Probleme politike apo teknike – Pse Kurti nuk po e viziton Amerikën?

Ishte vetë kryeministri ai që në një seancë plenare kishte njoftuar se në nëntor të vitit 2021, do të udhëtojë për vizitë zyrtare në SHBA. Por, e njëjta nuk gjë nuk u realizua.

Megjithatë, vizita e tij është shtyrë dhe planifikuar për në fillim të vitit 2022.

As kjo, nuk ndodhi.

Arsyet e mosrealizimit të vizitës po konsiderohen të jenë shkak i natyrës politike.

Analisti politik – Visar Ymeri, në një prononcim për Rahoveci INFO, ka thënë se mosrealizimi i vizitave të kryeministrit “nuk mund të jetë për arsye të çështjeve teknike”, ashtu siç kishte deklaruar ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla.

“Arsyet mund të jenë të shumta. Nuk janë për shkak të pandemisë, por janë të natyrës politike”, është shprehur Ymeri.

Kur pyetet se a mund të ketë ndikim në marrëdhëniet Kosovë-SHBA, moszbatimi i marrëveshjeve ndërkombëtare si ajo e Washingtonit, Ymeri thotë se “Qeveria e Kosovës duhet të ketë qartësi në këto gjëra dhe në partneritetin që duhet ndërtuar rreth këtyre çështjeve me ShBA-në”.

“Siç e ka kërkuar edhe në letrën e tij Sekretari Blinken, nga Kurti dhe Qeveria presin lidership dhe konstruktivitet në dialogun Kosovë Serbi, në integrimet rajonale dhe në çështjet e sigurisë ku hyn edhe qëndrueshmëria energjetike”, shtoi ai.

Po ashtu, sipas tij, Qeveria e udhëhequr nga Kurti, “duhet ta trajtojnë këtë temë me seriozitetin e duhur”.

Në të kundërt, siç thekson Ymeri, mungesa e vizitave dhe takimeve të nivelit të lartë me përfaqësues të Administratës Biden e vendosin Kosovën në një pozicion “jo të favorshëm” në një kohë kur nevoja për përkrahje nga SHBA-të për Kosovën “është shumë e madhe”.

Ndryshe nga Ymeri, për analistin politik – Gazmir Raci, vizitat e nivelit të lartë në SHBA nuk janë të domosdoshme në këtë periudhë.

Sipas tij, ato realizohen kur ka ngjarje të mëdha politike dhe diplomatike.

“Konsideroj që momentalisht nuk ka ndonjë zhvillim politik në marrëdhëniet dypalëshe e as në dialogun e Brukselit dhe vizita e tij mund të bëhet më vonë”, ka thënë Raci për Rahoveci INFO.

“E njëjta mund të shtyhet për në një kohë tjetër sepse tashmë jemi edhe në krizën e fundit mes Ukrainës dhe Rusisë”, shtoi ai.

Natyra e pazgjidhur e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë mbetet pengesë për anëtarësimin dhe integrimin e plotë në institucionet evropiane dhe euro-atlantike.

Sekretari amerikan i Shtetit, Anthony Blinken, në një letër dërguar Kurtit, më 13 janar të këtij viti, pati deklaruar se shpreson që të rikthehet momentumi në procesin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë.

Megjithatë, dy emrat që mund të ndihmojnë në adresimin e çështjeve, janë edhe “zërat” e ShBA-ve në Kosovë.

Ambasadori i ri amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, pas dorëzimit të letrave kredenciale tek presidentja Vjosa Osmani, në një konferencë të përbashkët me këtë të fundit, deklaronte se Washingtoni vazhdon ta mbështesë Kosovën në shumë fusha.

“SHBA-ja është partnere e qëndrueshme e Kosovës”, deklaroi ai./Rahoveci INFO/

Ballina
RadioRahoveci
Video
Këmbimi
Moti
error: Ku po shkon !!