë qenë Shtetet e Bashkuara dhe disa vende të tjera. Nuk kemi parë shtete të tjera të zhvendosin stafin diplomatik këtu. Ne ishim dje në aeroportin e Kievit dhe nuk kishte ndonjë eksod masiv dhe rrugët nuk janë tejmbushur me diplomatë që largohen. Disa linja ajrore europiane kanë vendosur që të pezullojnë fluturimet. Disa të tjera po vijnë ende këtu. Është një lloj lëvizjesh të përziera. Dëgjon shumë për heqje stafi diplomatik, qoftë amerikan apo britanik, por nuk shohim një largim masiv, ende. Përderisa të jenë këto përpjekje diplomatike nuk do të shohim një eksod të madh zyrtarësh.

Ballina
RadioRahoveci
Video
Këmbimi
Moti
error: Ku po shkon !!