14 vite shtetësi në Kosovë, analistët: Përparim në ndërtimin e demokracisë, dialogu mbetet sfidë

Në 14 vitet e shtetësisë së Kosovës, bilanci i vëzhguesve për gjërat që kanë shkuar mirë dhe atyre që vazhdojnë të mbeten një sfidë, është i ndryshëm. Susanne Schütz, e ngarkuara e qeverisë gjermane për Evropën Juglindore dhe Turqinë, është e mendimit se vendi përballet me sfida të mëdha, por njëkohësisht ka bërë hapa të rëndësishëm sa i përket reformave, veçanërisht në luftën kundër korrupsionit. Këtë konstatim, e mbështet në kërkesën që liberalizimi i vizave të ndodhë sa më parë.

 “Në raportin e Transparency International për perceptimin e korrupsionit, Kosova u ngjit me 17 vende më lart se një vit më parë dhe ky është një përparim i rëndësishëm, krahasuar edhe me vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor”, thotë ajo.  

Raportuesi socialdemokrat për Kosovën në Bundestagun Gjerman, Josip Juratovic, mendon se Kosova aktualisht është një nga vendet më demokratike në rajon dhe vëzhgon edhe një dëshirë te brezi i ri i arsimuar për t’u kthyer në vend. Sakaq, raportuesja për Kosovën në Parlamentin Europian, Viola von Cramon, vlerëson pluralizmin politik e mediatik, si një arritje të Kosovës në këto vite.

Ndërsa në planin e brendshëm, Kosova duket se është në rrugë të mirë, në aspektin e sovranitetit mbisundon një “përkohshmëri e përhershme”, tha Bodo Weber, ekspert i pavarur gjerman nga Berlini. Dhe për këtë nuk e ka fajin Kosova.

 “Edhe pse prej dhjetë vjetësh, Kosova zyrtarisht e ka fituar pavarësinë, nuk mund të flitet për sovranitet në kuptimin e vërtetë të fjalës. Ai garantohet vetëm me mbështetjen e fuqishme të Perëndimit”, thotë Weber.

Dialogu me Serbinë, i cili po dështon të prodhojë rezultate të prekshme, vijon të mbetet një prej sfidave kryesore të Kosovës.

Analisti Rrahman Paçarizi, thotë se mosnormalizimi i marrëdhënieve, ka ndikuar dhe do vazhdojë të ndikojë në të ardhmen euro-atlantike të Kosovës.

Sipas tij, “zgjidhja është tek arritja e një marrëveshjeje, jo domosdoshmërish e shpejtë, por një marrëveshje cilësore që do t’i eliminonte përfundimisht telashet mes Kosovës dhe Serbisë, por edhe të rajonit në përgjithësi”.

Analistët thonë se bashkërendimi mes Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian për bisedimet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë ka hapur disa mundësi për të çuar bisedimet drejt një marrëveshje normalizimi dhe ky bashkërendim duhet shfrytëzuar nga Prishtina zyrtare.

Ballina
RadioRahoveci
Video
Këmbimi
Moti
error: Ku po shkon !!