Me Biden-in në krye, SHBA-ja e shton presionin ndaj Serbisë për njohjen ndaj Kosovës

Me rastin e Ditës së Shtetësisë së Serbisë, Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, sërish i ka kërkuar presidentit serb, Aleksandër Vuçiq, njohjen e Kosovës, shkruan Rahoveci INFO.

Biden, përmes një letre urimi drejtuar krerëve të Serbisë, ka thënë se pret normalizim të plotë të marrëdhënieve ndërmjet Beogradit e Prishtinës, e që duhet të bazohet në njohjen reciproke.

“Aspiratat e Serbisë drejt BE-së varen edhe nga progresi drejt normalizimit të plotë të marrëdhënieve ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, i cili, siç e dini, besoj se duhet të bazohet në njohjen reciproke”, citohet në letrën e Biden.

Lidhur me çështjen, SHBA-të sërish kanë shprehur gatishmëri për të mbështetur të dy palët drejt arritjes së këtij qëllimi.

Presioni amerikan

Të njëjtën kërkesë ndaj Vuçiqit ia bëri edhe Sekretari amerikan i Shtetit, Anthony Blinken.

“Ne jemi të përkushtuar të mbështesim synimin e Serbisë për integrimin evropian dhe inkurajojmë normalizimin gjithëpërfshirës të marrëdhënieve të përqendruara në njohjen reciproke me Kosovën, e cila do të nxisë siguri dhe stabilitet më të madh në rajon”, ka thënë Blinken.

Bisedimet e udhëhequra nga Bashkimi Evropian kanë arritur marrëveshje mes palëve për çështjet teknike, ndonëse kanë hasur në vështirësi në zgjidhjen e çështjeve kryesore politike.

Por, mungesa e marrëveshjes po e lë Kosovën jashtë Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB-së), dhe shumë organizatave të tjera ndërkombëtare, dhe po pengon rrugëtimin e të dyja vendeve, Kosovës dhe Serbisë drejt BE-së.

Ndërkohë, të enjten e 13 janarit, Blinken, i kishte dërguar letër edhe Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit.

Përmes saj, Blinken shpresonte që të rikthehet momentumi në procesin e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe që Kosova të mbështesë zotimet paraprake.

“Besojmë që dialogu i ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian mbetet forumi më i mirë për normalizimin e negociatave ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës dhe ne koordinohemi nga afër me partnerët tanë në BE për këtë qëllim”, ka thënë ai përmes letrës.

Në letrën dërguar Kurtit, Blinken ka thënë se SHBA-ja pret të bashkëpunojë me Kosovën në fushën e sundimit të ligjit, mbrojtjen e të drejtave të minoriteteve, nxitjen e rritjes ekonomike dhe arritjen e marrëveshjes ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, me fokus në njohjen e ndërsjellë.

Po ashtu, aty kërkohej edhe zbatimi i zotimeve apo marrëveshjeve paraprake, duke përfshirë këtu krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe dhe tokën rreth Manastirit të Deçanit.

Intensifikimi i zëvendësndihmës sekretarit amerikan për Çështje Evropiane dhe Euroaziatike, Gabriel Escobar drejt marreveshjes finale me njohje reciproke

Intensifikim i komunikimeve me SHBA-në është vërejtur edhe javëve të fundit nga Qeveria e Kosovës.

Në dy javët e fundit, pati intensifikim të vizitave të diplomatëve perëndimor në Kosovë e Serbi. Kjo, për të shtyrë përpara procesin e dialogut dhe për të arritur një marrëveshje finale ndërmjet dy qeverive.

Gjatë vizitës së tij, Escobar, e ka kërkuar edhe zbatimin e marrëveshjeve Kosovë-Serbi ku përfshihet edhe themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Ani pse e shtroi këtë kërkesë, Escobar theksoi se synimi i tij me përmendjen e mundësisë së themelimit të këtij asociacioni ishte “të them se nuk duhet të jetë një model që dëmton sovranitetin dhe funksionalitetin e Kosovës”.

“Duhet ta gjejmë një model të tillë, që mund të negociohet dhe të arrihet marrëveshje rreth tij. Ky është qëllimi i bisedimeve. Nuk është qëllimi i Shteteve të Bashkuara të imponojë një të tillë”, thoshte Gabriel Escobar.

Dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, me ndërmjetësim të Bashkimit Evropian, ka nisur më 2011 në Bruksel.

Më 2021, në kuadër të dialogut janë zhvilluar vetëm dy takime të nivelit të lartë ndërmjet Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit serb, Aleksandër Vuçiq. /Rahoveci INFO/

Ballina
RadioRahoveci
Video
Këmbimi
Moti
error: Ku po shkon !!